Kosova zien nga pazaret parazgjedhore

Politika

Kosova zien nga pazaret parazgjedhore

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 9 maj 2017 Në ora: 11:34
ilustrim

Dy partnerët e koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës, nuk po gjejnë konsensus për miratimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Akuzat dhe kundërakuzat mes tyre për këtë çështje sa vijnë e shtohen, e si zgjidhje nga të dy palët po shihen zgjedhjet e parakohshme.  Sipas një burimi të gazetës “Bota sot”, PDK-ja tashmë ka ‘tradhtuar’ LDK-në, madje ka bërë marrëveshje për koalicion parazgjedhor me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleancën Kosova e Re. Sipas burimit, këto parti kanë përcaktuar edhe postet sipas marrëveshjes së koalicionit.

PDK pa vija të kuqe për asnjë parti politike

Por, nga PDK-ja kanë mohuar se kanë arritur koalicion parazgjedhor me AAK dhe AKR. Mirëpo, deputeti i kësaj partie, Shukri Buja, ka thënë për gazetën se mund të ketë koalicion paszgjedhor mes tyre.  “Nuk kam ndonjë informacion, por sigurisht se në zgjedhje partitë politike do të shkojnë vetë, AAK me Nismën, PDK-ja vetë. Ndërsa, koalicion paszgjedhor mund të ketë. Pas zgjedhjeve mund të bëhet koalicion. Nuk kemi vija të kuqe për asnjë parti politike”, ka konfirmuar deputeti i PDK-së. Përderisa PDK-ja nuk përjashton koalicion me asnjë parti politike, në AAK janë të qartë në lidhje me këtë.  “Nuk ka koalicion e as bisedime”, është përgjigja e nënkryetarit të AAK-së, Avni Arifi për “Bota sot”. 

Image
Avni Arifi

Edhe nga partia e Behgjet Pacollit, e kanë hedhur poshtë mundësinë e koalicionit parazgjedhor me PDK-në dhe AAK-në. Korab Sejdiu nga kjo parti, ka thënë se AKR, nuk ka asnjë vendim për asnjë koalicion deri më tani.  “AKR nuk ka marrë vendim për asnjë koalicion, aq më pak për një të tillë me PDK dhe AAK. Për më tepër, në çfarëdo koalicioni që AKR negocion, para apo pas zgjedhjeve, qëllimi kyç  nuk janë postet, mirëpo zbatimi i qëllimeve programore të AKR-së”, ka theksuar Sejdiu për “Bota sot”.

Image
Korab Sejdiu

Badallaj: Koalicioni i ri PDK-AAK-Nisma dhe AKR

Albrim Badallaj, analist politik, ka bërë kalkulimet se si do të mund  të bëhen  koalicionet e reja. Ai ka thënë se AAK dhe Nisma do të hyjnë në një listë të përbashkët zgjedhore, derisa sipas tij, AKR është ndërmjet PDK-së dhe VV-së, pasi që si e vetme e ka tejet të vështirë të kalojë pragun zgjedhor prej 5%.  “Tanimë në Kosovë është krijuar një precedent, ku partisë së parë i takon Kryetari i Kuvendit, kështu që tani ka një “luftë” për të dalë si parti e parë apo si koalicioni i përbashkët parazgjedhor i pari. Kësisoj, shumë aludime munden edhe të qëndrojnë, mirëpo unë besoj që një koalicion ndërmjet PDK-AAK-Nisma dhe eventualisht AKR, do të mund të formohej pas zgjedhjeve, meqë subjektet politike do t’i masin fuqitë e tyre dhe do të sprovohen si parti të vetme dhe koalicione të vogla, meqë kësisoj do të mund të shohin se sa gëzojnë përkrahje në popull”, është shprehur Badallaj.

Image
Albrim Badallaj

Ai ka shtuar se në Kosovë, ndarja e pushtetit ndërmjet partive politike të mëdha, bëhet si përmbushje e apetiteve dhe se në situatën ku gjendet Kosova, vështirë të përcaktohet koalicioni i duhur për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.  “Në Kosovë e dimë se nuk ka koalicione të platformave të përafëruara apo për shkak të koncepteve politike, por që janë koalicione të “zorit”, meqë nuk kemi parti që arrijë si e vetme shumicën parlamentare. Kësisoj, ndarja e pushtetit ndërmjet partive mazhoritive, bëhet si përmbushje e apetiteve se sa që bëhet në bazë të parimit se kush posedon më shumë ekspertë të asaj fushe konkrete. Në këtë situatë, ku gjendet Kosova, vështirë të përcaktojmë koalicionin e duhur për zgjidhjen e problemeve. Meqë partitë i eliminojnë vijat e kuqe ndërmjet vete, atëherë dihet se për çka bëhet ky veprim”, ka shtuar analisti Albrim Badallaj.

“Qeveria e re, zhvatëse e Kosovës”

Edhe sipas politologut Faton Mehmeti, koalicioni më afër realizimit është në mes të PDK-së me AAK-Nisma dhe AKR.  “Në bazë të pritshmërive është PDK-ja ajo që prapë pritet të dalë si forca e parë politike, si rezultat i pritjes së rënies së LDK-së së penalizuar për shkak të koalicionit me PDK-në, ndërsa rritja e AAK-së, pritet të konfirmohet pasi Ramushi u lirua. Duke qenë se AAK-ja që 10 vjet nuk ka qenë në pushtet, e lodhur nga opozitarizmi pa fund, pritet të konfirmojë çdo mundësi të arritjes së koalicionit me çdo parti, në këtë rast me PDK-në. Kjo i shton edhe faktin se Nisma është degë e PDK-së”, është shprehur politologu Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, për AKR-në, sipas Mehmetit, gjithashtu besohet se mund të përfshihet në një skemë koalicioni nëse e kalon pragun zgjedhor. “Pritshmëritë e Pacollit nuk kalojnë përtej përqindjes simbolike, që do t’ia mundësontë të kyçej në Qeveri për t’i garantuar stabilitet ekonomik dhe marrje te tenderëve. PDK ka kapluar shtetin me militantët, të cilët i ushqen vazhdimisht, kjo i shtohet edhe apatisë së krijuar nga qytetarët për të votuar, gjë që e favorizon PDK-në. Kjo skemë e pritshme qeverisëse, nuk do t’i sjellë asgjë të mirë vendit, përveç pasurimit të zyrtarëve të Qeverisë dhe familjarëve të tyre si dhe zhvatje të vendit nga një grup oligarkësh”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat