Kryeministri milioner i shtetit më të varfër në Evropë

Politika

Kryeministri milioner i shtetit më të varfër në Evropë

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 8 janar 2018 Në ora: 09:06
Ramush Haradinaj me bashkëshorten e tij Anita Haradinaj, kanë pushuar në hotelin “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës, që është fshati më i vjetër turistik në botë

Duket se demarkacioni dhe shumë probleme tjera e lodhën aq shumë Ramush Haradinajn, sa që natën e ndërrimit të moteve e kaloi në njërin nga hotelet më të shtrenjta në Botë.

Kryeministri  i shtetit më të varfër në Evropë-Kosovës, zgjodhi hotelin “Carlton” në Sant Moritz të Zvicrës, që është fshati më i vjetër turistik në botë, për t`i kaluar pushimet dimërore.

Aty kryeministri i Kosovës së bashku me bashkëshorten e tij Anitën, tre fëmijët dhe djalin e vëllait të tij Davidin, qëndroi që nga 25 Dhjetori deri me datën 03 Janar.

Një natë qëndrimi në hotelin superiorë me 5 Yje në Zvicër, më 31 Dhjetor ka kushtuar hiq me pak se 5 mijë e 500 Franga, ndërsa fëmijët e kryeministrit kanë qëndruar në një suite Komode të quajtur “Cezar” me hapësirë 160 m2 me çmim 5.100.00 Franga.

Kjo suite ka pamje panoramike mbi Liqenin e Shën Moritz dhe Alpeve Zvicerane dhe banjo me përbërje mermerë e granit.

Në kohën e pushimeve të vitit të ri, çmimi i kësaj suitë ka qenë 40 mijë e 600 franga,  për gjithsej 9 ditë sa ka qëndruar kryeministri.

Kjo qeveri nuk ka jetë të gjatë, andaj po e shijon luksin dhe shfrenimin. Kështu vlerësojnë deputetë të opozitës dhe njohës të rrethanave politike në vend.

Driton Selmanaj: Ky është vetëm fillimi i absurditetit të Haradinajt

Image
Driton Selmanaj

Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës Driton Selmanaj, ka thënë për gazetën “Bota sot” se  të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me shpenzimin e parasë publike ne Kosovë, që nga marrja e mandatit janë absurditet.

“Duke filluar që nga falja e borxheve, pastaj nga vlerat që i rriti pagat vetes dhe stafit te tij e tashmë pushimet e tij luksoze, janë vetëm disa logjika që ka instaluar ky kabinet qeveritar, për te abuzuar me çdo cent të taksapaguesve të Kosovës.

Duke e pasur parasysh se çdo vendim që ka marrë me buxhetin  e Kosovës, nuk është çudi, që ky person nuk mërzitet për këto tema, ai është i gatshëm që gjithçka që lidhet për kurriz të taksapaguesve ta realizojë për interesat e tij personale. Ky është vetëm fillimi i qasjes se tij sepse nuk ka mu ndal me absurditete, me kulture abuzuese, me keqpërdorime të të gjitha segmenteve qe ai i ka në fuqi për të vendosur” ka përfunduar Selmanaj.

“Haradinaj  i ka kaluar limitet e çdo politikani”

Image
Drita Millaku

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Drita Millaku ka thëne për “Bota sot” se përderisa Haradinaj ia ka ngritur rrogën vetes për ta arritur luksin e vetë, nuk pritet diçka më e mirë nga ai.

“Pushimet bëhen vetëm një herë apo dy në vit, por rrogën dhe beneficionet e tij të përditshme, janë shume më të dëmshme se sa pushimet. Ne e konsiderojmë se në këtë rast nuk është vetëm rritja e rrogave, por të gjitha prioritete kryesore që Haradinaj i ka pasur premtime në fushatë, e të cilat asnjëra prej tyre nuk ka ardhur në shprehje për tu realizuar, këto janë më të rrezikshme se sa pushimet. Konsiderojë se apetitet e tij për të ardhur në pushtet është vetëm ti ngirsë standardet e veta, edhe për kundër që e dinë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve luksin e familjes Haradinaj, se si jetojnë fëmijët e Hardinaj ,si ka jetuar dhe si pretendon që krejt këtë  ta lë trashëgimi.

I vetmi prioritet i kryeministrit është ti plotësojë kushtet vetës, dhe duke e pasur parasysh që të  gjitha të ardhurat e familjes Haradinaj janë mbi 10 mijë euro në muaj, kështu që nuk na vjen çudi as juve e as neve që ai ka një luks të tillë. Rezultat i kësaj është që edhe vetë Ramush Haradinaj luftën e ka bërë vetëm për me arritur në këtë pozitë. Duke e pasur parasysh pushimet e tij, Haradinaj  i ka kaluar limitet e çdo politikani, madje edhe të politikanëve që i drejtojnë shtete më të zhvilluara në bota” ka përfunduar Millaku.

Analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë për gazetën  “Bota sot” se kjo është një shkëputje e politikës nga realiteti.

Image
Faton Mehmeti

“Në një shtet me demokraci të konsoliduar dhe ku marrja e përgjegjësisë është në nivel të lartë, një kryeministër do të jepte dorëheqje nëse do të bënte skandal si ky i z.Haradinaj. Pushimet në vendin më të shtrenjtë në botë, me popullin më të varfër në Evropë është non sens dhe rrjedhimisht tregon shkëputjen e politikes nga realiteti. Çdo ditë e më tepër Haradinaj po tregon se nuk është njeriu i duhur për të udhëhequr vendin, me arrogancën e tij dhe me luksin e shfrenuar vetëm sa po e varfëron buxhetin e vendit. Mbase z.Haradinaj është i vetëdijshëm se kjo qeveri nuk ka jetë të gjatë, andaj edhe po e shijon deri në maksimum luksin dhe shfrenimin, gjithsesi kjo qeveri po shfaqet më e dobëta që nga pas lufta. Luksi i z.Haradinaj nuk është normal, krejt jashtë normave etike kur dihet se populli po vuan me të madhe për varfëri” ka përfunduar Mehemti

Jetojmë në dy universe kompletë të ndryshme

Image
Dimal Basha

Ndërkaq, analisti politik Dimal Basha ka thënë për gazetën “Bota sot” se pushimet, pagat dhe luksi i pushtetarëve është indikacioni më i mirë që qytetari dhe qeveritari në këtë  vend jetojnë në dy universe komplet të ndara prej njëra tjetrës.

“Në njërin univers gjendet qytetari i izoluar, derisa në tjetrin kemi z. Haradinaj me kolegë, që vazhdojnë të fluturojnë lirshëm nëpër botën e luksit”, është shprehur Basha për gazetën “Bota sot”.

Hoteli “Carlton” është i ndërtuar në vitin 1913 dhe gjendet në fshatin turistik “Shën Moritz”  që është fshati turistik më i shtrenjtë në Botë. Ai përmban 60 Suita që janë të gjitha me pamje nga liqeni piktoresk Shën Moritz .Ky hotel ka një mori çmimesh të fituara.

Haradinaj pak kohë para se të nisej për pushim ja rriti rrogën vetes nga gjithsej 1500 që e kishte, në 3900 Euro. Ai gjithashtu u ankua se han bukë të ftoftë, në këmbë e veturë dhe ky ishte privilegji i të qenit kryeministër. Veprimi i tij u kundërshtua nga opozita dhe shoqëria civile.

Ndryshe, në një deklaratë publike, Ramush Haradinaj është shprehur se pushimet e tij kanë kushtuar 7 mijë euro për tre ditë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat