Vetëvendosje nuk i beson Presidentit Thaçi për dhënien e mandatarit

Politika

Vetëvendosje nuk i beson Presidentit Thaçi për dhënien e mandatarit

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 4 korrik 2017 Në ora: 16:55
Sami Kurteshi Deputet i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi e konsideron të suksesshme rritjen e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 11 qershorit. Kurteshi, i cili më herët ishte Avokat i Popullit, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket kundërshtimit të koalicionit PAN derisa ka theksuar se ka një disponim shumicë në LVV për një koalicion qeverisës me koalicionin LAA. Kurteshi po ashtu ka thënë se mund të përsëritet situata e vitit 2014 në rast se Presidenti Thaçi bën shkelje kushtetuese.

“Bota sot”: Cili është vlerësimi juaj për rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit?

Sami Kurteshi: Zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti, sipas informatave të deritanishme, ishin zgjedhjet me më së paku shkelje ligjore. Në lokalitetet serbe të Kosovës ka pasur një presion të jashtëzakonshëm nga Serbia  mbi qytetarët dhe qytetaret për të votuar për të ashtuquajturën “Lista Serbe”. Ky presion nga Serbia është bërë pjesërisht edhe me bekimin dhe me lejen e institucioneve të Kosovës. Kjo dëshmon edhe njëherë më shumë për dështimin e sistemit të drejtësisë dhe të sigurisë në Kosovë

Kur është fjala te rezultatet, nga votuesja dhe votuesi kosovar është dhënë sinjal i qartë për ndryshime. Këtë ndryshim e ka theksuar dhe thekson vazhdimisht Lëvizja Vetëvendosje! Pritjet e qytetare/ëve dhe zotimet e LVV janë në përputhshmëri të plotë. Në aspektin statistikor, LVV ka rritur numrin e votave mbi 100 %, kurse të ulëseve në Kuvend 100%. Të gjitha partitë e tjera, kanë humbur votues dhe ulëse në Kuvend, dhe në rastin më fatlum kanë mundur të ruajnë numrin e njëjtë të ulëseve në Kuvend (Nisma).

Rritja e tillë  e LVV domethënë pritje për ndryshime të udhëhequra nga LVV dhe njëkohësisht dënim për gjithë mënyrën e deritanishme të qeverisjes nga partitë ekzistuese, të cilat për 17 vite, duke përjashtuar qytetarin nga pjesëmarrja dhe vendimmarrja politike, më shumë kanë sunduar sesa qeverisur, duke e katandisur Republikën e Kosovës në gjendjen shoqërore, ekonomike, politike në të cilën gjendemi sot. Këtë e vërtetojnë sidomos rënia drastike në vota dhe rrjedhimisht me ulëse në Kuvend e PDK dhe LDK. Qytetari/ja e Republikës së Kosovës këto dy parti i konsideron fajtorët kryesorë për këtë gjendje të krijuar. Me të drejtë! Këtë e ka dëshmuar me votën e 11 qershorit.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të Mërkurën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot”)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat