Formimi i ushtrisë së Kosovës është një çështje mjaft me rëndësi për vendin, derisa Kosova vazhdon të ketë vetëm Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Shpesh është thënë që formimi i saj mund të zgjatë për vite e po ashtu që ajo po mbahet peng nga Lista Serbe.
Mirëpo, analisti politik Ali Hertica thotë se ushtria duhet të bëhet me veprime të caktuara, me fuqizim të kapaciteteve që i ka shteti i Kosovës
“Juridikisht janë të mundshme dhe të lejueshme dy mënyra për formimin e FAK-ut në Kosovë. E para, është me ndryshimet kushtetuese, duke bërë ndryshime dhe nëpërmjet të cilave formohet ushtria. Kjo formë e formimit është me votat e 2/3 të të gjithë deputetëve dhe me 2/3 e deputetëve jo shqiptarë, të minoriteteve. Formimin e tillë po e përkrah NATO dhe SHBA. Pra, kërkohet punë konkrete në këtë çështje, gjë që është shumë larg të formimit. Së dyti, është formimi i ushtrisë me ligj, pa bërë ndryshime kushtetuese e ku nuk kërkohen 2/3 e deputetëve dhe të minoriteteve, po vetëm shumica, 50 + 1% të deputeteve që votojnë”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.
Sipas tij, Lista Serbe nuk mund ta ndalojë formimin e ushtrisë dhe se ushtria nuk është kundër askujt që jeton në Kosovë.
“Me formimin e ushtrisë në Kosovë, ndryshimet kushtetuese dhe formimi i ushtrisë me ligj nuk do ketë shanse teorikisht që Lisa Serbe të ndalojë formimin e ushtrisë sepse formimi i saj mund të bëhet edhe pa pëlqimin e Listës Serbe. Kjo, sepse kjo parti është e ndikuar nga Beogradi, nuk duhet të pritet që të ndryshojnë mendim për këtë çështje dhe krerët e shtetit nuk duhet të hezitojnë për këtë hap drejt formimit të saj, sepse ushtria nuk është kundër askujt që jeton në Kosovë”, ka deklaruar Hertica.