“Në vend të statujës së “ushtarit të panjohur sllav” në Gjilan, të vendoset përmendorja e Idriz Seferit”

Politika

“Në vend të statujës së “ushtarit të panjohur sllav” në Gjilan, të vendoset përmendorja e Idriz Seferit”

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 4 nëntor 2017 Në ora: 12:27
Statuja e “ushtarit të panjohur sllav” në Gjilan

Analisti politik Skender Zogaj i ka dalë në mbrojtje kryetarit aktual të Gjilanit Lutfi Haziri, i cili i ka marrë vendim për të hequr nga sheshi statujën e “ushtarit të panjohur”, që u vendos vitin 1945 nga ana e komunistëve serb pas riokupimit të Kosovës.

Zogaj, duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se kjo statujë është një simbol sllav që simbolizon riokupimin e Kosovës nga ana e Serbisë komuniste.

Image
Skender Zogaj

“Çështja e përmendoreve është problem shprehimor i regjimeve që, me rastin e sundimit të tyre në hapësira të caktuara, përpiqen që të etiketojnë edhe ambientin gjeografikë me sa më shumë shenja të vetat, sepse kjo është një nga mundësitë e shumta për t'ia imponua influencën e tyre të sundimit tek popullata. Përmendoret e luftëtarëve janë nga më të përdorshmet sepse paraqesin sprovën më provokuese të popullatës. Kështu ka qenë në të kaluarën dhe kështu po vazhdon të jetë edhe sot, sidomos në Gadishullin e Ilirisë, ku, disa popuj më lehtë e kanë të rrojnë pa bukë se sa pa përmendore, pavarësisht se çfarë paraqesin ato. Nga më banalet janë sidomos përmendoret përgjithësuese, që thonë gjithçka e asgjë njëkohësisht. Të këtilla janë përmendoret "ushtari i panjohur", që i hasim tek shumë popuj, e sidomos tek sllavët. Prandaj, unë mendoj se përmendorja "ushtari i panjohur" e vitit 1945 në Gjilan, është një përmendore koti, që nuk e ka asnjë vlerë për nën qiellin e Kosovës dhe traditën kulturo-historike shqiptare, pos tjerash edhe për faktin se është përmendore një rrëgjimi dhe për qëllime antishqiptare”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, në këtë vend duhet të vendoset përmendorja e heroit shqiptar, Idriz Seferi, i cili luftoi në mbrojtjen e trojeve shqiptare.

“Kryetar Lutfi Haziri bën fort mirë që e heq, sepse ajo nuk ka pse zë vend në qendër të një qyteti me ngjarje e personalitete të shumta e të jashtëzakonshme historike nga lashtësia e deri më sot.

"Ushtari i panjohur" duhet të shkojë tek e panjohura e tij, dhe aty të vendoset Idriz Seferi i mirë njohur dhe i adhuruar, i denjë për të gjitha kohët dhe në funksion krenarisë dhe të vlerave të gjithmonshme të vendit dhe të popullit të tij”, ka shtuar Zogaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat