“LDK asnjëherë nuk ka hequr dorë nga rugovizmi, shtylla e kryesore miqësia e përhershme me SHBA-në”

Politika

“LDK asnjëherë nuk ka hequr dorë nga rugovizmi, shtylla e kryesore miqësia e përhershme me SHBA-në”

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 10 janar 2018 Në ora: 18:13
LDK

Pas gjithë këtyre ngjarjeve që kanë ndodhur kohën e fundit në Kosovës, përfshirë këtu edhe prishjen e raporteve me ndërkombëtaret siç ishte rasti i fundit me refuzimin e vizës për kryeministrin Ramush Haradinajn, LDK-së siç duket po i shtrohet rruga për të marr pushtetin në duar.

Duke folur rreth asaj se cili është pozicioni i partive politike pas zhvillimeve në LVV dhe tentimeve për shfuqizimin e speciales nga PDK, AAK dhe Nisma dhe se a po i shtrohet rruga LDK se për të marr pushtetin pas gjithë këtyre ngjarjeve, ku përfshihet edhe prishja e raporteve me ndërkombëtaret siç ishte rasti me refuzimin e vizës për Haradinajn, publicisti Faton Abdullahu ka thënë për “Bota sot” është e natyrshme që partitë politike përfitojnë nga gabimet dhe pësimet e njëra tjetrës.

Image
Faton Abdullahu

Ai ka thënë se është po aq e saktë se, kjo qasje e pritjes për të gabuar kundërshtari, nuk është e mjaftueshme për të fituar aq sa aspiron një parti serioze politike.

“Aktualisht subjekti politik VV për të mos ndryshuar me kokëfortësi të një idealizmi prej axhamillëku, ka pranuar të përçahet dhe kjo do ta pjesëtoj forcën e saj pashmangshëm. Sikur përçarja të ndodhte para zgjedhjeve të fundit ajo nuk do të mund të fitonte aq sa ka fituar dhe assesi nuk do ta fitonte Prishtinën. Krejt çfarë ka bërë VV deri më sot nuk i ka shkuar për dore ta bëj në raport konstruktiv me faktorin ndërkombëtar, sidomos jo me SHBA -të. Që 'me kënaq krejt e ka kënaq' politikisht, kur ka kokëtuar herë hapur e herë tinza me islamin politik në Kosovë. PDK në anën tjetër nga domosdoja me shumë grykësi për të mbetur në pushtet, ka pranuar të tkurret për t'ju bërë vend pa meritueshëm partnerëve të koalicionit në Qeveri, sidomos AKR e cila mbetet një meduzë politike prej të cilës më së paku përfiton qytetari i Kosovës”, ka thënë publicisti Abdullahu.

Po ashtu, Abdullahu ka folur edhe për tkurrjen e PDK-së, duke thënë se i kësaj partie i duhen reforma.

“PDK-s i duhen reformat që të çlirohen nga klanet që mbetjen në pushtet e kanë qëllim qoftë edhe nëse e vënë në pikëpyetje të ardhmen e Kosovës dhe miqësinë me SHBA-t dhe krejt këtë vazhdojnë, jo pa sukses, ta bëjnë dhe shesin, sidomos tek militantët partiak, ambalazhuar me patriotizëm. Kur krejt këtij spektri i shtohet Kryeministri aktual me politikat e tij Ad-hock, shkurtpamëse dhe me mendësi dhe komunikime prej bajraktari, atëherë mund të kuptohet pse sot LDK qëndron shumë mirë, në të vërtetë shumë më mirë se partitë e tjera politike. Në të vërtetë nëse sot do të mbaheshin zgjedhjet gjasat janë që ajo të dal e para. Por LDK nuk është përfituese pasive e cila po fiton sot vetëm nga gabimet e kundërshtarëve politik. Për këtë meritë të madhe ka kryetari aktual z. Mustafa dhe disa anëtar të regjur të kësaj partie që kanë fituar nëpër komuna”, ka thënë Abdullahu.

Ai mes tjerash ka theksuar se në kuadër të kësaj duhet shquar edhe prurjet e reja në LDK dhe dhënien hapësirë kandidatëve të ri dhe krijimin e një balanci brenda partiak ndërmjet gjeneratave të ndryshme.

“Nga e gjithë kjo nuk duhet asnjëherë harruar se LDK dhe Kryetari Mustafa nuk ka hequr dorë nga rugovizmi si koncept politik dhe kulturor, një nga shtyllat e së cilës është miqësia e përhershme me SHBA-të gjë që vazhdon ta formësojë LDK edhe sot e kësaj dite si partinë më të pranueshmen dhe më konstruktiven për BE-në dhe SHBA-në të cilën duket se sidomos së fundi e kanë kuptuar edhe më shumë edhe shumë qytetarë të vendit tone”, është shprehur publicisti Abdullahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat