Demarkacioni dhe Specialja, “mollë sherri” mes PDK-së e AAK-së

Politika

Demarkacioni dhe Specialja, “mollë sherri” mes PDK-së e AAK-së

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 10 janar 2018 Në ora: 11:18
Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj

Qëndrimet e kundërta për çështjen e Demarkacionit dhe Gjykatës Speciale ndërmjet PDK-së dhe AAK-së, po del të jetë “mollë sherri” mes tyre. Për këtë, zyrtarët e këtyre dy subjekteve politike kanë filluar kritikat ndaj njëra tjetrës. përfaqësuesit e partive opozitare thonë se tashmë PDK-ja veç së ka filluar përgatitjen e skenarit për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.

Nuk është vetëm demarkacioni ajo që i ndan partnerët e koalicionit qeverisës së Partisë Demokratike të Kosovës me ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Tashmë, ata kanë filluar ta kritikojnë njëri tjetrin edhe sa i përket tentimit të shfuqizimit të Gjykatës Speciale në mbrëmjen e 22 dhjetorit, dhe temave të tjera.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe njëherit kryetar i Kuvendit në një shkrim autorial të publikuar në media, nuk ka kursyer në një farë mënyre kritikat edhe ndaj partisë së Haradinajt.

Teksa, Veseli tregoi se shfuqizimi i speciales është i pamundur, ai e ka quajtur dramatike mbrëmjen e 22 dhjetorit dhe për këtë ai ka fajësuar të gjitha partitë, përfshirë edhe ato në pushtet.

Përpos Veselit, një kritikë të ashpër ndaj Haradinajt e ka bërë edhe këshilltarja e tij politik, Arbana Xharra, pas publikimit të lajmit se ambasada e SHBA-së në Kosovë, i ka refuzuar vizën të parit të ekzekutivit.

Në një koment në profilin e saj në Facebook, ajo ka akuzuar kryeministrin se e ka izoluar Kosovën karshi miqve ndërkombëtar.

“Amerika na e dha mesazhin e qartë, a mos keni pritë që tash e tutje edhe në "shëtitje" nëpër Uashington ju dërgon?! Fatkeqësia këtu nuk është që kryeministri Ramush Haradinaj dhe të tjerët pas tij që mund të mos marrin viza, por izolimi i tërë Kosovës, stagnimi në fazën më të rëndësishme të saj. Nuk ju bën proamerikan një flamur në tavolinat e juaja të punës, e as deklaratat patetike se jeni me SHBA-të, kur veprimet i keni kundër aleatit tanë më të madh. Kujtojeni 1998/1999 kush ju doli krah?! Kush na shpëtoi nga gjenocidi? Amerika! Kush ishte aleati i UÇK-së kundër forcave militare të Millosheviqit, Amerika! Sot keni zgjedhe me përmbysë gjithë atë mbështetje gjithë atë aleancë. Edhe po çuditeni pse nuk po merrni viza?!”, ka shkruar Xharra në komentin e saj në Facebook.

Përfaqësuesit e partive opozitare dhe analistë politik thonë se deklarata e Veselit dhe postimi i këshilltares së tij, tregojnë për një përçarje të thellë në partitë e koalicionit.

Image
Ali Lajçi

Opozita thotë se qeveria i ka ditët e numëruara

Përfaqësuesit e partive opozitare thonë se pas deklaratave të fundit të zyrtarëve të PDK-së dhe qëndrimeve të kundërta të partive të pozitës, Qeveria Haradinaj i ka ditët e numëruara për të rënë nga pushteti.

“Prej fillimit që Haradinaj vendosi të bëj marrëveshje parazgjedhore me PDK-në e Kadri Veselit, ky koalicion ka qenë i brishtë”, thotë për “Bota sot”, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi.

Ai përjashton mundësinë që Xharra të ketë bërë komentin kritik ndaj të parit të qeverisë, pa dijen e kryetarit të Kuvendit.

“Mund të ketë edhe mendime të lira, por është e logjikshme që ajo nuk ka folur pa e ditur Kadri Veseli se ajo është në ato struktura të PDK-së që është në koalicion me AAK-në”, thotë ai.

“PDK dëshiron që t’ia përgatis Haradinajt rënien sikurse Isa Mustafës, por të shohim se do t’iu funksionoj PDK-së kësaj radhe”, shtoi Lajçi.

Image
Bajram Gecaj

Edhe zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj thotë se tashmë po shihet një përçarje në mes të tre zyrtarëve më të lartë të shtetit.

“Në çështjen e tërheqjes së ligjit mbi Gjykatën Speciale deri më tani kemi fituar përshtypjen se treshja shtet shkatërruese është në sinkronizim të plotë”, thotë Gecaj për “Bota sot”.

Ai thotë, se deklarata e këshilltares së Veselit tregon se koalicioni qeverisës po del joserioz.

“Tani mbetet të shihet nëse deklarata e zonjës Xharra ishte loje e zotit Veseli apo nëse ishte një opinion personal i zonjës në fjalë; në cilindo rast, koalicioni qeverisës del jashtëzakonisht joserioz”, thotë ai.

Sipas Gecaj, krerët e tre institucioneve të shtetit po luajnë me fatin e popullit të Kosovës.

“Çka është me rendësi është se individët në krye të tri institucioneve kryesore të shtetit, për arsye personale e klanore, po luajnë me fatin e tërë popullit, dhe unë besoj dhe shpresoj që populli nuk do ta toleroj një gjë të tillë”, shtoi Gecaj.

Berisha i AAK-së mohon se ka përçarje të koalicionit

Shkrimi autorial i Kadri Veselit që flet për zhvillimet e fundit rreth shfuqizimit të Gjykatës Speciale ku prek me kritika edhe partitë në koalicion ka nxitur reagime tek zyrtarët e AAK-së.

Image
Anton Berisha

Në një prononcim për “Bota sot”, zyrtari i AAK-së, Anton Berisha dhe njëherit zëvendësministër i jashtëm ka komentuar pikëpamjet e Veselit të shfaqur në shkrimin e tij.

“Veseli për mes këtij shkrimi autorial ka shfaqur pikëpamjet e tij si kryetar i partisë. Ai është kryetar i partisë dhe është kryesia e subjektit të tij politik që merr vendime”, tha Berisha për “Bota sot”.

Berisha ka komentuar edhe mundësinë e përgatitjes së skenarit të PDK-së për rrëzimin e Qeverisë e Haradinaj.

“Unë nuk mund të merrem me parashikime të tilla. Momentalisht, ne e kemi një koalicion, i cili për momentin është në funksion dhe po vazhdon punën”, shtoi Berisha.

PDK po përgatit skenarin për rrëzimin e Haradinajt

Edhe analistët politik thonë se tashmë veç se ka filluar publikisht përçarja e koalicionit qeverisës.

Image
Ali Hertica

Madje, ata thonë se PDK-ja ka filluar të përgatis skenarin për rrëzimin e Qeverisë, Haradinaj.

“Lideri i PDK-së, Kadri Veseli tani kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës është duke luajtur lojën e skenarit  të implementojë nëpërmjet argatëve të tij politik për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj, edhe pse bashkë qeverisin”, thotë për “Bota sot”, analisti politik Ali Hertica.

Ai thotë se liderët e PDK-së  e kanë “traditë” që të gjitha subjektet politike t’i godasin prapa shpine.

“Këtë fat e pati edhe LDK-ja dhe vet Isa Mustafa ku thuajse e degradoi tërësisht në skenën politike”, tha ai.

Sipas tij, Qeveria Haradinaj e ka humbur drejtimin e politikës dhe fare nuk është në rrugëtim të mbarë politik.

“PDK-ja ku si pretekst do të marr marrëdhëniet jo të mira me SHBA-të dhe aleatë të tjerë të Kosovës. E gjithë kjo lojë e skenarit vërehet se tendencat për t’i shty këto implementime është vet Hashim Thaçi duket se i ka futur frikën Hardinajt dhe i ka vendosur dy këmbë në një këpucë”, thotë Hertica.

“E gjithë kjo lojë e cila tani po zhvillohet ndër subjektet politike deri të liderët politik është një ndëshkim njëra ndaj tjetrës ku edhe AAK do të pësojë në vendim marrjen e demarkacionit ku do të ratifikohet në parlament”, shtoi Hertica.

Image
Faik Krasniqi

Demarkacioni dhe Specialja “thembra e Akilit” për Haradinajn

Nga ana tjetër, analisti politik Faik Krasniqi thotë se çështja e demarkacionit dhe ajo për shfuqizimin e Gjykatës Speciale mund të rrëzojnë Qeverinë Haradinaj.

“Ky koalicioni prej fillimit ka qenë më shumë koalicionit i zorit, se sa koalicion i parimeve për një qeverisje të mirë. Ashtu siç ishte koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së. Prishja e këtij koalicioni do të mund të ndodh për shkak të Demarkacionit, që do të del të jetë jetike për mbijetesën e Qeverisë, pa përjashtuar edhe Gjykatën Speciale, që mund të bëhet “molle sherri”, për shkak të qëndrimeve të kundërta të zyrtarëve dhe deputetëve të partive të koalicionit, ku çdo ditë dëgjojmë deklarata pro dhe kundër zhbërjes së Gjykatës Speciale”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

Ai shtoi se jetëgjatësia e këtij koalicioni varet nga zgjidhja e Demarkacionit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat