Sfida e radhës për Kosovën në fushën e integrimeve

Politika

Sfida e radhës për Kosovën në fushën e integrimeve

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 9 janar 2018 Në ora: 13:16
Kosova dhe BE

Qeveria e Republikës së Kosovës është e destinuar të dështoj edhe sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ngjashëm më atë para dy vjetëve në UNESCO.

Kjo për faktin se për tu bërë anëtar në këtë instancë ndërkombëtare, Kosovës i nevojiten dy të tretat e votave të shteteve anëtare në këtë organizatë.

Në mbledhjen e parë të ekzekutivit për vitin 2018, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behxhet Pacolli ka njoftuar kabinetin qeveritar me përgatitjet që janë duke u zhvilluar për aplikim dhe anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Madje, ai ka bërë të ditur se është themeluar një grup punues nga ekspert të ministrisë dhe ekspertë nga shoqëria civile që do të përgatisin një plan të veprimit për institucionet e Republikës së Kosovës.

Nevojiten dy të tretat e votave për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe njohës të marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se anëtarësimi në këtë organizatë ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm.

“Anëtarësimi në organizata  ndërkombëtare është një formë e fuqizimit të shtetësisë së një vendi, andaj çdo shtet dëshiron të jetë pjesë e organizatave rajonale, kontinentale ose ndërkombëtare, andaj edhe Kosova këtë e ka si qëllim primar”, thotë për “Bota sot”, Lirim Zorra ligjërues në Kolegjin ISPE.

Image
Lirim Zorra

Ai thotë se Kosova plotëson kushtet për anëtarësim sa i përket përgatitjeve ligjore.

“Sa  i përket kushteve për pranim, ato janë më shumë deklarative ku një vend duhet të ketë vlerat demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe zbatimin e ligjit, andaj  ky nuk është element i vështire, problemi qëndron te votat ku sipas rregullave të Këshillit të Evropës për pranimin e një shteti në këtë institucion vendos Komiteti i Ministrave, i përbërë nga ministrat e jashtëm të 47 vendeve anëtare”, thotë Zorra.

Por, ai thotë se problemi kryesor këtu qëndron në sigurimin e dy të tretave të vitave.

“Vendimi merret me propozim të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila mban seancat plenare çdo tre muaj në Strasburg dhe kërkohen 2/3  e votave  të këtyre shteteve, mirëpo  problemi qëndron se në Këshillin e Evropës janë edhe disa shtete të cilat nuk na njohin si Rusia dhe disa ish-republika sovjetike të cilat përsëri mund të jenë pengesë me 5 vendet e BE, plus Serbinë ta bllokojnë anëtarësimin në këtë organizatë”, thotë ai.

Sipas tij, qytetarët do të përfitojnë më së shumti nga ky anëtarësim.

“Përfitimi më i madh do të ishte me anëtarësim që Kosova duhet t’i zbatoj Konventat e Këshillit të Evropës dhe për çdo shkelje të të drejtave të njeriut është një Gjykate në Strasburg ku qytetaret e Kosovës mund të marrin drejtësinë e mohuare në Kosovë, andaj ka përfitim juridik, mirëpo siç e ceka krejt zhvillimet për pranim janë politike dhe loje shahu midis shteteve të ndryshme në këtë organizatë”, Shtoi Zorra.

Edhe njohësi tjetër, Sami Blakaj thotë është i rëndësishëm anëtarësim në këtë organizatë ndërkombëtare, pasi që sipas tij ndihmon në rrugën për integrim në BE-.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është jashtëzakonisht i rëndësishëm në rrugën e integrimit evropian dhe si i tillë do të krijonte përfitime politike, sociale dhe ekonomike për vendin tonë”, thotë ai.

Por, edhe Blakaj e sheh si problem sigurimin e votave të mjaftueshme në asamblenë e kësaj organizate.

Image
Sami Blakaj

“Megjithatë për të qenë pjesë e KE-së, Kosova duhet të përqafoj parimet e kërkuara evropiane. Përveç procedurave formale, si miratimi I 2/3 të anëtarëve të Këshillit të Evropës në Këshillin e Ministrave, Kosova duhet të tregojë se është e gatshme dhe në gjendje të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët”, thotë Blakaj.

Ai shtoi, se legjislacioni i miratuar dhe zbatuar në respekt të plotë të parimeve të sundimit të ligjit dhe standardeve e normave të të drejtave të njeriut, është element thelbësor në përmbushjen e kritereve të anëtarësimit ne Këshillin e Evropës.

Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Individët mund të çojnë aplikime për shkelje të të drejtave të njeriut në Gjykatën e Strasburgut, pasi të jenë shteruar të gjitha mundësitë e ankimit në shtetet anëtare përkatëse.

Miftaraj: Kosova ka përgatitur legjislacionin për anëtarësim

Nga ana tjetër, Nehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), thotë se Kosova ka bërë të gjitha përgatitjet ligjore për tu bërë anëtare e plotë e kësaj organizate.

Image
Nehat Miftaraj

“Kosova në aspektin legjislativ ka miratuar legjislacion i cili në masë të madhe është në pajtim me parimet dhe standardet që i promovon Këshilli i Evropës, respektivisht Kosova ka miratuar Kushtetutën dhe ligje të cilat në masë të madhe garantojnë dhe promovojnë vlera dhe standarde që janë në harmoni me parimet mbi sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, si kritere dhe kushte që përkojnë edhe me vet qëllimin e themelimit të Këshillit të Evropës”, thotë Miftaraj.

Ai shtoi se Kosova duhet të dëshmoj se është e gatshme dhe e përkushtuar për të bashkëpunuar në mënyrë të sinqertë dhe efektive për përmbushjen e qëllimeve të Këshillit të përcaktuara në Statutin e Këshillit të Evropës.

Roli i Këshillit të Evropës

Këshilli i Evropës është organizata kryesore e kontinentit për të drejtat e njeriut. Ai ka 47 shtete anëtare, 28 prej të cilëve janë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Të gjithë shtetet anëtare të Këshillit të Evropës kanë nënshkruar Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dokument i cili është hartuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.

Kjo organizatë mbron lirinë e shprehjes dhe të medias, lirinë e organizimit, barazinë dhe mbrojtjen e pakicave. Ai ka ndërmarrë fushata për çështje të tilla si për mbrojtjen e fëmijëve, gjuhën e urrejtjes online dhe të drejtat e Romëve, të cilët përbëjnë pakicën më të madhe në Evropë.

Po ashtu, Këshilli i Evropës i ndihmon shtetet anëtare të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin dhe të ndërmarrin reformat e nevojshme ligjore. Grupi i tij i ekspertëve për çështjet kushtetuese, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshillim ligjor për shtetet në mbarë botën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat