“Aventura e rrezikshme për shfuqizimin e Speciales”

Politika

“Aventura e rrezikshme për shfuqizimin e Speciales”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 12 janar 2018 Në ora: 17:17
Selia e Gjykatës Speciale

Vendet e Quintit reaguan për tentimin e shfuqizimit të ligjin për Gjykatën Speciale, duke kërkuar që të ndalet kjo nismë.

E sot një kërkesë të tillë e ka bërë edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila ka shprehur shqetësimin në lidhje me iniciativën e deputetëve.

Përmes një komunikate për media, kjo zyre thotë se në vitin 2014 Kosova u angazhua me BE-në në themelimin e Dhomave të Specializuara dhe se ky ishte një hap i rëndësishëm për të demonstruar angazhimin e Kosovës për sundimin e ligjit. Si rezultat, BE mirëpriti krijimin e Dhomave të Specializuara nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015.

“Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit të bërë vitet e fundit. Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. BE-ja, pra, kërkon që krijuesit e nismës së Parlamentit ta tërheqin atë. Ajo mirëpret deklaratat e fundit publike nga udhëheqësit politikë në mbështetje të respektimit të detyrimeve të Kosovës. BE përgëzon mediat dhe shoqërinë civile për ngritjen e zërit të tyre kundër kësaj iniciative të dëmshme”, thuhet në komunikatën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Lidhur me këtë, se a duhet të ndalet kjo nismë e deputetëve, analisti politik Faik Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se tashmë Gjykata Speciale është formuar dhe është dashur që deputetët të mendojnë për këtë para se të votonin për formimin e saj.

Image
Faik Krasniq

“Para se deputetët e Kuvendit të Kosovës të votonin për themelimin e Gjykatës Speciale, është dashur të mendojnë shumë mirë pse po e bëjnë një gjë të tillë. Kam qenë kundër krijimit të kësaj Gjykate që i gjykon vetëm krimet e supozuara të shqiptarëve ndaj serbëve, dhe vazhdoj ta konsideroj këtë Gjykatë një monstrum të drejtësisë. Sikur të themelohej një Gjykatë që do të hetonte dhe gjykonte gjitha krimet e bëra në Kosovën e para dhe pasluftës, atëherë çdo gjë do të ishte në rregull. Por çështja e Gjykatës Speciale ka marrë fund”, është shprehur ai.

Sipas Krasniqit, duhet dëgjuar thirrjet e ndërkombëtarëve për të ndaluar këtë nismë, pasi do të ishte aventurë e rrezikshme për Kosovën në qoftë se deputetët votojnë pro shfuqizimit të ligjit për Specialen.

“Do të ishte një aventurë tepër e rrezikshme në rast se deputetët e Kuvendit të Kosovës do të votonin pro shfuqizimit të ligjit për Gjykatën Speciale, në një kohë kur për shtetin tonë është zbehur mbështetja ndërkombëtare, e sidomos e atyre që në ditët më të vështira na dolën në ndihmë dhe falë tyre sot kemi këtë pavarësi edhe pse gjysmake dhe me sovranitet të cunguar. Prandaj duhet t'i dëgjojmë thirrjet e ndërkombëtarëve, e veçanërisht thirrjet e atyre pa të cilët Kosova as një ditë të vetme nuk do të mund të funksiononte si shtet”, ka deklaruar Faik Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat