Partitë politike nënshkruajnë deklaratë për transparencë financiare

Politika

Partitë politike nënshkruajnë deklaratë për transparencë financiare

Më: 29 maj 2017 Në ora: 11:46
Pamje nga nënshkrimi i deklaratës për transparencë financiare

(E plotësuar) - Partitë politike kanë nënshkruar deklaratën, për rritjen e transparencës financiare, gjatë fushatës zgjedhore.

Shpend Emini nga Instituti Demokracia në Zhvillim tha se mungesa e auditimit, është e dëmshme për proceset demokratike në Kosovë dhe se ky problem, është adresuar dhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit.

Ndërsa i bëri thirrje Kuvendit që në mandatin e ardhshëm të inicioj procedurat për përzgjedhjen e auditorëve, që të bëjnë auditimin e raporteve financiare të subjekteve politike, ashtu siç është paraparë me ligj.

Emini: Mungesa e auditimit e dëmshme për proceset demokratike

“Kryerja e auditimit, kontrollit dhe zbardhja e fondeve te financimit të partive politike,  do të ishte hap i madh drejt transparencës dhe llogaridhënies të subjekteve politike. Auditimi i rregullt i partive politike në Kosovë, është në interes të procesit të demokratizimit, ngaqë çdo shpenzim dhe pranimi i parasë nga partitë politike, duhet t’i nënshtrohet mekanizimit mbikëqyrës të Kuvendit të Kosovës, për t’u siguruar se paratë janë menaxhuar në harmoni me ligjet në fuqi që e rregullojnë këtë fushë.  Deklarata që nënshkruhet sot, dëshmon vullnetin e partive politike, që të marrin hapa në rritjen e transparencës financiare. Është obligim i partive politike, që të jenë model për shoqërinë, duke ofruar hapjen e tyre karshi publikut edhe në aspektin financiar. Kjo hapje do të ndryshonte perceptimin e qytetarëve karshi subjekteve politike, duke i shfaqur para publikut, më transparente dhe llogaridhënëse”, tha Emini.

Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së Valdete Daka tha se nënshkrimi i kësaj deklarate i kontribuon një procesi të mirëfilltë zgjedhor dhe zhvillimit të demokracisë, përmes rritjes së transparencës.

Daka: Pres nga subjektet politike, t’i bëjnë publike raportet financiare

“Shpresoj shumë që Kuvendi i ardhshëm  që do të dalë nga këto zgjedhje, do t’i marrë kompetencat e veta, të cilat edhe deri më tani i ka pasur dhe askush se ka ndaluar të bëjë auditimin e fushatës zgjedhore, për zgjedhjet e vitit 2013-2014 dhe ta bëjë atë sipas ligjit. Transparenca është  një prej themeleve të  demokracisë dhe shpresoj që këtë herë subjektet politike edhe pse ndoshta ka ndonjë paqartësi në ligj,  vet do t’i bëjnë publike raportet financiare, të cilat ne si KQZ vetëm i pranojmë dhe pastaj i dërgojmë në Kuvendin e Kosovës. Pres nga subjektet politike dhe nga këtu i ftoj subjektet politike  që ta zbatojnë ligjin,  t’i bëjnë publike shpenzimet e fushatës zgjedhore, të gjitha paratë të cilat janë marrë, nga kush janë marrë dhe si janë shpenzuar gjatë fushatës zgjedhore. Sepse vetëm kështu do të kemi transparencë të plotë t ë kësaj fushate zgjedhore”, tha Daka.

Luigi Brusa, nga zyra e BE-së në Kosovë tha se rritja e transparencës, rrit dhe besimin e elektoratit.

Brusa: Kjo marrëveshje, në interes të zgjedhjeve të lira dhe të drejta

“Kjo deklaratë do të rris transparencën financiare gjatë procesit të zgjedhjeve. Llogaridhënia publike mbështetet ne transparencën “beso dhe verifiko”. Kjo është e rëndësishme për partitë politike, që të fitojnë besimin e elektoratit. Presim proces zgjedhor, të drejtë të lirë dhe kredibil. Iu bëjmë thirrje partive, që fushata te kryhet në pajtim me standardet demokratike. Zgjedhjet mbahen në kohë kritike për Kosovën, pasi janë  reformat e saj lidhur me BE-në dhe gatishmëria e BE-së për te ofruar vëzhgues tregon sa është  ky proces i  rëndësishëm për BE-në.Të forcohet mbikëqyrja dhe kontrolli financiar, transparenca dhe auditimet e pavarura. Hapat e partive politike, iu  inkurajoj ta respektoni këtë marrëveshje, pasi që është në interes te zgjedhjeve te lira dhe të drejta, për një fushatë llogaridhënëse të financimit të partive politike. Kjo pjesëmarrje e partive politike do të je te garancë, që ky nënshkrim të jetë një veprim,  qe do t’i jap besim popullit në Kosovë”, tha ai.

***

Partitë politike kanë nënshkruar deklaratën për rritjen e transparencës financiare gjatë fushatës zgjedhore.

Shpend Emini nga Instituti Demokracia në Zhvillim tha se edhe pse në 2012 ka pasur auditim normal, kjo s’ka ndodhur në zgjedhjet e 2014.

“Mungesa e auditimit është e dëmshme. Ky problem është adresuar dhe nga Komisioni Evropian në raportin e progresit. Zbardhja e fondeve të financimit të partive do të ishte hap i madh drejtë transparencës. Deklarata që nënshkruhet sot shpreh vullnetin e partive politike për transparencën financiare”, tha ai.

Kurse, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka shprehu bindjen se kjo i kontribuon një procesi të mirëfilltë zgjedhor.

“Fatkeqësisht s’kemi kompetencë në auditim të subjekteve politike. Shpresoj që kuvendi i ardhshëm do t’i marrë kompetencat e veta sepse askush se ka ndaluar të bëjë auditimin e fushatës zgjedhore. Transparenca është themel i demokracisë shpresoj që kësaj here subjektet politike vet do t’i bëjë publike raporte financiare. I ftoj subjektet politike që ta zbatojnë ligjin t’i bëjnë publike shpenzimet e fushatës zgjedhore, sepse vetëm kështu do të kemi transparencë të plotë të fushatës zgjedhore”, tha ajo.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat