Selmanaj: Deputetët nuk janë në ankand publik

Politika

Selmanaj: Deputetët nuk janë në ankand publik

Më: 22 korrik 2017 Në ora: 16:35
Driton Selmanaj

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Driton Selmanaj, ka thënë se deputetët nuk janë në ankand publik, e të presin se kush sa po ofron për ta blerë, siç ka thënë ai, votën, dinjitetin, moralin dhe integritetin e tyre.

“Euu ‘poshtë ka ra katundi’ thotë një fjalë e popullit tonë. Ditëve të fundit qytetarët e Kosovës janë ngarkuar me lloj-lloj konspiracionesh, me lloj-lloj shpifjesh e lloj-lloj përpjekjesh për pazare të ulëta politike dhe shumë të rrezikshme për vendin”, ka thënë Selmani.

Ai ka thënë se “shtet-ndëritimin si proces, zhvillimin e Kosovës si domosdoshmëri dhe ecjen e shtetit në binarë të qartë dhe të sigurt, e kemi zëvendësuar me lajme për protagonistë të pavlerë, për sekserë ordinerë dhe për ndërmjetësues profiterë”.

“Kjo ka bërë që të krijohet përshtypja se të zgjedhurit e popullit (deputetët) janë vënë në ankand publik dhe po presin Kush? dhe Sa? po ofron për ta blerë votën e tyre, moralin e tyre, dinjitetin dhe integritetin e tyre. Veprimet e tilla me ose pa vetëdije po e shkatërrojnë çdo koncept dhe parim të përfaqësimit, po fyen rëndë shumë qytetarë (votues) të Kosovës, po fyen çdo arritje të jetës institucionale tashmë të ndërtuar në vend”, ka thënë Selmanaj.

Sipas deputetit në top pesëshen më të votuar të LDK-së, krejt çka i duhet tani vendit, është kthimi kah institucionet dhe përgjegjësitë shtetërore e kushtetuese.

“Ta konstituojmë Kuvendin sa më shpejt që është e mundur, dhe më pas të ecim tutje në themelimin e qeverisë për t’i dal në ballë sfidave të shtetit dhe problemeve që ballafaqohen qytetarët e Kosovës. Për shkatërruesit e shtetit, për zhvatësit e pasurisë publike, për ata që sakatuan të tashmen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë, nuk ka dhe nuk duhet të ketë vend në përgjegjësitë ekzekutive në qeverinë e re të Kosovës. Prandaj një qeveri pa PDK-në do t’i bënte nder vendit dhe të ardhmes së tij”, ka thënë Selmanaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat