“Bajrush e paske vra ngapak Enver Malokun, Milaim Zeka shigjetën për vrasje po e drejton kah Lumezi”

Politika

“Bajrush e paske vra ngapak Enver Malokun, Milaim Zeka shigjetën për vrasje po e drejton kah Lumezi”

Nga: P.R Më: 11 janar 2018 Në ora: 17:25
Majtas: Enver Maloku e Xhemaj Mustafa të dy të vrarë, djathtas lartë: Milaim Zeka, Aleksandër Lumezi, Bajrush Morina.

Sot, gazetari Bajrush Morina, ka tronditur opinionin publik në Kosovë me një deklaratë të tij, ku tha se një deputet i Kuvendit të Kosovës, së bashku me gruan e tij kanë vrarë ish anëtarin e LDK-së, udhëheqësin e QIK-ut, dhe ish kolumnistin e gazetës “Bota sot”, Enver Malokun.

Ndërsa, deputeti nga Nisma Milaim Zeka, duke iu kundërpërgjigjur Morinës, tha se ai ia ka huqur, duke thënë se Aleksandër Lumezi e di pse nuk është zbuluar vrasja e Enver Malokut.

“Sa i përket asaj pse nuk është zbardhë vrasja, e din Aleksandër Lumezi. Pikërisht pse nuk janë zbardhur këto vrasje, është krijuar Gjykata Speciale”, ka thënë deputeti Milaim Zeka për gazetën “Bota sot”.

Ndërsa, opinionisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Sefedin Krasniqi, duke komentuar deklaratat e sotme, ka thënë se duhet të ngritet padi ndaj Milaim Zekës, Aleksandër Lumezit, e Bajrush Morinës.

Image
Sefedin Krasniqi

“Së pari, jam i lumtur që asnjë anëtar i familjes sime të ngusht apo të gjerë nuk m’u ka vra nga dora tradhtare e ndonjë shqiptari « patriot » per hesape politike. Por, sikur dikush të ma kishte vra baben, të cilin as që e kam njohur, apo e kam njohur si një mirazh, nuk bsoj që do të kisha mundur të rezistoj e të mos ngrisja padi së paku ndaj Aleksander Lumezit, Bajrush Morinës apo Milaim Zekes”, ka thënë ai.

Ai ka treguar edhe arsyet pse do ta bënte një gjë të tillë.

“Ju të tretë, pasi, sipas deklaratave të juaja e paskeni ditur prej kohësh kush e ka vra, të ndjerin Enver Malokun, dhe s’keni treguar e as që po tregoni edhe tash, jani bashkëfajtorë.  Nuk e kuptoj Bajrush Morinën sesi ka mundur deri sot të shkruaj aq shumë shkrime, për çdo përvjetor, shpesh me ndonjë titull bombastik për t’iu shitur gazeta apo për të fituar sa më shumë klikime mbi gjakun e Enver Malokut dhe s’e ka përmendur asnjëherë emrin e vrasësit. Edhe më keq, edhe në përvetorin e 19-të, na shantazhon se vrasës qenka një deputet i Parlamentit të Kosovës me gruan e vet. Prapë s’ia përmend emrin ! Hajde mizerje, hajde! Bajrush, sa herë paske shkruar, sikur sot e paske vra ngapak Enver Malokun. Kjo është një ligësi e madhe dhe poshtërsi e llojit të vetë!”, është shprehur Krasniqi.

Ndërsa për Zekën, Krasniqi ka thënë se edhe pse njihet si gazetar impulsiv,  ai nuk e ka treguar emrin e vrasësit për 19 vite me radhë.

“Nuk e kuptoj as Milaim Zeken, i cili e kundërshton Bajrushin dhe i thotë që e « di në kë po aludon por nuk është ai deputet ». D.m.th. edhe ti Milaim Zeka e di dhe përkundër karakterit tënd impulsiv, si nuk të paska dalur kurrë nga goja emrin i vrasësit, aq më të tepër kur pas 19 vjete tregon se Enver Maloku paska qenë një shqiptar i mire dhe patriot. Ev,ev ! Milaim, pasi po thua se Lumezi e di pse nuk janë zhvilluar hetimet, apo janë fshehur nga opinioni publik, kjo na bënë të kuptojmë se edhe Lumezi e ditka emrin e vrasësit.  Nëse po, atëherë çfarë m*** drejtësie ka zhvilluar Kosova për të cilën foli gjatë mbrëmë presidenti Thaçi në Zërin e Amerikës!?”, ka potencuar Krasniqi, shkruan “Bota sot”.

Sipas tij, Milaim Zeka shigjetën për vrasjen e Enver Malokut e ka drejtuar drejt Aleksandër Lumezit.

“Milaim, e di që ti ke thënë disa herë që s’ke frikë, por si gazetar hulumtues, pse deri tash kurrë nuk e ke përmendur emrin e vrasësit, por vetëm tash po e jep një pistë, « Sabriu me mashat e veta » dhe shigjetën poe drejton kah Lumezi. Të gjithë e paçi për turp këtë lojë të poshtër. Betohem se prej sonte pajtohem që Gjykata Speciale duket t’ia nis me burgosjen e juaj dhe të Lumezit e të gjithë të tjerëve rend kush ka vra shqiptarë. Betohem se sikur të dija, se kush kë e ka vra, sonte do të lajmërohesha prokurorit të Gjykatës Speciale për të bashkëpunuar me të edhe atë haptas”, është shprehur Krasniqi.

Njohësi Krasniqi, në përfundim ka pasur edhe një mesazh për Doruntina Malokun, e cila është edhe deputete e Kuvendit të Kosovës.

“Sikur të isha e bija e Enver Malokut, sonte do të shkoja në Kuvendin e Kosovës dhe do të hyja në grevë urie derisa tre të apostrofuarit nuk do të ma tregonin emrin e vrasësit të babait tim!”, ka thënë Krasniqi, shkruan “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat