Melita Kallaba, psikiatrja që synon Kuvendin për ta përmirësuar jetën e njerëzve

Politika

Melita Kallaba, psikiatrja që synon Kuvendin për ta përmirësuar jetën e njerëzve

Më: 4 qershor 2017 Në ora: 12:54
Melita Kallaba

Pas më shumë se 18 vjetësh kontribut në shëndetin mendor të njerëzve dhe të qenit drejtpërsëdrejti e lidhur me problemet dhe nevojat e tyre, ajo ka vendosur që të bëhet pjesë e politikës në Kosovë.

Synon që përmes vendimmarrjes dhe ndikimit të drejtpërdrejt të bëjë ndryshimet thelbësore në vend, të evidentuara  deri tani si një qytetare e Kosovës.

Është mjekja psikiatër Melita Kallaba, e cila synon që të fitojë ulësen në Kuvend përmes Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kallaba e cila garon për herë të parë për deputete të Kuvendit, ka treguar për KosovaPress-in arsyen e vendimit për t’u marrë me politikën.

Kallaba: Kyçja në politikë na lejon të ndikojmë në ndryshim

“Si qytetarë të gjithë i shohim nga aspekti jonë i qytetarit gjërat të cilat na pengojnë në shtetin tonë, mirëpo si individ e kemi të vështirë të ndikojmë në ndryshime që ne dëshirojmë për t’i arritur, prandaj një nga mënyrat për të ndikuar në ndryshimet pozitive të cilat i mendojmë atëherë kyçja në një subjekt politik është një mënyrë që na lejon neve të ndikojmë drejtpërsëdrejti”, thotë Kallaba.

Si një votuese e përhershme e LDK-së, ajo ka zgjedhur  këtë parti, për të cilën thotë se ka besim  për shkak të vizionit që kanë tashmë bashkëpartiakët e saj. Siç shprehet ajo, beson në LDK sepse janë individë që me seriozitet punojnë për shtetndërtim.

Kallaba: Kam adhuruar LDK-në sepse janë të aftë të bëjnë shtet

“Unë gjithmonë kam qenë adhuruese e Lidhjes Demokratike dhe asnjëherë nuk kam hezituar të jem votuese e Lidhjes Demokratike për arsye se aty e shoh një grup të njerëzve që janë të sinqertë , punëtor, të pakorruptuar dhe janë njerëz të cilët janë të aftë të ndërtojnë një shtet”, thotë Kallaba.

Kontributi i saj në shoqëri është evident dhe i pakursyer.  E Kush më mirë se një psikiatër mund të kuptojë dhe zgjidhë problemet e njerëzve. Që nga paslufta Kallaba merret me trajtimin  e  viktimave në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.

Ajo ka treguar se përvoja e deritanishme me këta njerëz, ka rritur dëshirën për të përmirësuar jetërat e njerëzve, derisa thekson se kontributi i saj për këtë kategori do të jetë edhe më i madh.

Kallaba: Do të jem mbështetëse e njerëzve me probleme mendore

“Qëllimi i  punës time gjithmonë ka qenë të iu rikthej një gjendje të mirëqenët psikologjike, që të iu kthej disponimin, që të iu kthej buzëqeshjen në fytyrat e tyre për shkak të vuajtjeve që kanë përjetuar. Kjo kategori ka qenë pak e mbështetur nga institucionet dhe një punë më të madhe e kanë bërë organizatat joqeveritare të cilat kanë qenë mbështetëse në këtë drejtim. Dhe si mbështetëse e kësaj kategorie mendoj se do të vazhdoj të jem mbështetëse edhe nëse do të futem në institucionet shtetërore dhe do të punoj gjithmonë që gjendja e tyre të përmirësohet në vazhdimësi”, shprehet ajo.

Nga ulësja e deputetes, Kallaba zotohet se do të jetë e zëshme në njërën prej sferave që lë shumë për të dëshiruar në Kosovë, siç është sistemi shëndetësor.

Mosfunksionimin e këtij sektori, Kallaba ia faturon institucioneve të vendit, të cilat sipas saj kanë bërë shumë pak për këtë kategori. Thotë se mosorganzimi ka bërë që qytetarët të vuajnë pasojat,  ndërsa mjekët kujdesen për përfitime personale, pavarësisht profesionit që si bazë ka humanitetin.

Megjithatë, Kallaba thotë se kontributi i saj do të tejkalojë atë shëndetësor, për të adresuar kështu edhe probleme të shumta me të cilat ballafaqohen qytetarët.

Kallaba: Kontributi im nuk do të mjaftohet vetëm në shëndetësi

“Sigurisht që unë do të fokusohem më shumë në çështjen për të cilën jam më e specializuar dhe aty ku mund të kontribuoj më së shumti me gjërat që i di, mirëpo kontributi im nuk do të ndalet aty do të mundohem që të ndikojë në çdo sferë ku do të më epët mundësia dhe të depërtoj sepse nuk është vetëm një aspekt shëndetësor I cili nuk është në rregull në Kosovë dhe nuk funksionin si duhet mirëpo ka gjëra të vogla, ka detaje shumë të imëta në Kosovë të cilat mendoj që duhet të përmirësohen dhe ato më së shumti i shohim kur jemi si qytetar dhe I bartim si dëshira për të ndryshuar gjitha ato vështirësi dhe gjithë ato të këqija që e kanë mbuluar shtetin tonë. Shëndetësia e dimë të gjithë se është në një kaos, ndoshta në gjendje më të mirë janë qendrat familjare ku sigurisht ka një rregull në ofrimin dhe marrjen e shërbimeve nga popullata, mirëpo në spitale është një rrëmujë dhe një gje ndje ku klientët nuk mund t’i marrin shërbimet për të cilat kanë nevojë dhe një prej arsyeve që ata nuk i marrin shërbimet nuk është që nuk ka mjek të zot, të mirë mirëpo mosorganizimi i mirë në këto institucione ka bërë që popullata të vuaj për në marrjen e shërbimeve të nevojshme”, thotë tutje Kallaba.

Roli i grave në shoqëri dhe vendimmarrje për kandidaten për deputete është i një rëndësie të lartë. Ajo madje thotë se gratë në politikë mund të bëjnë ndryshimin, përtej gjërave që mund t’i shohin meshkujt.

Ajo ka theksuar  se guximi që e karakterizon i ka rrënjët në familje. Shprehet me fat se  është vajza e xhaxhait të pilotes Faruza Kallaba, e cila  është edhe femra e parë, e cila gjatë intervenimit 78 ditësh të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë, me aeroplanin e saj, furnizonte aeroplanët bombardues, në fluturim.

Kallaba: Gruaja është ajo që sheh ndoshta përtej asaj që shohin meshkujt

“Femra është shumë e rëndësishme duke filluar nga familja dhe aty fillon i gjithë roli i saj madhor, një femër është nënë, është grua, motër, punëtore mbi të gjitha, dhe gjitha këto duhet ti bëjë njëkohësisht dhe të jetë e mirë në të gjitha këto fusha. Prandaj edhe kyçja e gruas në politike tregon që tani më ajo ka filluar të depërtoj dhe të shprehet hapur që dëshiron edhe ajo të jetë pjesë e ndryshimeve për të cilat mendoj se shumë gra të tjera mendojnë dhe dëshirojnë që ta kenë këtë mundësi dhe ti ofrojnë Kosovës gjëra pozitive. Gruaja është ajo që sheh ndoshta përtej asaj që shohin meshkujt”, tha ajo.

Krejt në fund, ajo është shprehur e bindur se koalicioni i LDK-së me AKR- në dhe Alternativën do të jetë fitues i zgjedhjeve të 11 qershor.

Kjo për shkak të siç thotë ajo, disponimit të qytetarëve  të cilët sipas saj janë deklaruar se do ta votojnë LDK-në .

Melita Kallaba është kandidate për deputete nga LDK-ja në legjislaturën e ardhshme dhe mban numrin 78.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat