“Godet” Haki Abazi: Ja kush qëndron prapa deklaratave të dëshmitarit Mehmeti për vrasjet politike

Politika

“Godet” Haki Abazi: Ja kush qëndron prapa deklaratave të dëshmitarit Mehmeti për vrasjet politike

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 12 janar 2018 Në ora: 17:47
Haki Abazi

Njohësi i zhvillimeve politike në vend Haki Abazi ka komentuar lidhur me akuzat dhe deklaratat e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, lidhur me vrasjet e pasluftës.

Mehmeti mbrëmë në një emision televiziv, ka folur veprimtarinë e një grupi të njerëzve, që ai ka thënë se kryen disa prej rasteve më të rënda kriminale të pasluftës, përfshirë vrasjet politike.

 Ai ka akuzuar vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi për organizim të shumë vrasjeve të pasluftës në Kosovë, por ka përmendur edhe emrat e Florim Ejupit, Agron Sylejmanit, policin Fadil Syleviç dhe vëllain e ish-deputetit të AAK-së, Lahi Brahimaj, duke thënë se të gjithë këta persona, janë të përfshirë në vrasje.

Sipas tij, këta persona ishin të ngarkuar për vrasjen e aktivistëve të LDK-së si Smail Hajdaraj, Xhemajl Mustafa, Tahir Zemajt e Sebahate Tolajt.

E duke komentuar në lidhje me deklaratën e tij, Haki Abazi ka thënë se prapa zhvillimeve të fundit alarmante në vend, qëndron SHIK-u dhe oponentët e tij brenda klanit Pronto.

Ai këtu ka përmendur tentativën për të shfuqizuar Gjykatën Speciale nga paniku, derisa për intervistën e dëshmitarit Mehmeti, ka theksuar se është bërë për të lansuar mjegull dhe konfuzion në publik, duke përdorur instrumentet e tyre në media të financuara nga krimi i organizuar.

“Ajo çfarë po ndodhë këtyre javëve në Kosovë, është gjendje alarmi. Është e qartë se SHIK dhe proponentët e tyre përbrenda Klanit Pronto, kanë kuptuar se nuk mbajnë fuqinë politike të vendit. Tani janë nisur në disa drejtime, ajo e panikut dhe veprimit pa kokë, duke tentuar të shfuqizojnë Dhomat e Veçanta të Gjykatës Speciale, që është çmenduri politike, përveç që është e lojë e “Russian Roullet”. Tjetra, kanë filluar që të përdorin instrumentet e tyre që kanë në media të financuara nga krimi i organizuar që të përgatisin publikun dhe kjo intervista me Shkumbin Mehmetin, ishte në kuadër të asaj që të lansojnë mjegull dhe konfuzion dhe për të akuzuar dy-tre veta dhe duke e reduktuar krimin politik në nivel të inateve personale dhe për të larguar përgjegjësinë sa më shumë që është e mundur ndaj organizatë, udhëheqësve të saj dhe urdhërdhënësve të vrasjeve të patriotëve dhe intektualëve”, ka pohuar Abazi në një prononcim për “Bota sot”.

Ai ka përmendur edhe strategjinë e tretë të SHIK-ut, të cilën, sipas tij, ky i fundit po e përdor në vend.

“Strategjia e tretë është ndarja dhe përdhosja e VV-së, duke i premtuar Klanit të dezertorëve akomodim përbrenda strukturave të një tranzicioni të mundshëm. Kjo nuk është lojë e përgatitur vetëm nga Klani Pronto, sepse në shumicën e rasteve, ata janë analfabet politik dhe çkado që tentojnë të lëvizin, e bëjnë me gabime të mëdha, por këtu kanë gisht edhe individ nga vendet e  Bashkimi Evropian, të cilët po mundohen që të mbajnë kontroll ndaj resurseve financiare, ekonomike dhe informacionin e ndjeshëm të shtetit”, është shprehur më tej Abazi.

Ai ka theksuar se Prokuroria e Shtetit është e kapur dhe e ndikuar politikisht dhe se rrjedhojë e kësaj, janë krijuar institucionet siç është EULEX dhe Gjykata Speciale.

“Në këtë gamë komplekse të çështjeve dhe akterëve të involvuar, Prokuroria është gjithashtu e kapur dhe e ndikuar politikisht dhe sa herë që ka tentuar që të kryejë punën e tyre, si në rastin Velijaj, ku ekspozohet shoferi i Kadri Veselit, prokurorët e zotë janë larguar nga rasti. Kjo është edhe arsyeja që po krijohen institucione siç është EULEX-i dhe Gjykata Speciale, sepse askush nuk i besoj këtij sistemi politik që do të lejojë që sistemi i drejtësisë të veprojë i pavarur”, ka theksuar për “Bota sot”, Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat