Shfuqizimi Speciales, Serbia me kushte të reja për dialogun me Kosovën - Bota Sot
Shfuqizimi Speciales, Serbia me kushte të reja për dialogun me Kosovën

Politika

E diel, 22 korrik 2018

Shfuqizimi Speciales, Serbia me kushte të reja për dialogun me Kosovën

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 5 janar 2018 Në ora: 09:03
Foto arkiv, bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel

Serbia mund të ndërpres bisedimet me Kosovën në Bruksel, nëse Kosova shfuqizon Gjykatën Speciale.

Këtë e ka paralajmëruar ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin, në një prononcim për mediat serbe, duke theksuar se Serbia, poashtu do të kërkojë nga Lista Serbe rrëzimin e Qeverisë së Kosovës.

Mirëpo, njohësit e çështjeve politike në vend, konsiderojnë se Gjykata Speciale nuk duhet të përzihet me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Image
Blerim Burjani

Loja politike e Serbisë

Duke komentuar deklaratën e Vulinit, njohësi i çështjeve ligjore Blerim Burjani, ka thënë se kjo është lojë politike e Serbisë. Sipas tij, dialogu nuk ka të bëjë me Gjykatën Speciale, pasi Kosova po negocion me palën serbe, përkundër krimeve të luftës.

“Kjo është një lojë politike serbe për të fituar avantazh në raport me ndërkombëtarët, asgjë më shumë. Kosova po negocion me Serbinë, përkundër problemeve të të pagjuturve, krimeve të luftës që ka bërë ajo ndaj Kosovës. Dialogu nuk ka të bëjë me Gjykatën Speciale e që Serbia nga kjo gjykatë asgjë nuk fiton. Prandaj, kjo çështje nuk ka të bëjë fare me gjëra të normalizimit të dialogut e as ndonjë kushtëzim për dialog, kur dihet që kjo gjykatë nuk është bërë për zbardhjen e disa rasteve sporadike të dyshuara”, është shprehur Burjani për gazetën “Bota sot”.

Ai ka shtuar se Kosova duhet të respektojë punën e kësaj Gjykate.

“Kosova duhet të respektojë punën e kësaj gjykate, duhet të bashkëpunojë me këtë gjykatë, që të zbardhë vrasjet”, ka përfunduar Blerim Burjani.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi: Kuvendi të zgjerojë kompetencat e Speciales

Ndërsa, juristi dhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Muhamet Kelmendi, deklaratën e ministrit serb, e ka quajtur politike.

Sipas tij, Kosova nëse nuk e shfuqizon Gjykatën Speciale, duhet së paku të ndryshojë Ligjin.

“Sa i takon deklaratës së Vulinit mbi ndërprerjen e bisedimeve, ajo është një deklaratë politike dhe fare pa reperkusione. Kosova kërkohet të ndryshoj së paku Ligjin, nëse nuk e shfuqizon. Me atë mendoj në zgjerimin e kompetencave të kësaj gjykate kundër të gjithë dhunuesve dhe terrorit serbomadh të bërë në Kosovë. Është ravizëm tipik veprimi i njëanshëm dhe një nacional”, është shprehur Kelmendi.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të zgjerojë kompetencat e Speciales, në mënyrë që të mos bëhet racizëm ndaj kombit shqiptar.

“Dhunë është bërë në Kosovë dhe natyrisht se duhet përgjegjësi. Por, kur është çështja e përgjegjësisë serbomadhe për dhunën, kemi dështime. Nga Vuçiqi e Daçiqi deri te polici më i thjeshtë, janë me mijëra vetë përgjegjës për dhunë e terror, për dhunime seksuale dhe dëbim të shqiptarëve dhe askush nuk është përgjigjur. Kjo e detyron Kuvendin e Kosovës të zgjerojë kompetencat e kësaj gjykate mbi bazën e kompetencave vendore të krimit. Nëse kështu nuk veprohet, kemi thjeshtë racizëm ndaj kombit shqiptar të gjenociduar nga qeveria serbomadhe e Beogradit. Shpresoj se Kuvendi do të veprojë”, ka pohuar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Thirrja e SHBA-ve, sinjal që të mos luhet me durimin ndërkombëtar

Edhe sipas publicistit Faik Krasniqi, deklarata e Vulinit nuk çon peshë. Mirëpo, duke folur për “Bota sot”, ai ka vlerësuar se  shfuqizimi i Gjykatës Speciale, është i rrezikshëm për Kosovën.

“Negociatat me Serbinë nuk kanë qenë kurrë të dobishme për Kosovën. Ato negociata më shumë i kanë shërbyer Serbisë për integrimet evropiane, dhe super të drejta për serbët e Kosovës. Nuk çon peshë se çfarë ka thënë kryeministri serb lidhur me Gjykatën Speciale, por shfuqizimi i Gjykatës Speciale që është votuar pikërisht nga këta deputetë që janë bërë ''pishman'' dhe po duan ta shfuqizojnë, do të ishte një aventurë e rrezikshme për Kosovën”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij, thirrja e Thirrja e SHBA-së që mos të preket Gjykata Speciale, është një sinjal i qartë se nuk duhet të luhet me durimin e ndërkombëtarëve.

“Edhe pse shumë e padrejtë dhe kjo Gjykatë është dashur të themelohej për Serbinë, liderët tanë e pikërisht Presidenti Thaçi ka pranuar për themelimin e kësaj Gjykate, dhe është votuar nga shumica e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Thirrja e SHBA-së që mos të preket Gjykata Speciale, është një sinjal mjaft i qartë. Prandaj nuk guxojmë të luajmë me durimin e miqve ndërkombëtarë, e sidomos me ata që na ndihmuan në ditët më të vështirë, pa të cilët Kosova s'do të bëhej as shtet dhe as që do të mund të ekzistojë”, ka shtuar Faik Krasniqi.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test