Bashkimi me “shefin” e SHIK-ut, paniku i Haradinajt nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa

Politika

Bashkimi me “shefin” e SHIK-ut, paniku i Haradinajt nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 6 qershor 2017 Në ora: 08:22
Kadri Veseli e Ramush Haradinaj

Analisti Faik Krasniqi, ka thënë se Gjykata Speciale ka ardhur si pasojë e drejtësisë së kapur në Kosovë, dhe si pasojë e futjes ndaj njëri-tjetrit, për ta shpëtuar çdonjëri lëkurën e tij.

“Gjykata Speciale erdhi si pasojë e kapjes së shtetit nga banditë të politikës dhe parapolitikës, të cilët e kanë ngulfatur shtetin. Por, druaj që Gjykata Speciale do ta bëjë pastrimin e skenës politike, sepse ajo më shumë është krijuar për qëllim që t'i barazojë krimet serbe ndaj shqiptarëve dhe gjoja krimet shqiptare ndaj serbëve”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka theksuar se bashkimi i Haradinajt me siç e ka quajtur ai, “shefin” e SHIK-ut, erdhi nga paniku i krijimit të koalicionit ndërmjet LDK, AKR, Alternativa.

“Ky koalicion është koalicion i panikut, pas krijimit të koalicionit tjetër LDK-AKR-Alternativa. Haradinaj nuk ka hezituar që ta pranojë një ofertë të tillë për t'u bërë kryeministër, edhe pse ajo ofertë ka ardhur nga ish kreu i SHIK-ut, njeriun të cilin e ka akuzuar vazhdimisht për kapje të shtetit dhe krime të ndryshme. Për mua ky veprim i z.Haradinaj ka qenë shumë i befasishëm”, ka thënë tutje Krasniqi.

Image
Faik Krasniqi

“Specialja do ta trazojë Kosovën”

Ai ka paralajmëruar se Gjykata Speciale, do të trazojë shtetin e Kosovës dhe se askush nuk do të mund t’i ikë asaj.

“Gjykata Speciale është themeluar nga shtetet më të fuqishme të botës, është votuar në Kuvendin e Kosovës dhe askush s'mund t'i ik kësaj Gjykate. Kjo Gjykatë do ta trazojë mbi të gjitha shtetin e Kosovës, sepse do të na ngelet gjithmonë një njollë për gjoja krimet e bëra ndaj serbëve”, ka përfunduar analisti Faik Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat