A rrezikon të formohet Gjykata Speciale nga OKB-ja?

Politika

A rrezikon të formohet Gjykata Speciale nga OKB-ja?

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 9 janar 2018 Në ora: 07:15
Ilustrim

Tentativa për të shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale që u bë në natën e 22 dhjetorit, vazhdon të jetë aktuale si në mediat vendore, ashtu edhe në ato ndërkombëtare që kanë raportuar për këtë.

U raportua që nëse kjo gjykatë shfuqizohet, OKB do të formojë një tjetër gjykatë në vend të Speciales.

E për gjithë këtë, për gazetën “Bota sot”, ka folur hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës, Artan Murati.

Gjykata Speciale nuk do të zhbëhet

Ai thotë se nuk duhet të shfuqizohet ligji për Specialen, por që edhe po të ndodhë kjo, Gjykata Speciale nuk do të zhbëhet, pasi pamundësohet ndryshimi i Kushtetutës.

“Mendoj se Ligji për Specialen nuk do të duhej të shfuqizohej, sepse edhe nëse ndodhë një gjë e tillë, kjo nuk do ta zhbëjë Gjykatën Speciale. Tanimë besoj se është fakt i njohur për të gjithë se duhen edhe ndryshime kushtetuese për të bërë një gjë të tillë, e po ashtu është i njohur edhe qëndrimi i pakicës serbe rreth Speciales, që në njëfarë mënyre e pamundëson edhe ndryshimin e Kushtetutës. Kuvendi i Kosovës ka mundur të mos e miratojë fare këtë ligj në 2015, mirëpo atëbotë deputetët u përballën me presion të vazhdueshëm vetëm për ta miratuar këtë ligj”, është shprehur Murati për “Bota sot’.

Image
Artan Murati, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës

Sipas tij, mund të formohet gjykata nga OKB, që duhet nisma e një shteti dhe që ka mjaft shtete që duan të ndërmarrin një hap të tillë.

“Formimi i kësaj Gjykate nga OKB është i mundur, dhe kjo mund të procedohet përmes procedurave standarde në OKB. Normalisht, duhet një shtet anëtar për të iniciuar këtë nismë dhe fatkeqësisht ka një numër të konsiderueshëm të shteteve të cilat mezi nuk presin të ndërmarrin këtë hap”, ka deklaruar më tej ai.

Murati thotë se thirrja nga vendet e Quintit duhet të merret seriozisht nga liderët e shtetit dhe të mos vihet në rrezik miqësia me SHBA-në.

“Thirrjen nga Ambasadorët e Kuintit e shoh si shumë serioze, por të sinqertë. Mendoj se liderët tanë politik duhet të reflektojnë mbi këtë çështje, dhe nuk do të duhej që për asnjë moment ta vënë në rrezik miqësinë me SHBA-në dhe shtetet tjera mike”, ka përfunduar hulumtuesi Artan Murati nga KDI për “Bota sot”.

Prishja e raporteve me SHBA-në dhe vendet mike

Ndërsa, avokati Tomë Gashi thotë se para se të formohej Gjykata Speciale, Hashim Thaçi kishte thënë se nëse nuk votohet, një e tillë do të formohej nga OKB.

“Kjo ka filluar nga viti 2015, atëherë kur nga zyrtarë të partive të caktuara politike, përkatësisht nga presidenti i PDK-së, Hashim Thaçi, është thënë se nëse Kosova nuk e voton gjykatën speciale, nëse Kosova nuk formon një gjykatë të tillë e që e njëjta është formuar me 3 gusht të vitit 2015, do të formohet nga OKB”, ka thënë ai.

Sipas Gashit, OKB nuk do të formojë kurrë një gjykatë të tillë, por që do të formohej një gjykatë tjetër.

“Ne nuk kemi njohuri konkrete se a mund të bëhet kjo apo jo, por besoj se OKB-ja nuk do të formojë kurrë një gjykatë të tillë, për shkak se do t’i shkatërronte themelet e formimit të OKB-së. Nuk do të formonte gjykatë të tillë ku do të përndiqeshin vetëm shqiptarët apo luftëtarët e UÇK-së, ndërsa është e mundshme që të formohet një gjykatë ku do të ndiqeshin penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime të rënda apo krime lufte në Kosovë, pa marrë parasysh etninë e tyre qoftë shqiptar apo kushdo tjetër që të jetë. Sido që që të jetë kjo është vetëm një kërcënim që është përmendur por detajet mbetet të shihen”, është shprehur avokati Gashi për “Bota sot”.

Image
Avokati Tomë Gashi

Ai thotë se tashmë janë penduar për votimin e speciales dhe duan ta shfuqizojnë, por që mbetet të deklarohen për pozicionet e ndërruara nga zyrtarët e shtetit dhe se një shfuqizim i mundshëm do të prishë raportet Kosovë-SHBA.

“Mbetet që zyrtarët shtetërorë, që eventualisht kanë pasur njohuri të tilla, që të deklarohen tani meqenëse i kanë ndërruar pozicionet. Ata të cilët kanë bërë presion të formohet gjykata speciale në vitin 2015 tashmë i kanë rënë pishman dhe janë duke tentuar në çdo mënyrë që ta zhbëjnë gjykatën speciale, e cila nëse ndodhë me siguri që do t’i ftohte apo do t’i prishte raportet e Kosovës me SHBA-në dhe shteteve të Bashkimit Evropian, të cilat e kanë përkrahur pavarësinë e Kosovës”, ka përfunduar Tomë Gashi për “Bota sot”.

 Mund të formohet Gjykatë Speciale nga OKB-ja

Në anën tjetër, avokati Ardian Gjoshi mendon se nuk duhet shfuqizuar ligji për Specialen dhe është e njëjta që është votuar në 2015, por që ka ndryshuar vetëm disponimi politik.

Image
Avokati Adrian Gjoshi

 

“Gjykata Speciale mund, por nuk duhet shfuqizuar. Vendi ynë ka marrë obligim ndërkombëtar për trajtim ndërkombëtar të pretendimeve të dala nga Komisioni për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, apo siç njihet ndryshe 'Raporti i Dick Martit'. Ligji për Gjykatën Speciale është po i njëjti që është votuar në 2015; kjo gjykatë ka po të njëjtin mision, organizim dhe funksionim që kishte kohë më parë. E vetmja gjë që ka ndryshuar është disponimi politik”, ka deklaruar Gjoshi.

Sipas tij, edhe nëse zhbëhet ligji për Specialen, do të formohet një gjykatë nga OKB.

“Pas daljes së raportit të Dick Martit, vendi nuk mund t'i shpëtojë një gjykimi ndërkombëtar. Sepse edhe nëse do të zhbëhej kjo gjykatë, brenda një periudhe të shkurtër kohore do të krijohej një gjykatë me mision të njëjtë nga Këshilli i Sigurimit OKB-së. Përfundimisht, shfuqizimi i GJS do të ishte papjekuri dhe nonsens i paparë”, ka përfunduar Ardian Gjoshi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat