Kosova përveç izolimit, në rrezik të humbë edhe aleatët kryesorë!

Politika

Kosova përveç izolimit, në rrezik të humbë edhe aleatët kryesorë!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 janar 2018 Në ora: 08:33
Ilustrim

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka ripërsëritur qëndrimin e tyre lidhur me nismën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Delawie në një intervistë për “Bota sot” ka thënë se ka qenë i indinjuar nga përpjekja për shfuqizimin e ligjit, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara nuk e përkrahin këtë, apo çfarëdo përpjekje tjetër për minimin e bashkëpunimit me gjykatën.

“ Nëse mund të filloj duke thënë se isha i indinjuar nga përpjekja e 22 dhjetorit, e së premtes, për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale. Shtetet e Bashkuara nuk e përkrahin këtë apo çfarëdo përpjekje tjetër për minimin e bashkëpunimit me Gjykatën, gjë që mendoj se është thelbësore sepse ajo sjellë drejtësi për viktimat e krimeve të luftës dhe tregon gatishmërinë e Kosovës për t’u bërë anëtare e plotë e bashkësisë ndërkombëtare. Ishte e qartë se ky proces, i cili u udhëhoq nga disa individë, u ndërmor në fshehtësi në mënyrë që t’i iket shqyrtimit të kujdesshëm nga opinioni i Kosovës dhe miqtë e saj ndërkombëtarë. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer në cilindo që do të sakrifikonte interesin e shtetit të tij për të promovuar interesat personale të tij”, ka thënë Delawie për “Bota sot”.

Image
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Griew Delawie

Ai ka theksuar se ata që qëndrojnë pas kësaj përpjekjeje ata do t’i shohin si bashkëfajtorë në çfarëdo tentimi të mëtutjeshëm për të shfuqizuar apo ndryshuar Ligjin, apo për ta minuar përkushtimin e Kosovës ndaj Gjykatës në çfarëdo mënyre.

Njëjtë ka pohuar edhe ambasada e tyre, duke thënë se udhëheqësit e Kosovës e kanë gabim kur thonë se iniciativë lidhur me Gjykatën Speciale, e ndërmarrë në Kuvendin e Kosovës, nuk do të dëmtojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

“Ata e kanë gabim. Çfarëdo përpjekje e tillë e përsëritur do të kishte pasoja të thella negative për të ardhmen evropiane të Kosovës dhe për marrëdhënien e saj me Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu, kërcënimet me dhunë janë tërësisht të papranueshme, dhe qartësisht dhe pa mëdyshje ato duhet të hidhen poshtë nga Qeveria. Jemi jashtëzakonisht të dëshpëruar me ata që do të sakrifikonin të ardhmen e shtetit të tyre dhe përkrahjen e patundur të Shteteve të Bashkuara në favor të interesave të tyre personale”, thuhet në deklaratë e ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Gjersa, Qeveria dhe Presidenca nuk kanë dashur të prononcohen lidhur me këto paralajmërimet e ndërkombëtarëve, analistët politikë pohojnë se iniciatorët nuk do t’i marrin parasysh paralajmërimet e tyre.

Rast i veçantë

Analisti politik, Arbër Gashi ka thënë për “Bota sot” se shfuqizimi i Gjykatës Speciale, nuk është punë që bëhet aq lehtë.

Sipas Gashit, forma se si është miratuar Gjykata Speciale nga Kuvendi i Kosovës, është rast i veçantë, mirëpo si shoqëri dhe shtet Kosova ka pasur nevojë për themelimin e Gjykatës për krime të luftës.

Image
Analisti politik, Arbër Gashi

“Shfuqizimi i Gjykatës Speciale nuk është punë që bëhet aq lehtë siç mund të mendojnë të interesuarit për ta bërë një gjë të tillë dhe nuk do të ishte punë e mençur nëse vendosin të konfrontohen me bashkësinë ndërkombëtare për këtë çështje, sepse, sipas mendimit tim, ky do të ishte hapi i fundit drejt humnerës tonë kolektive. Nëse rastësisht ju kujtohen prononcimet e mija, unë kam qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale dhe këtë e kam bërë disa herë të qartë edhe përmes prononcimeve në shtyp te e përditshmja kombëtare “Bota Sot”, por edhe te mediumet tjera. Pa asnjë mëdyshje, Gjykata Speciale, në formën siç është miratuar nga Kuvendi i Kosovës përbën një rast të veçantë edhe në të drejtën ndërkombëtare. Realisht, ne si shoqëri dhe si shtet kemi pasur nevojë për themelimin e Gjykatës për Krime të Luftës, por, meqenëse kjo nuk ndodhi për shkak të interesave politike të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe protagonistëve të tjerë në skenën politike, bashkësia ndërkombëtare u detyrua të intervenojë dhe përmes presionit ia arriti qëllimit të nxjerrë votën miratuese të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për themelimin e Dhomave të Specializuara”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”.

Sipas tij, duhet jenë kundër shfuqizimit të Gjykatës Speciale, për arsye se me themelimin e saj shteti ka marrë përgjegjësi ndërkombëtare.

“ Ne si qytetarë dhe veteranë të luftës, nuk duhet të harrojmë dhe nuk guxojmë të harrojmë për asnjë moment, se protagonisti kryesor që e përdori me të madhe edhe presionin politik, duke e mundësuar kështu themelimin e Gjykatës Speciale, është Hashim Thaçi, aktualisht ushtrues i detyrës së presidentit. Prandaj, nëse atëherë kur është dashur të jemi, kemi qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale, sot, kur po kërkohet shfuqizimi i saj, ne duhet ta bëjmë të kundërtën, për arsye se me themelimin e saj, shteti ka marrë përgjegjësi ndërkombëtare, të cilat duhet t’i zbatojmë pa kundërshtime”, ka shtuar Gashi.

Kosova në rrezik të humbë aleatët kryesorë

Gjersa, ambasadori Delawie ka thënë se çfarëdo përpjekje për shfuqizimin e Gjykatës Speciale do të kishte pasoja të thella dhe specifike për Kosovën, për të ardhmen e saj evropiane, dhe për marrëdhëniet e saja me Shtetet e Bashkuara, politologu Mentor Tahiri thotë se iniciatorët nuk po i marrin këto parasysh.

Sipas Tahiri, me mundësinë e shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale, Kosova rrezikohet jo thjesht nga izolimi, por edhe përtej kësaj humbë aleatët kryesorë ndërkombëtarë.

Image
Analisti Mentor Tahiri

“Duket se iniciatorët për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, janë të vendosur në synimin e tyre. Mund të spekulohet se për çfarë arsye po ndodhë kjo, sikur që mund të spekulohet qoftë për natyrën private apo politike të kësaj përpjekjeje. Sidoqoftë, tani është e qartë se iniciatorët nuk po marrin parasysh paralajmërimet ndërkombëtare. E njëjta situatë ishte edhe në fund të dhjetorit, përkundër reagimit të ambasadorit amerikan dhe atij britanik, të cilët qartë transmetojnë qëndrimet e administratave që përfaqësojnë, e vetmja gjë që pengoi shfuqizimin e Gjykatës Speciale ishte mungesa e votave në Kuvend. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme, po rrezikohet jo thjesht izolimi i vendit, por përtej kësaj po rrezikohet të humbën aleatët kryesorë ndërkombëtarë, aleanca me të cilët është jetike për shtetin e Kosovës”, ka nënvizuar Tahiri për “Bota sot”.

Dëmi që mund t’i bëhet Kosovës

Ndërkaq, analisti politik Nexhat Haziri, ka thënë se deputetët pavarësisht subjektit politik duhet t’i vendosin interesat e Kosovës dhe kështu t’i marrin parasysh reagimet e administratës amerikane.

Sipas Hazirit, në rast se deputetët vendosin kundër atëherë do t’i bëjnë dëm Kosovës, së cilës do t’i duhej kohë e gjatë për riparim.

Image
Analisti Nexhat Haziri

“Shpresoj që deputetët pa marrë parasysh se cilit subjekt politik i takojnë, t’i thërrasin arsyes dhe në vendin e parë t’i vendosin interesat e Kosovës që do të thotë t’i marrin parasysh reagimet e administratës amerikane për të mos votuar ligjin që e shfuqizon Gjykatën Speciale. Në të kundërtën këta deputetë do t’i bënin një dëm të madh Kosovës që më pas do të kërkonte një kohë të gjatë dhe mund të madh për ta riparuar dhe në anën tjetër do i bënin një shërbim të madh Serbisë dhe gjithë kundërshtarëve të shtetit të Kosovës. Po ashtu ky veprim i liderëve shtetëror të Kosovës do ta sfidonin edhe Amerikën që do t’i vënin në një situatë delikatë marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-së. Do të doja të besoj se deputetët janë të vetëdijshëm për situatën në të cilën ndodhet Kosova  dhe se ata përpara fatit të disa individëve do të mendojnë për fatin e Kosovës dhe të ardhmen e saj”, ka pohuar Haziri.

Ndërsa edhe pse është paralajmëruar që Ligji për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, do të tentohet përsëri pasi Kuvendi të kthehet nga pushim dimëror, më 15 janar, gjatë ditës së djeshme, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli ka dhënë shenja “tërheqjeje” nga nisma për shfuqizimin e Speciales. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat