Kadri Veseli me lojë të dyfishtë për Specialen, kjo është taktika e tij

Politika

Kadri Veseli me lojë të dyfishtë për Specialen, kjo është taktika e tij

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 9 janar 2018 Në ora: 16:35
Kadri Veseli

Shkrimi  i gjatë i kryeparlamentarit dhe njëkohësisht shefit të PDK-së, Kadri Veseli, rreth pozicionimit të tij karshi Gjykatës Speciale, sipas analistëve politikë është “zbutje” karshi politikës së SHBA-së.

Jeton Kelmendi analist politik, ka thënë për “Bota sot” se letra e Veselit është taktikë e tij dhe kjo dëshmon se tek ata kur “kollitet” Amerika natyrisht se dorëzohen.

Image
Jeton Kelmendi

Kelmendi ka pohuar se iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk do të realizohej, sepse kishte seriozitet të SHBA-së dhe vendeve të QUNT-it për këtë çështje.

“Mendoj se taktika e kryeparlamentarit Kadri Veseli apo zbutja e tij dëshmon se tek këta kollitet Amerika dhe natyrisht se duhet të dorëzohen karshi politikës në raport me SHBA-në. Asnjëherë nuk kam menduar se do të shfuqizohet për faktin që e kishte me seriozitet SHBA-ja dhe vendet e QUINTI-it, pra kjo është një taktikë e Veselit për të thënë se këta po duan dhe unë jo, si dhe për ta ngritur rolin e atij që nuk lejon të bëhet keq. Sigurisht që do të ketë tentativa, por kjo është një gjë me dy pamje, në njërën që është përkrahë Amerikës ( në fakt qëndron prapa iniciativës),  kinse unë nuk jam për këtë  shfuqizim,  në anën tjetër edhe tek faktori i brendshëm sheh që nuk mund ta bëjë”, ka theksuar Kelmendi.

Në anën tjetër, disa deputetë  të cilët kanë dhënë nënshkrimin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, kanë mirëpritur pozicionimin e kryetarit të tyre, duke shprehur edhe  gatitshmëri për t’i tërhequr nënshkrimet në rast se u kërkohet nga partia.

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, thotë se qëndrimi i tij do të jetë në përputhje me qëndrimet partiake.

“Inciuesi është Nait Hasani dhe më mirë do të ishte të konsultoheni me të. Por unë do të respektoj vendimin e partisë, unë se kam problem”, ka thënë ai në një prononcim për mediat vendore.

“Bota sot” ka kontaktuar edhe iniciuesin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Nait Hasanin, mirëpo ai nuk ka dashur të prononcohet.

Ndërsa, në deklaratat e mëhershme Hasani ishte shprehur se nuk do të tërhiqen dhe se ky ligj duhet të shfuqizohet pasi që nuk është në të mirë të luftës së UÇK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat