Koalicionet aktuale sjellin befasi në zgjedhje lokale

Politika

Koalicionet aktuale sjellin befasi në zgjedhje lokale

?Hava Orana Xhukolli Nga ?Hava Orana Xhukolli Më 5 qershor 2017 Në ora: 09:19
ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përballet me organizimin e dy palë zgjedhjeve këtë vit. Zgjedhjet qendrore nuk janë larg as edhe një javë, derisa ato lokale priten të mbahen në fund të këtij viti.

Megjithatë partitë politike duket se tërë fokusin e tyre e kanë tek zgjedhjet e para, derisa për të dytat ende nuk kanë përcaktuar kandidatët. Të pakta janë ato që tashmë janë përcaktuar për këto zgjedhje dhe për kandidatët e tyre për kryeqytetin.

Kandidatura për Prishtinën

Kështu derisa Partia Demokratike e Kosovës doli hapur me kandidatin e saj, partitë tjera ngurrojnë të tregojnë të përzgjedhurit e tyre.  Ishte kandidati për deputet i kësaj partie, Shemsi Veseli ai i cili në tubimin e PDK-së në Prishtinë, e bëri publik një lajm të tillë.

“PDK si kurrë më parë është e mobilizuar në Prishtinë, dhe së bashku me kandidatin tonë për kryetar të Prishtinës, z. Lirak Çelaj do të fitojmë”, ka thënë ai.

Ndërkaq zyrtarë nga Lidhja Demokratike e Kosovës,  thonë se ende nuk kanë vendosur për kandidatin që do të udhëheq me Prishtinën, pasi fokusin e kanë tek zgjedhjet qendrore, që do të mbahen me 11 qershor.

Kështu bëri të ditur kandidati për deputet nga kjo parti, Dardan Velija.

Image
Dardan Velija

“është ende herët. Tërë fokusi tani është në zgjedhjet qendrore”, thotë Velija për “Bota sot”.

Ndryshe zyrtarë nga kjo parti patën deklaruar se në muajin maj do të dalin me kandidatin e tyre për Prishtinën.

Vetëvendosje kandidon Shpend Ahmetin

Ndërkaq Vetëvendosja tashmë është e vendosur se kush do të jetë kandidati i tyre për të udhëhequr me kryeqytetin. Kandidatja për deputete, Shqipe Pantina ka bërë të ditur se kryetari aktual Shpend Ahmeti ka shprehur vullnet të qeverisë edhe një mandat me Prishtinën, pavarësisht se është në listën për deputet.

Image
Shqipe Pantina

“Lëvizja Vetëvendosje ka filluar fushatën për zgjedhjet nacionale të 11 qershorit dhe i gjithë fokusi ynë është të dalim fitues në këto zgjedhje. Shpendi aktualisht është kandidat për deputet dhe çdo pasdite është i angazhuar bashkë me ne në fushatë. Edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe vet Shpendi ka shprehë gatishmërinë që ai të vazhdoj të qeverisë me kryeqytetin edhe me një mandat pasi ta fitoj besimin e qytetarëve, por kur të vie radha e zgjedhjeve lokale Lëvizja Vetëvendosje dhe Shpendi do e marrin vendimin i cili besoj se do jetë në përfitim të qytetarëve”, thotë Pantina për “Bota sot”.

Ndërkaq nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thonë se ende nuk kanë vendosur për kandidatin për Prishtinën.

“Jo ende nuk kemi vendosur për kandidatin që do të garoj për Prishtinën”, thotë Muharrem Nitaj, për “Bota sot”.

Nga ana tjetër, partitë tjera si Nisma e AKR-ja nuk janë deklaruar fare për këtë çështje.

Image
Muharrem Nitaj

Por sa mund të ndikoj suksesi i partive në zgjedhjet e përgjithshme, tek zgjedhjet lokale që janë në fund të vitit?

Koalicionet aktuale sjellin befasi në zgjedhje lokale

Kështu njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani thotë se mund të ndodhin befasi bë zgjedhjet lokale, pasi që zgjedhjet nacionale duken me koalicione të çuditshme të përziera me rival të mëdhenj të dikurshëm e tashëm.

“Këto zgjedhje mbeten përnjëherë zgjedhjet më të çuditshme nga pikëpamjet e kooperimit në mes partive, sikurse mund të pritet befasi edhe në koalicione paszgjedhore, të cilat mund të prishen këto aktuale dhe të ndërtohen të tjera. Pra nuk ka kurrfarë stabiliteti, këto koalicionet e sotme të çuditshme, mund të priten çudira dhe befasi të jashtëzakonshme, këto koalicione janë të bëra nga frika se mund të humbin prej skenës politike disa parti të vogla të cilat kanë hy në koalicione”, thotë Burjani.

Sipas tij, çudia më e madhe mbetet bërja bashkë e njerëzve të luftës në një koalicion, kjo nuk ka ndodhë asnjëherë pas luftës.

Image
Blerim Burjani

“Kjo mund të kuptohet si frikë e krahut të luftës dhe rënies së popullaritetit të tyre para elektoratit të tyre para elektoratit, përderisa LDK-ja dhe disa subjekte dhe Vetëvendosja ndihem më të sigurta në këto zgjedhje”, tha Burjani për “Bota sot”.

Ai thotë se qytetarët nuk janë edhe aq të interesuar për këto zgjedhje.

Ka nje mosbesim të madh në elektorat në këto parti ekzistuese në koalicione shpëtimi, kështu mund të quhen koalicione për të shpëtuar humnerës. Qytetarët nuk janë edhe aq të interesuar për këto zgjedhje, këto zgjedhje janë më tepër për militantët partiak dhe servilet e tyre dhe klientela që kanë”, vlerëson ai.

Efekti i zgjedhjeve të 11 qershorit

Nga ana tjetër, politologu Mentor Tahiri, thotë se rezultati i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen me 11 Qershor, ka efekt të shumëfishtë edhe në rezultatin e zgjedhjeve lokale që pasojnë disa muaj më vonë.

“Në radhë të parë është efekti psikologjik i cili ndikon drejtpërsëdrejti tek votuesi. Në rast se me 11 Qershor tablloja elektorale e Kosovës pëson ndryshime, pashmangshëm kjo do të sensibilizojë një pjesë të elektoratit të pavendosur, e sidomos ata që nuk dalin në votim dhe të njëjtit t’i inkurajojë për të dalë në zgjedhjet lokale”, thekson ai.

Sipas tij, rezultati i këtyre zgjedhjeve, në anën tjetër do të vulosë më tej koalicionet e tanishme apo edhe të inkurajojë koalicione më të gjera.

Image
Mentor Tahiri

“Qysh tani ka një tendencë të bashkëpunimit ndërmjet koalicionit të mbledhur rreth LDK-së në njërën anë dhe VV-së në anën tjetër. Një rezultat negativ për këto dy blloqe, i hapë më shumë rrugë bashkëpunimit në të ardhmen, ngase do të imponohet si mjet për t’u përballuar me “koalicionin e luftës”, thotë Tahiri për “Bota sot”.

Ndërkaq njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi thekson rëndësinë e zgjedhjeve parlamentare, për të cilat thotë se nga to del një qeveri që mendohet të udhëheq vendin për në legjislaturën parlamentare.

Image
Muhamet Kelmendi

“Këto zgjedhje janë bazë e mirë edhe për zgjedhjet lokale, ndonëse në çdo periudhë kohore dhe komune. Ka mundësi që të kemi krejtësisht rezultat tjetër në zgjedhjet lokale, por është një konstatim se zgjedhjet, pavarësisht a janë të përgjithshme a lokale, janë një parashikim shumë i mirë për zgjedhjet në vazhdim. Po dua të them se shpeshherë kemi edhe befasi në kuptimin e rezultatit. Ne fund të fundit këtë e vërtetojnë zgjedhjet lokale që do të vijnë”, thekson Kelmendi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat