Deputetja e AAK-së tregon se kur do të dërgohet në Kuvend demarkacioni

Politika

Deputetja e AAK-së tregon se kur do të dërgohet në Kuvend demarkacioni

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 10 janar 2018 Në ora: 16:31
Kosovë

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, do të shqyrtojë të hënën Marrëveshjen për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi.

Lajmin e ka konfirmuar në një prononcim për gazetën “Bota sot”, nënkryetarja e këtij Komisioni Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ajo ka konfirmuar se Komisioni do ta shqyrtojë këtë marrëveshje dhe me ose pa pëlqimin e anëtarëve do të dërgohet në seancë.

Image
Time Kadrijaj

Mirëpo, Kadrijaj ka thënë se në rast se ndonjëri nga anëtarët e Komisionit do të votojë kundër, Marrëveshja do t’i dërgohet Kuvendit me rekomandimin që të mos miratohet Demarkacioni.

“Është caktuar kjo datë dhe në rend të ditës është çështja e demarkacionit. Si rregull duhet të votohet, me apo pa pëlqimin e Komisionit. Megjithatë, marrëveshja procedohet për Kuvend. Nëse ndonjëri është kundër, ajo procedohet me kërkesën që Kuvendi të mos e miratojë këtë marrëveshje dhe më pas  i mbetet Kryesisë së Kuvendit që të vendos se çfarë do të bëjë me çështjen e Demarkacionit”, është shprehur Time Kadrijaj.

Ndërsa e pyetur nëse ka ndërrim qëndrim dhe se si do të jetë vota e saj për Demarkacionin, në rast se procedohet në Kuvend, deputetja e AAK-së, ka konfirmuar se ajo do të jetë kundër Marrëveshjes.

“A votohet apo nuk votohet është çështje e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Vota ime do të jetë kundër”, ka deklaruar Time Kadrijaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat