Shfuqizimi i Speciales, rreziku më i madh që prej viteve të 90-ta

Politika

Shfuqizimi i Speciales, rreziku më i madh që prej viteve të 90-ta

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 7 janar 2018 Në ora: 12:51
Gjykata Speciale

Deklarata e përbashkët e Shteteve të Kunitit lidhur me tentimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës është një mesazh i qartë që duhet të merret parasysh nga ana e krerëve më të lartë të shtetit të Kosovës.

Kjo për faktin se përmes kësaj deklarate, ambasadorët e këtyre shteteve u bëjnë thirrje deputetëve të Kuvendit që të heqin dorë nga kjo iniciativë që është e dëmshme për vendin.

 “Ftojmë të gjithë liderët e Kosovës dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë”, thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Më tej në këtë deklaratë thuhet se kushdo që e mbështet iniciativën për shfuqizimi e speciales vepron qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet e tyre.

Për këtë deputet të LDK-së dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se institucionet e Kosovës duhet të dëgjojnë deklaratën e miqve tanë ndërkombëtarë që janë sponzorizues të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e jo të lëshohen në aventura të tilla që e vëjnë në rrezik edhe pavarësinë e Kosovës.

Avdyli: Të dëgjohet deklarata e vendeve të Kuintit

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli në një prononcim për “Bota sot”, se thotë se vendet e Kuintit kanë dhënë një mesazh të qartë për institucionet e shtetit të Kosovës.

“Populli i Kosovës e ka arritur lirinë dhe pavarësinë me ndihmën e miqve ndërkombëtar. Kështu që deklarata e shteteve të Kuintit duhet të dëgjohet medoemos”, thotë Avdyli për “Bota sot”.

Ai shprehet kritik edhe me krerët e shteteve të Kosovës të cilët po thonë se shfuqizimi i speciales nuk i prish marrëdhëniet për ndërkombëtaret.

“Janë të pasinqerta deklaratat e partive në pushtet që po kërkojnë shfuqizimin e kësaj gjykate, e në anën tjetër po thirren në miqësinë me perëndimin”, thotë ai.

Haxhiu, shton se duhet të merret seriozisht kjo deklarata e vendeve të Kuinitet që institucionet e Kosovës mos t’i hyjnë aventurave që e dëmtojnë shtetësinë.

Opozita dyshon se prapa shfuqizimit të speciales qëndron Thaçi

Image
Glauk Konjufca

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca në një deklaratë për media ka thënë se subjekti i tij politik është kundër Gjykatës Speciale, por ai dyshon ë qëndrimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi lidhur me këtë çështje.

“Në anën tjetër jemi duke i konsideruar edhe lojërat politike që po bëhen për këtë çështje. Na duket i çuditshëm ky qëndrimi i PDK-së. Ishte vetë presidenti Thaçi që i dha shumë zor më të gjitha mjetet që Specialja të votohet, njëherë pati rënë, dhe Thaçi pastaj nëpër kafe i takonte deputetët për të votuar”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli mendon se këtu është i përfshirë vet Thaçi.

“Ne të gjithë e dimë që Hashim Thaçi për interesa personale një kohë e përkrahi këtë Gjykatë Speciale, e tash edhe pse asgjë nuk ka ndryshuar në specialen, ky e ndërroi diskursin dhe kjo tregon se ai është ven në interesa të tij personale”, thotë Avdyli.

Ai shtoi se Kosova nuk është interes i Hashim Thaçit, Kadri Veselit e Ramush Haradinaj.

Krerët e shtetit po duan ta prishin Kosovën me miqtë ndërkombëtar

Edhe analistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile thonë se ambasadoret e Shteteve të Kuintit kanë përcjellë një mesazh të qartë për krerët e institucioneve të Kosovës.

“Mendoj se ambasadat e Shteteve të Kuintit në Kosovë i dhanë një mesazh të fuqishëm kastës politike dhe krerëve të institucioneve që po duan ta prishin Kosovën me miqtë ndërkombëtar që janë sponsorizues të pavarësisë së Kosovës.”, thotë Kelmendi për “Bota sot”.

Ngjashëm me Kelmendin mendon edhe aktivisti i shoqërisë civile, Isuf Zejna.

Image
Isuf Zejna

“Po i rrezikojmë seriozisht raportet me miqtë ndërkombëtar që janë sponzorizues që na sollën lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës. ky është rreziku më serioz që e kemi pasur që prej viteve të 90-ta, kur Kosova veç është rreshtuar në krahun e këtyre vlerave të aleatëve”, thotë Zejna për “Bota sot”.

Ai thotë kjo është deklaratë më serioze që ndonjëherë e kanë bërë Shtete e Quinitit në Kosovë.

Por, sipas Zejnes krerët e shtetit nuk po i marrin parasysh këto deklarata.

“Pavarësisht porosive të njëpasnjëshme të ndërkombëtareve, liderët tanë si duket nuk po shqetësohen shumë dhe kjo po duket qartë se ata e kanë shumë seriozisht shfuqizimin e Gjykatës Speciale”, shtoi Zejna.

Shfuqizimi i Speciales rrezikon Pavarësinë e Kosovës

Image
Jeton Kelmendi

Analisti Jeton Kelmendi thotë se shfuqizimi i speciales e vë në rrezik serioz edhe pavarësinë e Kosovës.

“Një gjë duhet të thënë se kjo është shumë e rrezikshme, sepse Kosova është ende me dokumentin e Kombeve të Bashkuara që është rezoluta 1244, dhe në qoftë se deputetët e Kuvendit të Kosovës, njerëzit e para politikës të cilat kanë filluar e zhbëjnë formalisht këtë, do të aktivizohet rezoluta 1244 ku do të hyj në lojë edhe Rusia edhe mund të qoj deri në humbjen e Pavarësisë së Kosovës”, thotë Kelmendi.

Kurse, aktivisti Zejna thotë shfuqizimi i speciales është vendimi më i keq për Kosovën.

“Shfuqizimi i saj paraqet njërin ndër vendimet më të këqija që ndonjëherë mund të marr parlamenti i Kosovës. E para se po dilet kundër drejtësisë ndërkombëtar, sepse gjykatat njerëzit e pafajshëm nuk i  dënojnë dhe e dyta se po shkelen marrëveshjet ndërkombëtare”, shtoi Zejna.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat