Prapaskenat e “mbulimit” të Skënderbeut! Pse heshtën Meta e Rama për “skandalin e vitit”?

Politika

Prapaskenat e “mbulimit” të Skënderbeut! Pse heshtën Meta e Rama për “skandalin e vitit”?

Nga: A.Zh Më: 4 shtator 2017 Në ora: 09:45
Sheshi Skënderbeu, 1 shtator, Tiranë

“Mbulimi” i statujës së heroit të kombit shqiptar Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, në ditën e faljes së namazit të Kurban Bajramit, në sheshin me po të njëjtin emër në Tiranë, ka nxitur akuza dhe polemika të shumta ndër shqiptarë katolikë e myslimanë.

Figura të ndryshme publike, kanë shprehur mendimet e tyre, lidhur me ngjarjen, e cila u konsiderua si “skandal i vitit” në Shqipëri.

Por, lidhur me këtë ngjarje, kanë munguar reagimet e presidentëve dhe kryeministrave të Shqipërisë e të Kosovës. Nuk reagoi as Ilir Meta e as Hashim Thaçi, as Edi Rama e as Isa Mustafa. Njëjtë ka vepruar edhe ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha, i cili njihet për aktivitetet e tij në rrjetet sociale.

Mehmetaj: Kreu i myslimanëve e ka në dorë shtetin shqiptar, Veliaj të shkarkohet

Por, si shihet mosreagimi i tyre në opinionin shqiptar? Për këtë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka folur publicisti dhe shkrimtari i njohur Gani Mehmetaj. Ai ka thënë se është dashur të reagojnë Meta dhe Rama, meqë skandali sipas tij, ka ndodhur në Tiranë e jo në Prishtinë.

Image
Gani Mehmetaj

Sipas Mehmetajt, përdhosja e heroit kombëtar, është bërë me dijeninë e kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

“Rama e Meta duhet të reagojnë, sepse në Tiranë ka ndodhë skandali. Sikur ta mbulonin shtatorën e Gjergj Kastriotit në Prishtinë, atëherë duhet të reagojnë personalitet tona. Por duket që Rama e Veliaj ishin në dijeni, lejuan myslimanët nga e gjithë bota që erdhën në Shesh ta përdhosën heroin tonë. Prandaj heshtin zyrtarët”, është shprehur Mehmetaj.

Ai ka theksuar se në një vend normal, kryebashkiaku do të shkarkohej.

“Në një shtet normal kryebashkiaku duhet të shkarkohet. Por, duket që kreu i myslimanëve me spsonsorët e vet e ka në dorë shtetin shqiptar, e ka blerë, prandaj bëjnë ç'të duan”, ka vlerësuar publicisti Gani Mehmetaj.

Ndryshe, në një reagim për mediat shqiptare, myftiu i kryeqytetit shqiptar Ylli Gurra, ka sqaruar se kanë qenë më së shumti kushtet teknike që kanë çuar tek “mbulimi” i statujës”, por pa e pasur si qëllim.

“Dua të jap një sqarim publik për vëllezërit katolikë e ortodoksë. Nuk kemi pasur asnjë qëllim të fyejmë apo të mbulojmë Skënderbeun. Ai është heroi kombëtar i shqiptarëve dhe as nga ana fetare, as nga historike prania e monumentit të tij në shesh nuk përbën asnjë problem për myslimanët, as për faljen e namazit”, ka thënë Gurra.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat