Rreziku nga Lista serbe, pas zgjedhjeve në Kosovë

Politika

Rreziku nga Lista serbe, pas zgjedhjeve në Kosovë

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 30 maj 2017 Në ora: 10:35
Ushtria, Lista serbe

Lista Serbe e teledirigjuar përsëri nga Beogradi, mund të jetë një ‘kancer’ i rrezikshëm në vendimmarrjet e mëdha për interesin nacionale edhe në koalicion e ardhshëm qeverisës.

Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve politike ku sipas tyre, premtimi famoz i partnerëve PDK –AAK-Nisma, por edhe koalicionit tjetër,  për krijimin e ushtrisë së Kosovës mund të jetë i vështirë përballë paralajmërimit të përsëritur të Listës serbe se po përgatitet për ta pamundësuar vendimmarrjen për ushtrinë e shtetit të Kosovës.

Maska elektorale  

Njohësi i çështjeve politike Artur Roshi duke folur rreth kësaj ka thënë se sa i përket premtimit të ushtrisë nga koalicioni (AAK -PDK) është thjesht një maskë elektorale por meqë ata vijnë nga UÇK mendojnë se mund të besohet nga qytetarët dhe të shtojnë ndonjë votë prej saj.

Image
Artur Roshi

Sipas tij, sa i përket pakicës bllokuese Serbe sigurisht deri në rikuperimin total të një fqinjësie normale do të ketë ndikim nga Beogradi.

“Kjo varësi e Serbëve të Kosovës prej Beogradit do ekzistojë përgjithmonë,por zgjidhjen e problemeve të Kosovës e ka padyshim në dorë klasa politike e Kosovës. Pra vijmë në një plan që të largon nga emocionet nacionale të momentit dhe i drejtuar drejt problemeve nacionale afatgjata. Kjo është fusha e lojës politike dhe jo gjestet vulgare për vota”, ka thënë Roshi.

Ndryshe, opinionisti Nexhat  Haziri ka vlerësuar se Lista Serbe, do të vazhdojë të jetë një instrument i Beogradit, përmes së cilës do të mundohet ti bllokoj shumë procese me interes nacional për Kosovë, dhe po ashtu përmes sajë ta bëjë sa më shumë jo funksional shtetin e Kosovës.

Premtimi pompoz

Ai ka vlerësuar se një bllokim i tillë do të vije nga lista serbe edhe me rastin e procesit të krijimit të ushtrisë së Kosovës, e cila ka deklaruar hapur se do të pengoj formimin e kësaj force ushtarake, duke e nxjerr lakuriq premtimin e kotë e pompoz të koalicionit të territ (PDK, AAK NISMA).

Image
Nexhat Haziri

“Ekziston një lloj frike, që përmënimin tim është shumë reale, nga koalicioni i territ, I cili për ta joshur Listën serbe në formimin e qeverisë , pra për ta siguruar një shumicë të thjeshtë parlamentare, do t’mund t’I bëjnë kësaj të fundit lëshime të mëdha sa i përket procesit të formimit të asociacionit të komunave serbe, edhe përtej kornizës që iu është përcaktuar nga Gjykata kushtetuese e Republikës së Kosovës. Shpërfaqje e ambicies për pushtet më çdo kusht e koalicionit të territ, dhe mundësi e ardhjes së tyre në pushtet, do ti vonojë shumë procese në Kosovë, por edhe do të prodhoj të tilla si AKS me kompetenca të zgjeruara ekzekutive, e që do ta dëmtojnë thellësisht substancën e shtetit të Kosovës,”është shprehur opinionisti Haziri.

Analisti politik Rexhep Shahu ka vlerësuar se Lista serbe do të vazhdojë të jetë si një gur i rëndë e i madh nën rrotat e Kosovës, ku do të vazhdojë të jetë  edhe më tej faktor në Kosovë.

Sipas tij, Lista Serbe gjithmonë do të jetë si vegël e keqe në orkestrën e Kosovës për ta prishur e shkatrruar  muzikën.

Image
Rexhep Shahu

“ Lista serbe do të dirigjohet gjithmonë nga Beogradi derisa Kosova të shpëtojë nga varfëria, dhe derisa të përfundojnë bisedimet serioze mes Kosovës dhe Serbisë. Sa i përket Ushtrisë së Kosovës ajo nuk do të varet asnjëherë nga Lista Serbe, sepse partnerët e Kosovës, SHBA kanë deklaruar se do të bëhet ushtria e Kosovës me pjesëmarrjen e të gjithëve. Dhe nëse dikush pengon krijimin e ushtrisë së Kosovës, atëherë askush nuk do të ketë të drejtë vetoje as serbët e as dreqnit. Pra Ushtria e Kosoves nuk bëhet me lutje, duke i lutur serbët apo deputetët e Listës Serbe, por  Ushtria bëhet me përkrahjen e Amerikanëve”, ka thënë Shahu.

Vendimmarrja

Ai ka vlerësuar se Kosova në NATO nuk bëhet me lutje, sepse duke lutur Listën Serbe apo Qeverinë Serbe, po bëhet me përkrahjen Amerikane.

“AAK dhe PDK nuk bëjnë asgjë vetëm ‘çesin petulla në ujë’ kur përsërisin premtimin e vjetër, se do ta krijojnë ata Ushtrinë e Kosovës. Por nuk duhet harruar një gjë, se Ushtrinë e Kosovës e krijon cilado qeveri e Kosovës por vetem me përkrahjen Amerikane”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu.

Njohësi i çështjeve politike Ismet Haziri ka deklaruar se Serbia në vazhdimsi do ti fut të gjithë mekanizmat e mundshëm për të pamundësuar funksionimin normal të shtetit të Kosovës ose të bëjë blerje kohe.

Sipas tij, një ndër këto mekanizma është edhe lista serbe e cila gjenezën e vetë e ka në pakon e Atihsarit.

“ Lista serbe do të dirigjohet nga Serbia për aq kohë sa shteti i Kosovës dhe shqiptarët të mos fuqizohen për të marr vendime të prera e të drejta për vendin pa i pyetur të tjerët. Kurse sa i përket krekosjës së partive politike apo kolacionëve mendoj se janë duke thurin "Përralla për qielli " ngase AAK dhe PDK nuk e kanë fuqinë që në rrethanat aktuale politike dhe gjeostrategjike të vendosin për themelimin e Ushtrisë”, ka thënë Haziri.

Përrallat elektorale

Ai ka theksuar se koncepti i një ushtrie moderne është shumë larg përrallave elektorale dhe vizionit të komandantave që fuqinë e vet e masin dhe shprehin mbi varfërinë e mjerimin që e ka katandisur Kosovën nga politikat apo veprimet e tyre antishtetrore dhe klanore e fisnore.

“Ushtria e Kosovës do të bëhet, por jo me projektet e "Pronto-ve" ajo është projekt amerikan dhe nuk do të mbetët në duart e atyre që meritojnë demokracinë e luftës, po e kthejnë në përfitime e tenderomani. Prandaj ne duhet të jemi vigjilent i ruajtjes së marëdhënieve të shkëlqyra me SHBA-në ngase fati i jonë e bekimi i Zotit ka dashur që ne të jemi të mbikqyrur nga syri vigjilent i Amerikës”, ka thënë njohësi i çështjeve politike Haziri.

Nga ana tjetër njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi ka pohuar se në të kaluarën dhe tash Lista serbe ka qenë e krijuar dhe e udhëhequr nga ana e shtetit serb.

Image
Muhamet Kelmendi

Sipas tij, këtë e ka deklaruar edhe para pak ditësh ‘krimineli’ Alekasandër Vuçiç, kur kërkojë që serbët në Kosovë të votojnë këtë listë, sepse kështu i dilet përball rrezikut të formimit të Ushtrisë në Kosovë.

“Këndej pres që kjo listë të jetë kundër ndryshimeve kushtetuese dhe rrjedhimisht kundër formimit të ushtrisë. Këtu nuk ka dilemë. Por, Qeveria e ardhshme ka mundësi për të krijuar ushtrinë me ligj të veçantë pa bërë ndërrime kushtetuese. Përpjekjet nuk do të mungojnë por në fund, kjo është e vetmja rrugë e ecjes në krijimin e ushtrisë,” ka thënë njohësi i çështjeve juridike Muhamet Kelmendi.

Rreziku nga Lista serbe

Analisti politik Albinot Maloku ka thënë se korpusi politik i komunitetit serb në Kosovë tanimë është duke u sfiduar rëndë nga ana e Listës Serbe që hapur e përkrah Beogradi zyrtar dhe kjo është duke e mbytur skajshmërisht demokratizimin e këtij korpusi politik.

Sipas tij, tentativat për shkuarje në disa lista zgjedhore për komunitetin serb në Kosovë maksimalisht është duke i mbyllur Serbia.

Image
Albinot Maloku

“Lista Serbe edhe ashtu është një degë e Partisë Përparimtare të drejtuar nga presidenti i zgjedhur serb Aleksandër Vuçiq, dhe si e tillë kjo listë do të manovroj edhe me kartën e pengimit të marrjes së vendimeve nga organet shtetërore të Kosovës, si ushtria ose tjera vendime me interes shtetëror. Përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë kushdo që do të vije në qeveri, nga fituesit e pas zgjedhjeve në vend, do të jenë pjesë e organeve shtetërore si qeveria ose kuvendi. Nuk janë fajtor përfaqësuesit e komunitetit serb, por është Kushtetuta skajshmërisht gjeneroze karshi tyre, e cila u jep kompetenca për të vepruar si duan ata. Konform kësaj, nuk mund ti thuhet Listës Serbe se janë rreziku pa e menduar Kushtetutën e Republikës së Kosovës e cila ka shumë mangësi e pengesa në arritjen e nevojave të vendit”, është shprehur Maloku.

Ndryshe, një iniciativë e Presidentit të vendit Hashim Thaci për themelimin e ushtrisë pa ndryshime kushtetuese tashmë ka dështuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat