Rrezik nga përplasje të ashpra në Kuvendin e Kosovës

Politika

Rrezik nga përplasje të ashpra në Kuvendin e Kosovës

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 5 tetor 2017 Në ora: 11:28
Kuvendi i Kosovës

Një mujori i parë i legjilaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës ka kaluar në jo pak tensione. Përplasjet ndërmjet deputetëve kanë qenë të theksuara brenda dhe jashtë Kuvendit të Kosovës. Madje, kundërishtimet ndërmjet pozitës dhe opozitës, jashtë ambienteve të Kuvendit, kanë eskaluar edhe në dhunë fizike, sic ishte rasti me deputetët Frashër Krasniqi e Milaim Zeka.

Bajram Gecaj, zyrtarë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ka thënë për gazetën “Bota sot”, se kjo legjislaturë është më e dobëta që ka pasur Kosova ndonjëherë.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj: LDK do të veproj ashpër

Ai ka theksuar faktin se, nga kjo legjislaturë ka dalë qeveria më dobët e cila është paraprirë dhe është krijuar nga sekserë e matrapazë, përmes veprimeve korruptive e shantazhuese.

“Unë e shohë degradimin e mëtutjeshëm të veprimeve e deklarimeve, por shpresoj se nuk do t’u zgjasë shumë, pasi që të gjithë parametrat racional ndikojnë se kjo qeveri tanimë i ka ditët e numëruara. LDK do të veprojë ashpër, por gjithherë brenda kornizës racionale e ligjore. Pritët të shihet nëse VV do të ketë të njëjtin kundërshtim si më parë, apo se do të struken ashtu siç bënë dje me mocionin kundër Ministrit Rikallo”,  ka thënë Gecaj të mërkurën.

Ndërsa, analisti politik Rexhep Shahu ka thënë se zhurmuesit për karrige e pushtet që ishin dje në opozitë.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, inatçinjtë janë në pushtet madje edhe janë të stërpikur me pushtet.

“Çështja ka qenë qysh në krye që të mos fitonte poenë politike LDK dhe jo se ishin parimore në kundërshtimet e tyre opozita e djeshme. Të gjithë gjërat do të shkojnë sipas porosive të ndërkombëtarëve dhe kundërshtarët e djeshëm do të jenë nënshtruesit e sotëm. Megjithatë urojë që të ketë opozitë të fortë dhe kundërshtime të rrepta për asosacionin e demarkacionin. Por nuk besoj sepse ata më të ashprit krejt në fund bëhen më të butët. Akuza e Gjykatës Speciale mund të nxehin hekurat por nuk bëhen dot bashkë kundër kësaj gjykate të akuzuarit. Grushtimet mes deputetëve nuk besoj të bëhen mënyrë parlamentarizmi, sjellje parlamentarizmi, ndonëse opozita e djeshme pati dhënë prova edhe me gaz lotsjellës. Të shohim, ne nuk parathemi dot, ne shënojmë çfarë ndodh”, ka thënë analisti politik Rexhep Shahu. 

Image
Skender Zogaj

Përdorimi i grushteve

Kurse, analisti politik Skender Zogaj ka thënë së legjislatura më e re është përmbajtje përafërsisht e njëjtë e sorteve të sedimentuara partiake të cilat në Kuvend kanë arritur jo si vlera por si sfera të interesave të ngushta të udhëheqjeve më të larta partiake, të cilët krijojnë lista për qejfin e tyre.

Sipas tij, kjo është mënyra e zgjedhjes së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që e nënkupton edhe cilësinë e tyre të dobët, që, tashmë kemi rastin jo vetëm ta shohim, por edhe të trishtohemi nga përbërja e legjislaturës aktuale.

“Seancat e fundit të Kuvendit ishin bizare, nga çdo pikëpamje, prandaj nëse nuk ndërmerret diçka e fort për ta "kthjellur" situatën, kësaj legjislature duhet t'i ndërpritet menjëherë mandati. Përndryshe, tash kur kanë hy në përdorim grushtet dhe është rrezikuar jeta e deputetëve, sepse ashpërsimi i kundërthënieve dhe mos durimet e skajshme mund të eskalojnë edhe më shumë dhe mund të ndodhin gjëra tepër të këqija”, ka thënë Zogaj.

Raportet ndërpartiake në pikën ekstreme

Ai është shprehur se, raportet ndërpartiake janë në pikën ekstreme dhe, nuk ka mundësi për vendime normale, sidomos, për tri problemet jetike: Demarkacionin, Asociacionin dhe Gjykatën Speciale, që shoqërinë kosovare ka ranë hedhur në gjendje kome!

“Partitë politike është shumë vështirë që të gjejnë gjuhë të përbashkët, nëse demarkacioni nuk ndryshon. As asociacioni nuk do të kalojë lehtë! Sa i përket Gjykatës Speciale ajo mbetet e vetmja shpresë e hapjes së "kutisë së pendores", sepse, supozohet se me aktakuzat që do të ngreh, do të ndodh shthurja e "sehireve" dhe sehirxhinjve që e kanë kapur shtetin e Kosovës. Kjo është drita në fundin e tunelit”, ka thënë Zogaj.

Image
Nexhat Haziri

Në anën tjetër, opinionisti Nexhat Haziri nuk mendon se kjo legjislaturë është më e dobët se e kaluara, por thekson se kjo legjislaturë është më e polarizuar.

“Nuk do të thosha se është legjislatura më e dobët, por do të thosha se është më e politizuar, madje e politizuar skajshmërisht aq sa ishte edhe legjislatura e kaluar, ndoshta për një shkallë më e lartë apo më shumë. Gjuha e ashpërsuar në mes deputetëve, mungesa e përgjegjësisë për fjalën e thënë publike, mendoj se ka polarizuar skenën politike që në fillim të kësaj legjislature duke kontribuar për një imazh egërshan të klasës politike në sytë e qytetarëve. Natyrisht se kjo jo vetëm që është e dëmshme për shoqërinë tonë, për kulturën e sjelljes politike, por mund të shpije edhe në dhunë, siç ishte incidenti mes deputetëve Krasniqi-Zeka”, ka thënë Haziri.

Ai, konsideron se kjo gjë do të jetë shqetësuese nëse veç vazhdohet me këtë klimë politike për ti trajtuar proceset e ndjeshme politike siç është demarkacioni dhe asociacioni, mund të pritet përshkallëzimi jo vetëm i fjalorit politik por edhe dhunës fizike.

“Kjo jo vetëm që do ta dëmtonte imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare por do ta mbajë peng edhe zhvillimin dhe perspektivën evropiane,” ka thënë Haziri.

Image
Faik Krasniqi

Demarkacioni, Asociacioni dhe Gjykata Speciale

Politologu Faik Krasniqi, ka thënë se kjo legjislaturë e Kuvendit po duket se do të jetë më e dobëta se legjislaturat e tjera, edhe pse legjislaturat e tjera kanë pasur performancë shumë të dobët nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, gjuha denigruese, fyerjet, sharjet dhe grushtet mes tyre, tregon që kjo legjislaturë do të jetë tepër e nxehtë, dhe këtë Kuvend janë duke e përdorur për interesa partiake dhe personale, e jo për interesa të qytetarëve prej të cilëve janë zgjedhur.

“Kjo gjuhë do të ashpërsohet edhe më shumë gjatë javëve në vijim, kur pritet të votohet Asociacioni, Demarkacioni, dhe fillimi i aktakuzave të para nga Gjykata Speciale. Kam frikë se do të kalojnë në dhunë më të madhe se grushtet në Kuvend, nëse nuk qetësohen gjakrat mes partive dhe deputetëve. Besoj që do të duhet të intervenojnë ndërkombëtarët për të mos lejuar skena të dhunës nga ana e deputetëve brenda dhe jashtë Kuvendit”, ka thënë politologu Kransiqi.

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq, analisti politik Blerim Burjani ka thënë se duke parë zhvillimet aktuale Kosova po vazhdon ngërçin politik dhe pamundësinë për të zgjidhë kushtet e përcaktuara nga Bashkësia Ndërkombëtare siç është demarkacioni.

Kosova e ngujuar

Ai ka thënë se meqenëse mandatari është ndërrua edhe qeveria ka mbetur me problemet e njëjta, të cilat janë ka e përshkojnë kuvendin dhe politikën e Kosovës.

Sipas tij, pikërisht për këto probleme Kosova ka mbetur e ngujuar nga kjo klasë politike.

“Në Kosovë  nuk ka lëvizje të lirë për gjithë qytetarët e saj pasi ky kuvend me shumë do të jetë i bllokuar se duke punuar. Mirë është që kalojë për marrëveshja e IPAS që mos të bëhet dëme qytetarëve sepse nuk ka gjë prej kësaj pune, pa bashkëpunim të opozitës së madhe sepse nuk ka asgjë prej temave si demarkacioni, e tjera pa konsensus nacional për disa tema në mes pozitës dhe opozitës, andaj edhe nuk ka funksionim të kësaj legjislature”, ka thënë Burjani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat