“Zbardhja e fakteve për Rikallon çon në rrëzimin e qeverisë”

Politika

“Zbardhja e fakteve për Rikallon çon në rrëzimin e qeverisë”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 20 tetor 2017 Në ora: 13:46
Ramush Haradinaj dhe Nenad Rikalo

Po bëhet një muaj që kur banorët e lagjes Dardania akuzuan publikisht ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikallo për torturim të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, por Prokuroria Speciale ende nuk ka marr vendim për fillimin e hetimeve ndaj këtij ministri të Qeverisë Haradinaj.

Zyrtarët e Prokurorisë Speciale të Kosovës që dy ditë nuk u janë përgjigjur pyetjeve me shkrim të gazetës kombëtare “Bota sot”, lidhur me atë se a kanë filluar zyrtarisht hetimet ndaj ministrit Rikallo pas intervistimit të banorëve  të cilët kanë hedhur akuza se janë torturuar nga ai.

Kurse, në përgjigjen e fundit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, të datës 29 shtator thuhet Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), nuk ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve kundër ministrit Rikallo, por ka kërkuar nga Policia e Kosovës, për sigurimin e informatave të nevojshme si dhe dëgjimin e dëshmitarëve etj.

Ndërsa analistët politikë në vend nuk përjashtojnë mundësinë se zvarritja e hetimeve nga ana e Prokurorisë Speciale bëhet si pasojë e ndërhyrjeve politike në sistemin e drejtësisë. Sipas tyre, gjetja e fakteve që dëshmojnë se Rikallo ka qenë i përfshirë në maltretimin e shqiptarëve çon në rrëzimin e qeverisë.

Në kabinetin qeveritar nuk kanë dhënë një përgjigje konkrete kur janë pyetur se cili është qëndrimi i qeverisë lidhur me deklaratat e analistëve dhe përfaqësuese të disa partive për ndërhyrje të mundshme të politikës tek institucionet e drejtësisë.

Ata në përgjigjjen dhënë gazetës “Bota sot”, kanë kërkuar të dinë kush dhe ku e ka thënë një gjë të tillë, por duke mos dhënë asnjë përgjigjje në pyetjet e dërguara nga gazeta.

Image
Jeton Kelmendi

Drejtësia e orientuar nga politika

Analisti Jeton Kelmendi thotë se sistemi gjyqësor është njëri ndër institucionet më të dështuara në vend.

“Mendoj se në Kosovë drejtësia është njëra nga shtyllat më të dështuara. Në fakt ndodhemi në një situatën më të brishtë të Kosovës dhe me shtyllat e tjera që funksionojnë shumë keq dhe e them me përgjegjësi të plotë se drejtësia në Kosovë është shtylla më e dështuar e të gjitha mekanizmave”, thotë për “Bota sot” analisti Jeton Kelmendi.

Ai thotë se mos fillimi i hetimeve ndaj Rikallos bën të dyshosh se drejtësia orientohet nga politika.

“Ko të bën të dyshosh se politika e fuqishme e orienton drejtësinë se çka duhet të bëj dhe kur duhet të filloj me të gjitha veprimet e saj. Prandaj edhe këtu jam shumë skeptik se do të filloj diçka në këtë drejtim për faktin se gjetja eventuale e fakteve se Rikallo është i involvuar në çfarë do forme në dhunimin e kujdoqoftë, sigurisht se do t’i kushtoj më rrëzimin e qeverisë”.

“Prandaj kjo qeveri është në gjendje për t’i përbir edhe dhunimet serbe në Kosovë vetëm për ta zgjatur pushtetin e vet. Kështu që jam skeptik se kjo drejtësi kaq e brishtë, me këtë politik kaq të pozojnë dhe kaq maskara politik që do të filloj të ushtroj drejtësi në vend”, shtoi Kelmendi.

Image
Nexhat Haziri

Drejtësia e ndikuan nga politika, qeveria e shantazhuar nga Lista Serbe

Edhe analisti Nexhat Haziri thotë se drejtësia në Kosovë është e ndikuar nga politika.

“Mos fillimi i hetimeve të prokurorisë për akuzat ndaj ministrit Nenad Rikallo, me anë të cilave fqinjët e vet në Prishtinë e akuzojnë për krime gjatë periudhës së luftës në Kosovë, është kryekëput e ndikuar si proces nga politika” thotë Haziri.

Sa përket qeverisë, Haziri thotë se ajo është e shantazhuar nga Lista Serbe.

“Kuptohet se kryeministri Haradinaj dhe Qeveria e Kosovës, jo vetëm në rastin e ministrit Rikallo, por edhe në procese të tjera që janë me rëndësi për Kosovën, do të jetë e shantazhuar nga Lista serbe, pasi kjo e fundit e ka në dorën e sajë jetëgjatësinë e kësaj qeverie”.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur edhe një interpelancë parlamentare për rastin Rikallo, të thirrur nga grupi parlamentar i LDK-së, por propozimi për shkarkimin e tij është hedhur poshtë nga deputetët shqiptar të koalicionit PANA dhe ata të minoriteteve me arsyetimin se institucionet kompetente të vendin nuk kanë fakte se ai ka qenë i përshirë në maltretimin e shqiptarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat