Nisma ndahet nga PAN-i, zyrtari tregon arsyet e një vendimi të tillë

Politika

Nisma ndahet nga PAN-i, zyrtari tregon arsyet e një vendimi të tillë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 12 shtator 2017 Në ora: 10:27
Fatmir Limaj- Ramush Haradinaj- Kadri Veseli

Kanë funksionuar bashkë si koalicion para zgjedhor, mirëpo tani Nisma për Kosovën nuk do të jetë pjesë e grupit parlamentar të PAN-it.

Partia Nisma për Kosovën, ka proceduar në Kuvend kërkesën për formimin e grupit të saj parlamentar, duke e parë të domosdoshme për partinë e tyre që të funksionojnë si grup në veti.

Deputeti i zgjedhur nga kjo parti, Enver Hoti, ka konfirmuar për “Bota sot” se ata tashmë kanë bërë kërkesë për funksionim si grup parlamentar.

Hoti ka thënë se është krejtësisht normale dhe e rregullt që ata të funksionojnë si grup parlamentar.

“Po është normale që ne të formohemi si grup parlamentar i vetëm, të formohemi si Nisma për Kosovën, krejt është në rregull, është diçka normale, e domosdoshme për partinë tonë që ne të funksionojmë si grup parlamentar. Por, gjithsesi ne jemi në koalicion me PAN-i” ka pohuar Hoti.

Image
Enver Hoti

Sipas tij, ata nuk do të funksionojnë jashtë koalicionit PAN, por vetëm do të qeverisin si grup parlamentar.

“Jo ne nuk do të funksionojmë jashtë PAN-it, ne jemi si qeveri në parlament, por do të qeverisim si Grup Parlamentar, normalisht që jemi në pozitë, ka kaluar koha e opozitës. Nuk besoj që ka ndonjë dëm, nuk është kundër qeverisë, ne jemi në qeverisje, në bashkëqeverisje me partitë tjera dhe kështu” ka theksuar Hoti.

Ai ka treguar për “Bota sot” se shefi i tyre do të jetë Bilall Sherifi dhe kështu do të jetë gjithçka funksionale.

“Bilall Sherifi është shefi i Grupit parlamentar dhe kështu do të funksionojmë, është gjithçka funksionale. Ne mendojmë se koalicioni para zgjedhor ka përfunduar dhe këtu jemi në koalicion qeveritar, këtu duhet të dallohet nuk është diçka e pa qartë në publik” ka shtuar Hoti.

Nisma për Kosovën edhe gjatë fushatës elektorale ka paralajmëruar se do të funksionojë e vetme në Kuvend.

Partia e Fatmir Limajt, ka gjashtë deputetë në kuvendin e Kosovë./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat