Cila është rruga për formimin e ushtrisë?!

Politika

Cila është rruga për formimin e ushtrisë?!

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 13 dhjetor 2017 Në ora: 14:54
FSK

Institucionet e Kosovës, ende nuk kanë ndonjë datë konkrete se kur Forca e Sigurisë së Kosovës, do të transformohet në ushtri.

Përkundër premtime më shumë se dhjetë vjeçare se Kosova do të formojë ushtrinë e saj, një gjë e tillë ende nuk kanë ndodhur.

E derisa Kosova të mos ketë ushtrinë, për sigurinë e qytetarëve do të kujdeset KFOR. Këtë e ka konfirmuar vet komandanti i KFOR-it, gjenerali  Salvatore Couci, i cili ka thënë se KFOR mbetet ushtria e vetme në Kosovë, që siguron paqen.

Duke folur për mediat serbe, Couci ka thënë se nëse Kosova dëshiron të transformojë FSK-në në ushtri, kjo duhet të bëhet përmes Kushtetutës.

 “Forcat e sigurisë e Kosovës nuk janë forcat e armatosura, ata reagojnë në rast të fatkeqësive natyrore. Ata janë të trajnuara mirë për këtë, por në qoftë se institucionet e Kosovës duan t’i  transformojnë në ushtri, ky është një proces i cili edhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s duhet të kryhet në përputhje me Kushtetutën. Në qoftë se Kosova vendos të ndërmerr hapa të mëtejshëm në procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura, atëherë duhet të rishqyrtohet qëndrimi i NATO-së ndaj KFOR-it “, ka thënë komandanti i KFOR-it, duke shtuar se tani në Kosovë nuk ka asnjë mision tjetër për të garantuar sigurinë.

Ushtria përmes ndryshimeve kushtetuese

Ndërkohë, në një përgjigje përmes postës elektronike, nga Qeveria e Kosovës, nuk është dhënë ndonjë afat kohor se kur mund të formohet ushtria. Mirëpo, Qeveria ka pranuar se ushtria do të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, në konsultim me aleatët strategjik dhe NATO-n.

“Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin për qasjen gjithëpërfshirëse në transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, pa kufizime kohore dhe përmes ndryshimeve kushtetuese, duke qenë në konsulta të përditshme me aleatët strategjik të Kosovës dhe NATO-n”, kanë thënë për gazetën “Bota sot”, nga Qeveria e Kosovës.

Nga ana tjetër, njohës të çështjeve të sigurisë, janë shprehur skeptik se formimi mund të ndodhë së shpejti. Ata konsiderojnë se klasa politike, ka bërë premtime për formimin e ushtrisë, vetëm për përfitime politike.

Image
Naim Miftari

Fajtor Thaçi

Ish-anëtari i UÇK-së dhe ish-anëtari i SHIK-ut Naim Miftari, ka thënë se komandanti Couci e din se presidenti Hashim Thaçi, nuk e ka seriozisht formimin e ushtrisë së Kosovës.

Ai ka fajësuar Thaçin se “për karrierë politike, ka shuar UÇK-në me marrëveshjen K-90/1999, duke i lënë ushtarët e UÇK-së, nën mëshirën e bandave dhe shërbimeve sekrete”.

“Sipas mendimit tim edhe komandanti i KFOR-it, italiani Salvatore Couci, e din mirë se politikanët tanë, sidomos presidenti, nuk e ka seriozisht formimin e ushtrisë, aq më pak presidenti, i cili për përfitime të veta materiale dhe për karrierë politike, e pat shuar tërë UÇK-në, me nënshkrimin e marrëveshjes K-90/1999, duke i lënë rrugëve ushtarët nën mëshirën e bandave dhe krimit të organizuar, por edhe nën mëshirën e shërbimeve sekrete, ku shpeshherë ish-ushtarët, ishin viktimë ose ishin edhe vrasës”, është shprehur Miftari për gazetën “Bota sot”.

Ai ka theksuar nevojën e formimit të ushtrisë së Kosovës, duke alarmuar se Serbia ka shtuar fuqinë ushtarake.

Miftari ka shtuar se donacionet e Rusisë dhe Bjellorusisë me armatim dhënë Serbisë, janë tregues se në Ballkan do të ketë tensione ushtarake edhe shumë kohë.

“Kosova duhet të ketë ushtrinë e pajisur e armatosur dhe përgatitur shumë mirë, pasi armiku, Serbia, e ka shtuar dhjetëra herë fuqinë ushtarake me armë që i merr më lirë ose donacion nga Rusia dhe Bjellorusia si aeroplan Mig 29 UMV, tanke T72.B, helikopter rus Mi 17, helikopter të blerë rishtas M-145 e raketa 300 Buk 2 . Kjo tregon se në Ballkan do të ketë tensione ushtarake edhe shumë kohë. Prandaj, ne duhet të kemi ushtrinë tonë të armatosur  jo forcë, jo trupa, por ushtri të vërtetë. Qe 18 vite rresht jetojmë me iluzione e me gënjeshtra se kinse TMK, pastaj FSK janë ushtri, por nuk janë. Ushtria duhet formuar me ndihmën amerikane , britanike dhe gjermane, por nuk duhet lejuar Listën serbe ta ketë fjalën dhe rolin kyq, kur dihet se kjo listë e Beogradit, do të jetë gjithmonë kundër Kosovës, që ne të kemi ushtri të fortë dhe të mirëfilltë”, ka thënë më tej ish-anëtari i SHIK-ut.

Miftari në fund ka thënë se ushtria duhet të formohet pa Listën serbe dhe pa presidentin Thaçi.

“Ushtria duhet të formohet, por jo me Listën serbe dhe presidentin tonë që bëhet patriot vetëm kur i duhet që ta shpëtojë veten nga dështimet e pas luftës”, ka shtuar Naim Miftari.

Image
Hajrullah Tërnava

Deklarata e Coucit, goditje ndaj armiqve të Kosovës

E eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, deklaratën e komandantit të KFOR-it, e ka cilësuar si satisfaksion për popullin e Kosovës, meqë sipas tij, qytetarët do të kenë rehatinë të sigurtë.

Sipas tij, deklarata e Coucit, është një goditje për armiqtë e Kosovës.

“E thënë e komandantit të KFOR-it, Salvatore Couci, se ushtria e KFOR-it është ushtria e vetme në Kosovë, është një satisfaksion për popullin e Kosovës, se deri ta kemi këtë ushtri të pranishme në Kosovë, do ta kemi rehatinë të sigurt. Kjo nuk do të thotë goditje, përkundrazi, me këtë deklaratë goditën armiqtë tanë, ata që kanë pretendime ndaj Kosovës, sikur që këshilltari i Millosheviqit që u deklarua para pak ditëve se në afat prej dy viteve, “do të kthejnë Kosovë të tërën, me forcat dhe armatimin që e posedon Serbia””, është shprehur Tërnava në një prononcim për “Bota sot”.

Ai ka theksuar se çlirimi i Kosovës ka ardhur falë ndihmës së SHBA-ve dhe të BE-së, duke vënë në pah rëndësinë e ndihmës së këtyre shteteve.

“Populli i Kosovës, duhet një herë e përgjithmonë ta ketë të qartë dhe ta kuptojë realitetin se pa ndihmën e ndërkombëtare si të Amerikës dhe të BE-së, Kosova nuk do të çlirohej kurrë. Dhe me vet faktin që ata na kanë çliruar dhe kanë bërë hargjime marramendëse në këtë luftë, e kuptueshme se edhe do të interesohen për ardhmërinë e Kosovës. A thua vendosja e forcave të Amerikës në Bonstil, a nuk është një dëshmi për këtë që thashë! Tjera të thëna propagandistike dhe ndryshe janë këto të thënat e politikanëe tonë se do ta formojnë ushtrinë”, ka thënë më tej eksperti i sigurisë.

Ai ka akuzuar edhe Qeverinë e Kosovës dhe politikanët për premtime politike lidhur me ushtrinë.

“Çfarë fondi financiar vjetor kanë institucionet dhe Qeveria e Kosovës për një vit? Sa mjete financiare duhet t’i kushtojë formimi i ushtrisë, a e ka llogaritur dikush? Me vet faktin se shteti i Kosovës ekziston dhe tash e gati 18 vjet është në funskion ashtu si është, edhe vitet në vitet në vijim, ky shtet do të ketë persektivën e saj dhe ecjen drejt institucioneve sikur që është OKB dhe NATO. Për këtë ecje, gjithnjë do ta kemi përkrahjen e ndërkombëtarëve, të atyre që na ndihmuan për t’u çliruar. Politikanët duhet t’i kryejnë punët e tyre dhe të interesohen më shumë për zhvillimin e jetës pluraliste dhe zhvillimin ekonomik, luftimin e korrupsionit e krimit të organizuar dhe dukurive negative, që e pengojnë zhvillimin e Kosovës si nepotizmi, mito, haraçi, etj, hapjen e vendeve të punës për të papunësuarit, përmes investitorëve të huaj. Edhe çështja e formimit të ushtrinë, gjithnjë duhet të mos harrohet, por për këtë çështje, gjithnjë duhet të bashkëpunohet me ata që garantojnë kufijtë e Kosovës, sikur që i shpjegova. Politikanët që japin premtime të mëdha për formimin e ushtrisë tash e sa vite, këtë e bëjnë për përfitimet e tyre politike dhe qëndrimin sa më të gjatë në pushtet, e sidomos para zgjedhjeve”, ka shtuar për “Bota sot”, Hajrullah Tërnava.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat