Deputetët e LDK-së me propozim të ri për votimin e Demarkacionit

Politika

Deputetët e LDK-së me propozim të ri për votimin e Demarkacionit

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 4 maj 2017 Në ora: 09:08
Deputetët e LDK-së

17 deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që e kundërshtojnë Demarkacionin, i kanë propozuar kryetarit të tyre Isa Mustafës, një zgjidhje që do t’i bindte ata ta votonin këtë marrëveshje dhe e njëjta ta zhbllokojë liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Inicuesi  i kësaj nisme nga kjo parti Adem Salihaj, ka thënë se nëse kryeministrit Mustafa nuk reflekton karshi propozimit të tyre, ai nuk do ta votojë marrëveshjen e Demarkacionit.

“Këtë mund ta bëjmë nëse arrihet një aneks marrëveshje me Malin e Zi se marrëveshja e tashme e demarkacionit rishikohet brenda një viti. Në këtë rast ne do ta votonim njëkohësisht marrëveshjen e demarkacionit bashkë me këtë aneks marrëveshjen”, ka thënë Salihaj.

Mustafa po mendohet për propozimin e deputetëve

Ndonëse deputeti i LDK-së ka thënë se ende nuk kanë marrë një përgjigje nga kryeministri Mustafa, nga Zyra e këtij të fundit, kanë konfirmuar për “Bota sot”, se po e shqyrtojnë këtë propozim të tyre.

Zëdhënësi I Qeverisë së Kosovës, Faton Abdullahu, ka thënë se kryeministri këto ditë, është në kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit që kanë bërë këtë propozim për të parë se cilat janë mundësitë që procesi i Demarkacionit të shtyhet përpara.

“Propozim i ri i disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili sa për shkak të çështjes që merr në shqyrtim, pra atë të Demarkacionit, aq edhe për faktin se është bërë nga një numër relevant deputetësh, gjithsesi është konsideruar se meriton vëmendjen e Qeverisë. Është fjala konkretisht për një propozim që ka ardhur nga 17 deputetë të Kuvendit që ka të bëjë me disa vërejtje apo thënë ndryshe kërkesa për disa ndryshime që propozohet të bëhen në këtë projektligj para se ai të procedohet. Prandaj lidhur me këtë Kryeministri Mustafa këto ditë është në kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit që kanë bërë këtë propozim për të parë se cilat janë mundësitë që procesi i demarkacionit të shtyhet përpara”, ka konfirmuar Abdullahu, derisa ka shtuar se kryeministri Mustafa ka kontakte edhe me faktorët tjerë relevantë ndërkombëtar rreth kësaj.

Ai ka thënë se krejt kjo do të bëhet edhe me koordinimin e partnerit të koalicionit, PDK-së.

“Krejt kjo me të vetmin qëllim që të bëhet e mundshme që të sigurojmë lëvizjen e lirë për qytetarët tanë dhe t’i përfitojmë të gjitha beneficionet tjera të cilat do të determinohen nga kalimi i këtij projektligji. Nuk është e tepërt për ta ritheksuar edhe kësaj here se ashtu sikundër deri më tani, krejt ky aktivitet vazhdon të bëhet në bashkëpunim dhe koordinim me partnerin e koalicionit”, është shprehur zëdhënësi i Qeverisë.

Opozita: Nisma, “krizë” e brendshme e LDK-së

Por, partitë opozitare, këtë nismë të deputetëve të LDK-së, nuk e shohin si të dobishme.

Duke komentuar në lidhje me këtë, deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Faton Topalli, ka theksuar se nuk ka kuptim nënshkrimi i një marrëveshje, e cila pas dy vitesh do të rishikohet.

Sipas tij, sikur të ishte punuar në këtë drejtim që nga dita kur është parë se marrëveshja ishte bërë gabimisht, Demarkacioni do të zgjidhej qysh moti.

“Ndoshta do të ishte më mirë që palët të dakordohen se marrëveshja ekzistuese nuk është valide dhe se brenda dy vitesh do të përpiqen të bëjnë një marrëveshje të re, e cila do të ishte e pranueshme për të dy palët. Sikur të ishte punuar në këtë drejtim që nga dita kur është parë se marrëveshja ishte bërë gabimisht, ne do ta kishim harruar qysh moti demarkacionin me malin e Zi , sepse konsideroj se do të kishim pasur një zgjidhje të pranueshme. Kjo nuk ka ndodhur prandaj dhe jemi në situatën në të cilën jemi sot”, është shprehur deputeti Topalli për “Bota sot”.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Anton Berisha, këtë nismë e sheh si një ”krizë” të brendshme të LDK-së, në të cilën ka një paqartësi të theksuar.

Ai ka theksuar se vendi duhet të shkojë sa më shpejt në zgjedhje.

“LDK, për mendimi tim është zënë peng prej Isa Mustafës dhe grupit të tij, e duke qenë kryeministër, e ka zënë peng edhe Kosovën në këto tri vite. Zgjidhja e Demarkacionit nuk mund të jetë e pjesërishme, ky variant duhet të zhvlerësohet dhe të bëhet shenjësimi i ri. Vendi duhet menjëherë të shkojë në zgjedhje dhe të hap rrugën për ecje përpara”, ka thënë Berisha.

Edhe analisti politik Haki Abazi, e ka quajtur tendencë për të krijuar hapësirë manovrimin nga ana e LDK-së, nismën e deputetëve të saj.

“LDK nuk është në gjendje e as në pozitë për të modifikuar marrëveshjen. Mendoj se bëhet fjalë për një fjali në vendimin e parlamentit që nuk ka asnjë rëndësi dhe nuk e detyron palën tjetër nënshkruese”, është shprehur Abazi për gazetën.

Kelmendi: Thaçi e Mustafa s’e kanë hall tokën e Kosovës

Nga ana tjetër, sipas analistit politik Jeton Kelmendi, ideja që grupi i deputetëve të LDK-së për të kërkuar marrëveshje, “është shumë reale, njerëzore dhe profesionale”.

Duke folur në një prononcim për “Bota sot”, Kelmendi ka thënë se kjo dëshmon se brenda kësaj partie, ka frymë demokratike.

“Kjo po bëhet për ta stopuar veprën antikombëtare të kryeministrit Mustafa dhe turrin e tij me çdo kusht për ta kaluar atë që bëri faqen e zezë presidenti që shiti tokën. Kjo dëshmon se në LDK ka një frymë, pavarësisht se ka tentuar ta vras rugovizmin dhe e ka vrarë në masë të madhe Mustafa me mafian e tij oligogargike. Kjo nismë tregon se aty ka demokraci, ka shqiptarizëm akoma dhe se është vështirë të mendohet se Mustafa nuk do ta pranojë një çështje të tillë, sepse fundi i fundit, ai nuk e ka hallin, ashtu siç nuk e ka hallin as presidenti se çka po ndodh me Kosovën, ata brengosen se çka po ndodh me karriget e tyre. Prandaj, kjo ide shumë fisnike duhet përshëndetur, duhet e parë me një sy të përkushtuar”, ka thënë analisti Kelmendi.

Por, ai është shprehur skeptik që nisma do të jetë e suksesshme.

“Sado që të jetë e suksesshme, unë jam skeptik, pasi Mustafa ka mundur ta çojë këtë ide edhe më parë ose në arbitrazh dhe toka nuk do të humbej. Ideja ka qenë që të shitet toka, pra që Thaçi ta shiste, ndërkaq shitjen ta mbron Mustafa”, ka shtuar Jeton Kelmendi.

Ndryshe, megjithëse ishte raportuar që Marrëveshja e Demarkacionit, do të procedohej për këtë javë në Kuvendin e Kosovës, një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat