EULEX nën ndikimin e politikanëve të “fuqishëm” në Kosovë!

Politika

EULEX nën ndikimin e politikanëve të “fuqishëm” në Kosovë!

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 22 nëntor 2017 Në ora: 14:59
EULEX

Kohë më parë në EULEX kishte shpërthyer një skandal kur prokurorja Maria Bamieh u shkarkua nga EULEX, pasi pati kritikuar kolegët e saj për marrje ryshfeti për të bllokuar raste të caktuara.

Ndërsa tani, përsëri ka ndodhur skandali i radhës, ku kryetari i dorëhequr i  Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, duke folur për median franceze “Le Monde”, ka përmendur rastet e korrupsionit brenda EULEX-it.

 “Javëve të fundit, kam raportuar disa raste korrupsioni brenda misionit. Në veçanti, kam ngritur çështjen e hakimit të e-mailit tim nga një tjetër gjyqtar i EULEX-it. Kam kërkuar nga Zyra Britanike për Marrëdhënie me Jashtë dhe BE-ja të dërgojnë rastin në polici. Të dyja refuzuan të më mbështesin”, ka thënë Simmons.

Ai ka vazhduar me akuza të tjera ndaj misionit, duke e cilësuar tërësisht politik.

“EULEX-i nuk është misioni i promovimit të sundimit dhe ligjit. Është një mision politik. Kushdo që mendon ndryshe, është naiv ose i marrë”, ka thënë Simmons.

Pas kësaj ka reaguar EULEX-i, duke sqaruar shkrimet në mediat franceze në lidhje me deklaratat e tashmë ish-gjyqtarit Malcolm Simmons.

Sipas një deklarate lëshuar nga ky mision gjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij.

“Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër”, thuhet në deklaratën e EULEX-it.

BE-ja dhe EULEX-i zbatojnë politikë të zero-tolerancës për sjellje të papërshtatshme dhe keq bërje, ndërsa të gjithë pjesëtarët e Misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre.

“Prandaj, të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga z. Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe, po ashtu, kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij, do të thotë në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet civile të PPSM të miratuara nga Këshilli në qershor 2016. Nga z. Simmons është kërkuar që t’i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, por – për fat të keq – ai këtë nuk e ka bërë ende”, thuhet në deklaratën e EULEX-it.

 Bytyçi: Të reagojë qeveria, EULEX i lidhur me politikanë të caktuar në Kosovë

Image
Enver Bytyçi

Lidhur me gjithë këtë, profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi thotë se ky lajm është i keq për Kosovën dhe se korrupsioni po shkatërron shpresën për të ardhme.

“Opinioni publik është njohur me deklarimet për gazetat angleze për korrupsionin e EULEX në Kosovë. Ky ishte një lajm shumë i keq për Kosovën dhe për vetë Bashkimin Evropian. Korrupsioni tashmë është një sëmundje që po shkatërron shpresën e të ardhmen e vendeve tona e të rajonit. Qytetarët në Kosovë e kudo po shohin se sa i dëmshëm është korrupsioni për mirëqenien e tyre, por edhe për shtetësinë në Kosovë”, është shprehur ai për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, nëse duan të shpëtojnë veten, BE dhe EULEX duhet të hapin proces hetimi të drejtë e serioz.

“Sikur të mos i mjaftonte kostoja e korrupsionit në sistemin e qeverisjes, qytetarët e Kosovës duhet të përballojnë edhe koston e korrupsionit në misionin e ashtuquajtur për ligj e drejtësi, të emërtuar EULEX. Brukseli dhe EULEX duhet të distancohen, të dënojnë ashpër dhe të hapin një proces hetimi të drejtë e serioz, nëse duan të shpëtojnë imazhin e tyre. Ndryshe ky mision është i komprementuar dhe i paaftë që të kryejë detyrën që i është ngarkuar. Kudo mund të ketë korrupsion, edhe në EULEX, por ajo që i dallon shtetet e misionet ndërkombëtare serioze nga jo seriozet është qëndrimi ndaj fenomenit dhe dënimi i të korruptuarve. Pikërisht kjo nuk po ndodh me EULEX dhe për këtë ai do të duhet të paguajë koston. Kostoja është rënia e kredibilitetit, por edhe refuzimi i bashkëpunimit nga ana e autoriteteve të Prishtinës me një institucion të korruptuar”, ka deklaruar më tej ai.

Ai thotë se për lajme të tilla, do të duhej të kërkonte shpjegime edhe qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës duhet të kishte një reagim, duhet të kërkonte shpjegime rreth këtyre njoftimeve. Nëse ajo nuk është vetë e korruptuar, nuk ka asnjë arsye të hezitojë për të kërkuar shpjegime, sepse korrupsioni në EULEX dëmton rëndë shtetin e së drejtës në Kosovë dhe gjithashtu interesat e kërkesat e qytetarëve të saj për drejtësi”, vlerëson profesori.

Bytyçi thotë se korrupsioni në EULEX është i lidhur me politikanë të caktuar në Kosovë, pasi ata lidhen dhe kështu ndodh korrupsioni.

“Sigurisht që korrupsioni në EULEX është i lidhur me korrupsionin në institucione të caktuara dhe politikanë të caktuar në Kosovë. Në korrupsion lidhen gjithmonë dy palë. Nëse mungon njëra palë, atëherë nuk ekziston as tjetra. Të korruptuarit bashkëpunojnë, madje i gëzohen bashkëpunimit, sepse sistemi i bashkëpunimit është rekrutimi. Nuk rekrutohen vetëm spiunë dhe kriminelë, rekrutohen edhe ata që kanë në gjak dëshirën për paligjshmëri dhe korrupsion. Paligjshmëria është tipari kryesor i korrupsionit. Kjo do të thotë gjithashtu se EULEX është gjendur në paligjshmëri, edhe pse ka ardhur në Kosovë për të ndihmuar për një shtet ligjor të së drejtës”, ka thënë Enver Bytyçi për “Bota sot”.

Gjoshi: Politikanët kanë futur duart edhe në misionet ndërkombëtare

Image
Adrian Gjoshi

Ndërsa, avokati Adrian Gjoshi thotë se deklarata e Simmons duhet të merret seriozisht dhe se në Kosovë deri tani nuk janë përmbushur nevojat për sundim t ligjit, nga asnjë mision i huaj.

“Deklarata e ish-udhëheqësit të gjykatësve të EULEX-it, z. Simmons, duhet marr me seriozitet. Në fakt, një deklaratë e tillë është në vijë me atë që veç ka qenë publike: EULEX-i nuk ka kryer punën e tij si duhet dhe është dyshuar e hetuar për korrupsion. Si vend me institucione të brishta vendore, kemi pasur nevojë për prani ndërkombëtare gjyqësore të pavarura dhe të paanshme. Në fakt, deri tani këto nevoja s'i ka përmbushur asnjë mision ndërkombëtar i sundimit të ligjit në Kosovë. Gjithë kjo ka ndikuar në humbjen e besimit qytetar se këto institucione ndërkombëtare do të sjellin rend dhe ligj”, është shprehur Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, përpos në gjyqësorin e Kosovës, duket se duart e politikanëve kanë pasur fuqi të futen edhe në misionet ndërkombëtare.

“Dihet prej kohësh se gjyqësori i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë imun nga ndërhyrjet politike. Mirëpo, pas skandaleve të fundit, fatkeqësisht, duket se duart e politikanëve tanë kanë pasur fuqi të depërtojnë edhe në misionet ndërkombëtare dhe regjionale të sundimit të ligjit”, ka deklaruar Gjoshi.

Abazi: EULEX të shkojë, është fole e njerëzve të korruptuar

Image
Haki Abazi

Ndërsa, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Haki Abazi e ka quajtur fole të njerëzve të korruptuar, misionin e EULEX-it.

Sipas tij, EULEX është i kontrolluar politikisht dhe duhet të largohet, pavarësisht se ka njerëz të mirë që punojnë aty.

“EULEX-i është një fole njerëzish të korruptuar, ide të korruptuara, mekanizma të padobishëm dhe mbrojtës të padrejtësisë. EULEX po shpenzon para nga taksapaguesit e BE për të ruajtur praninë e saj në Kosovë për të korrur nga elitat e korruptuara dhe për të ndjekur armiqtë e tyre politikë. EULEX-i është mision i kontrolluar politikisht, nuk ka qenë kurrë misioni i sundimit të ligjit në praktikë vetëm në letër. EULEX-i duhet të mbyllet menjëherë, të paketojë dhe të shkojë në shtëpi. Më vjen keq për njerëz të mirë që punojnë për EULEX-in, por duhet të shkoni edhe ju po ashtu”, ka shkruar Abazi në një postim në llogarinë e tij në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat