“Mesazh i qartë, veprimet kryeneçe rrezikojnë të ardhmen e Kosovës”

Politika

“Mesazh i qartë, veprimet kryeneçe rrezikojnë të ardhmen e Kosovës”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 11 janar 2018 Në ora: 16:35
Qeveria e Kosovës

Një delegacion i përbërë nga i dërguari i posaçëm për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s në Ministrinë Gjermane të Punëve të Jashtme, Christian Hellbach dhe Shefi i Departamentit të Ballkanit Perëndimor të Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Thomas Bertin, po qëndrojnë për vizitë në Kosovë.

Të dërguarit e posaçëm të Evropës Jug-perëndimore kanë zhvilluar takime me Presidentin Hashim Thaçi si dhe kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj. Veç kësaj, ata kanë qëndruar edhe në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Për njohësin e marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani, këto vizita janë një mesazh i qartë dhe serioz për institucionet, në lidhje me tendencën për shfuqizimin e speciales

Ramadani konsideron se Kosova është duke kaluar një nga sfidat më të vështira të procesit të shtet-ndërtimit. Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se pasojat e veprimeve kryeneçe dhe kthyerja e shpinës ndaj aleatëve rrezikon edhe vet të ardhmen e Kosovës.

Image
Adlum Ramadani

“Kosova është duke kaluar në një nga sfidat më të vështira të procesit të shtet-ndërtimit, e ajo është presioni diplomatik në vendimmarrje, I cili, krizën e brendshme politike është duke e zgjeruar në krizë shtetërore ndërkombëtare, duke rrezikuar bashkëpunimin dhe ndihmën e aleatëve fuqi. Pasojat e veprimeve kryeneçe dhe kthyerja e shpinës aleatëve rrezikon edhe vet të ardhmen e Kosovës pasi që si veprimet e ngutshme dhe aspak profesionale të krerëve tanë, po e penalizojnë, ndëshkojnë dhe sanksionojnë popullin e Kosovës”, tha ai.

Tutje, ai shtoi se kjo vizitë është mesazh i qartë për institucionet e Kosovës, në lidhje me tendencën për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Vizita i të dërguarit të Gjermanisë për Evropën Juglindore, Turqisë dhe Shoqatës EFTA, Christina Hellbach dhe Udhëheqësit të Departamentit për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Jashtme të Francës, Thomas Bertin, në Kosovë, dha një mesazh të qartë dhe serioz për institucionet tona, në lidhje me tendencën për shfuqizimin e speciales. Sikurse deklarata e përcjellur nga Departamenti i Shtetit të ShBA-ve edhe kjo vizitë paralajmëron për pasojat që Kosova mund t’i ketë për veprimet që i ndërmerr pa konsultime paraprake me aleancat perëndimore. Assesi se konsultat nuk duhet përkthyer në imponime nga ta, përkundrazi, janë këshilla dhe rrugë zgjidhje e problemeve, për të cilat, të njëjtit duhet gëzojnë besimin e palës kosovare”, ka thënë ai.

Ramadani mendon se përsëri të ketë një iniciativë tjetër për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Sa i përket iniciativave të tjera të mundshme për shfuqizimin e speciales padyshim se mund të ketë, pasi që jo të gjithë ndajnë mendimin e njëjtë, porse Kosova vetvetiu ka zgjedhur të mbaj barrën e përgjegjësisë që nga momenti që ka miratuar Ligjin për Specialen”, përfundoi Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat