Tahiri flet për dorëheqjet në Vetëvendosje, tregon shkaqet që sollën këtë situatë

Politika

Tahiri flet për dorëheqjet në Vetëvendosje, tregon shkaqet që sollën këtë situatë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 8 janar 2018 Në ora: 22:57
Ramush Tahiri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, dha dorëheqje nga të gjitha postet në këtë parti ditë më parë. E dorëheqjen që e nisi i pari i partisë, e vazhduan edhe anëtarë të tjerë të kësaj partie. Aida Dërguti ishte ajo para Ymerit, e më pas Dardan Sejdiu, Shqipe Pantina, Driton Çaushi, Zgjim Hyseni dhe së fundmi edhe Faton Topalli.

E për të gjitha dorëheqjet në këtë parti, politologu Ramush Tahiri mendon se transformimi në këtë parti po ndodhë kur VV ka arritur kulmin e saj, por që një gjë e tillë kishte filluar brenda saj para dy vitesh.

“Lëvizja Vetëvendosje po përjeton një transformim në fazën e saj të zhvillimit kur është bërë partia e parë në Kosovë dhe kur duket që ka arritur kulmin e saj të zhvillimit, përkatësisht të rritjes. Pa marrë parasysh a është shtytje e jashtme apo është shtytje e brendshme apo janë gërshetim i të dyjave në Vetëvendosje si parti politike tash kemi ndarje konceptuale apo parimore apo ideologjike, gjë të cilën edhe po e theksojnë disa nga të dorëhequrit, duke u deklaruar si socialdemokrat me bindje. Dorëheqjet bëhen si një veprim presioni publik dhe animim i opinionit brenda dhe jashtë Vetëvendosjes. Duket se një kundërshtim apo një luftë fraksionesh kishte vepruar së paku tash e dy vjet brenda gjirit të Vetëvendosjes”, është shprehur ai për “Bota sot”.

Ai flet edhe për shkaqet që mund të kenë sjellë këtë situatë.

“Shkaqet mund të jenë ardhjet apo prurjet në Vetëvendosje që nuk u përcollën me ndryshime në platformë dhe në veprim dhe nuk u bënë pjesë e dokumenteve bazike të lëvizjes Vetëvendosje, por ato rezultuan me veprime të aty për atyshme, që shprehën në zgjedhje komunale por edhe në ato qendrore, duke i dhënë meritën individëve apo grupeve e duke mos e lidhur me konceptin e deriatëhershëm të Vetëvendosjes”, ka vlerësuar Tahiri.

Sa i përket kahjet e ardhshme, ai thotë se do të shihet nga zgjedhjet dhe se do të mblidhen rreth Albin Kurtit sërish.

“Si do që të jetë, zgjedhjet brenda Vetëvendosjes do të përcaktojnë kahjet e ardhshme të kësaj Lëvizjes. E sigurt se do të mblidhen rreth Albin Kurtit edhe një herë. A do ta mbajë e a do ta rris Vetëvendosjen ne zgjedhjet e ardhshme parlamentare, kjo do të shihet së shpejti. Duket sheshazi se të dorëhequrit nuk shohin vend në këto zgjedhje partiake dhe në këtë koncept të Vetëvendosjes”, ka thënë ai.

Sipas politologut Tahiri, sa i përket ndarjes së mundshme të Grupit Parlamentar të VV-së, do të dihet brenda dy muajve, por që ka raste për ndarje të tilla që janë bërë.

“A do të rrinë së bashku si deputetë dhe si grup parlamentar i ri apo i vjetër apo do të krijojnë një parti të re socialdemokrate apo disa deputetë do t’i bashkohen disa partive ekzistuese kjo do të dihet brenda këtyre dy muajve. Përpjekjet për mbajtje me çdo kusht nga frika e përçarjes duket se nuk sjellë asgjë sepse dallimet më nuk mund të fshihen dhe nuk mund të mbështillen si unitet në politikën e Vetëvendosjes. Kjo u ndodhi të gjitha partive, disa prej të cilave u shuan nga skena e disa mbijetuan një ose dy mandate e disa duken të suksesshme dhe në koalicion me partinë që u ndanë, di është rasti i Nismës për dallim të ORA-s, LDD, FER it etj. Interesant është edhe përvoja e partitive të minoriteteve, ndonjëherë u transformuan me të njëjtit njerëz”, ka deklaruar politologu Ramush Tahiri për “Bota sot”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat