“Xhevahirët” e presidentit, “i zënë me pelë për dore” - Bota Sot
“Xhevahirët” e presidentit, “i zënë me pelë për dore”

Politika

E premte, 20 prill 2018

“Xhevahirët” e presidentit, “i zënë me pelë për dore”

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 13 janar 2018 Në ora: 15:14
Hashim Thaçi, foto: Bota sot

Qeveria e Përkohshme, e kryesuar nga Hashim Thaçi, pas çlirimit të Kosovës nga NATO-ja, vendosi pushtetin e saj kriminal në Kosovë. Me vete barti edhe "komandantët" me banda, që nuk kishin pasur rastin as të komandonin dhe as të luftonin në Kosovë. Por, ministra e pushtetarë u bënë, në emër të "luftës heroike", të bërë në Mërgatë dhe bulevardeve të Tiranës! "Komandantët, tashmë të uniformuar, po prisnin gradimet ushtarake, për "betejat" e bëra, por që nuk kishin as datime dhe as emër vendesh, se ku u "zhvilluan!" Rast unik. Pot, ja që ndodhi! Gradat vlenin vetëm për "UÇK-në" e SHIK-ut dhe assesi për UÇK-në e FARK-ut, e cila, realisht, bëri luftën, e organizuar në formacione ushtarake dhe me komandë hierarkike. 

Gradimet e "komandantëve", pa ushtarë dhe pa beteja, u bënë me pompë e bujë, me koncerte muzikore të zhurmshme dhe të turpshme, në Kosovën e përgjakur nga masakrat masive dhe të shkrumbuar anepërtej, nga vandalët kriminelë serbo-sllavë. Pushtetin civil të kësaj qeverie kriminale, e mbizotëronin bandat "ushtarake", para të cilave përkuleshin edhe disa nga burgaxhinjtë politikë të Kosovës.

Hashim Thaçi, iu bind kërkesës të ndërkombëtarëve, për ta zhbërë "UÇK"-në e tij, duke e konvertuar në TMK-e, e cila, më vonë, e pësoi edhe ajo të njëjtin fat. Por, këto dy organizma, u tubuan në "Shoqatën e veteranëve të luftës", duke e ruajtur, madje, me fanatizëm bazën bandave vrastare të kundërshtarëve politikë, kryesisht, të ushtarakëve të FARK-ut, kuadrove të Ibrahim Rugovës dhe të veprimtarëve të LDK-së, përgjatë luftës, për ta vazhduar edhe pas luftës. Deri në fund të vitit 2000, u vranë 600 persona të cilësuar, nga bandat në fjalë.

Shoqata e "veteranëve të luftës", SHIK-as të thekur, u urdhërua t`i komandojë edhe "Shoqatat e tjera të dala nga "lufta". Në këto organizime nuk bënin pjesë luftëtarët e FARK-ut. Qysh në nismë, veprimtaria e këtyre shoqatave ishte banditeske e rrugaçërore. Arrestimet e para të disa "komandantëve", kriminelë të faktuar edhe më dënime nga Gjykata, edhe pse me akuzën e vasjeve, u dënuan simbolikisht, "veteranët" pushtuan sheshe dhe rrugë, më protestat e tyre, me slloganin e turpshëm "lironi çlirimtarët", të porositura, pikërisht, nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj... Për afro dy dekada, këto Shoqata, me banditizmin e tyre vazhdojnë ta shantazhojnë e kërcënojnë popullin dhe ta sfidojnë shtetin e Kosovës.

Edhe skenarin për shfuqizimin e Gjykatës Speciale e bëri trinomi i krimit: Presidenti, Kryeparlamentari, Kryeministri, duke ua dhënë të gatshëm krerëve të "veteranëve të luftës" dhe deputetëve të tyre, shumica syresh të inkriminuar. Edhe vetë koalicioni "PAN", kishte këtë prapavijë, i cili i bashkoi partitë-banda të krimit të organizuar, vrastarë të shqiptarëve të pafajshëm, haraçxhinj të babëzitur, hajna zyrtarë të pacipshëm, të cilët, rrënuan të sotmen e Kosovës dhe duan ta vrasin edhe të ardhmen e saj.

Gjykata Speciale, përkatësisht, përpjekja e ethme për shfuqizimin e saj, e nismuar dhe e vazhduar nga kupola shtetërore, të mbështetur, besnikërisht, nga bandat e tyre në Shoqatën e "veteranëve" dhe nga disa deputetë, kryesisht, eksponentë të krimit vrastar dhe korruptiv, vazhdon të jetë krye temë e medieve dhe e popullit të Kosovës, sepse pushtetarët, për interesa vetjake, për t`i ikur ndëshkimit, për krimet, makabre, tashmë të faktuara, kanë vënë në ankand shtetin e Kosovës.

Arsyetimet e pushtetarëve qendrorë, përkatësisht, të presidentit, kryeparlamentarit, kryeministrit, me lakenjtë e tyre, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, janë të marrëzishme, plot hipokrizi dhe falsifikime groteske, që arrijnë deri në idiotësi.

"Xhevahirët" e presidentit, "i zënë me pelë për dore"

"Të gjithë akuzuarit nga Gjykata e Hagës, janë dëshmuar si të pafajshëm",- thotë Hashimi në intërvistën për "Zëri i Amerikës!" Rrenë qoftë. Janë dënuar për krime të faktuara disa syrësh dhe janë liruar për arsye politike, por edhe të paguara, nga haraçi vjelur, disa kriminelë potencialë.

"Kosova nuk është kundër sistemit të drejtësisë",- thotë presidenti aksidental, i zgjedhur nga Isa Mustafa dhe klani i tij. Por, kundër sistemit të drejtësisë kanë qenë dhe mbetën Hashimi, Kadrija, Ramushi, me banditët e tyre vrastarë të shqiptarëve të pafajshëm.

"Opinionet që paraqitën prej deputetëve janë opinione të njerëzve të zgjedhur, legjitimë dhe përfaqësues të popullit",- vazhdon të përrallisë presidenti, i dyshuar për shumëçka. Realisht, opinioni, kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, është i treshes , tashmë të zgjyrosur, pushtetar, i paraqitur nga deputetët e tyre, shumica bashkëpunëtorë në krime. Këta deputetë, të "zgjedhur" me paratë e haraçit dhe të hajnisë zyrtare, duke përfituar nga "Kosova - një zonë zgjedhore", pa ballafaqim me kundër kandidat zonal, nuk janë as legjitim dhe, rrjedhimisht, nuk përfaqësojnë popullin e Kosovës.

"Kosova duhet të trajtohet nga bashkësia ndërkombëtare njëjtë, sikurse është trajtuar çdo vend i ish-Jugosllavisë",- llomotitë presidenti. Asnjë krahasim nuk mund të bëhet me vendet në fjalë. "UÇK-ja" e SHIK-ut, ka vrarë jo vetëm kundërshtarët politikë shqiptarë, gjatë dhe pas luftës, por edhe dëshmitarët e mundshëm për këto vrasje. Dhe, askënd nga autorët e krimit nuk ka arritur ta arrestojë, e aq më pak, ta dënojë drejtësia vendore. Sepse, kupola e krimeve numerike, gjatë dhe pas luftës, ka qenë dhe është në pushtet. Sistemi i drejtësisë, madje, i të gjitha nveleve, është i kapur nga pushtetarët aktual. Krejt ndryshe ka ndodhur në vendet tjera, të përfshira në luftërat e fundit. Për shembull, Gjykata kroate, në mes tjerëve, ka dënuar edhe 37 gjeneralë, për tejkalim të normave, shkelje të ligjeve të luftës.

"Lojaliteti i Kosovës nëpërkëmbët apo ndëshkohet nga ndërkombëtarët",- mbllaçitë presidenti mjeran. Asnjë lidhje nuk ka respekti  dhe lojaliteti i popullit të Kosovës, me kriminelët, që e kanë përgjakur, pikërisht, popullin shqiptar të Kosovës. Përgjithësimi është një falsifikim i vrazhdët i Hashim dallaveres. Fundja, çdo popull i ka kriminelët e vet. Në vendet ligjore e demokratike, kriminelët izolohen, dënohen, burgosën. Ndërkohë që në Kosovë kriminelët, që nuk ka kush t´i dënojë, shpërblehen, duke u vënë në krye të shtetit. legjislativit dhe të pushtetit!

"UÇK-ja është lëvizja guerile më e suksesshme që ka ndodhur ndonjëherë në botë",- lavdërohet, pa doganë fare, presidenti, i cili akuzohet, veç tjerash, se ka urdhëruar ekzekutimin e ministrit të luftës, Kolonel Ahmet Krasniqin, pikërisht, në vlugun e luftës!! Ai anashkalon, qëllimshëm, FARK-un, për luftën me formacione ushtarake dhe komandë, gjë që i ka munguar "UÇK-së" të SHIK-ut. Realiteti është se guerilja e Hashimit me shokë, e "komanduar" nga Diaspora e Rogneri, ka dështuar. Vetë fakti se nuk arriti as ta godasë armikun pushtues dhe as ta mbrojë popullatën e pambrojtur, dëshmon për dështimin e kësaj guerile, të përfaqësuar nga "komandantë" profanë, pa asfare përgatitje as shkollore dhe as ushtarake.

"Jam i shqetësuar me ekzagjerimin që i bëhet këtij procesi të opinionit të deputetëve të Kosovës",- insiston presidenti, për ta hedhur nismën ke deputetët nënshkrues të kërkesës zyrtare, për shfuqizimin e Gjykatës Speciale! Një falsifikim dhe hipokrizi prej burracaku intrigues, ngaqë i gjithë skenari është i treshes së parë të SHIK-ut: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinaj.

Letra e Veselit - tiradë demagogjike

Është një letër e formuluar me kujdes, produkt i ekipit në kabinetin e Kadrisë, sepse përgatitja e mangët intelektuale, e vë në dyshim autorësinë e tij. Është "una gentile retirata", një tërheqja e mençur, siç thonë italianët, nga një marrëzi e madhe, siç është kërkesa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Letrën e përshkon, fillim e mbarim, një lumë fjalësh, gjithë hipokrizi, demagogji dhe cinizëm të skajshëm.

"Gjykatën Speciale më së paku në botë e ka merituar Kosova që t`i ndodhë, por ajo do të ndodhë edhe pse ka qendra argumente që flasin kundër saj. Është padrejtësi që po bëhet në emër të drejtësisë!",- fillon tiradën e shpëlarë , mjerisht, kryeparlamentari Kadri Veseli. Vërtet, janë mijëra argumente, që flasin me fakte, për krijimin dhe veprimin e kësaj Gjykate të Posaçme, për Kosovën e përgjakur, përveç pushtuesit, edhe nga vetë shqiptarët, përkatësisht, nga banda e LPK-së, me SHIK-un e saj, hafije e Tiranës zyrtare komuniste, Serbisë dhe e aleatëve të saj. Themi mijëra argumente, sepse janë shumë qindra të ekzekutuar: ushtarakë të FARK-ut, veprimtarë të LDK-së si dhe kuadro të LPK-së, të cilët denoncuan tradhtinë e "komandantëve" të Rognerit.

"Dita e 22 Dhjetorit ishte ditë dramatike. Dramacitetit të saj, padyshim, i kontribuam të gjithë, ne që jemi në politikë...",- lexojmë në letrën e firmuar nga Veseli. Dramën-komedi e nisi Kadrija me Hashimin dhe Ramushin. Të tjerët veçsa e komentuan, duke u bindur se këta janë edhe autorët e tragjedisë shqiptare, të cilët kanë përdorur shumë stratagjema, për t´i fshehur krimet e tyre, të luftës dhe të pas luftës, për t`i ikur drejtësisë, gjykimit, dënimit.

"LDK-ja, tradicionalisht apatike, atë natë ishte hiperaktive. Donte të shfrytëzonte momentumin, për t`u dhënë goditje "armiqve të vjetër të kohës së luftës", - akuzon Veseli partinë që e përgjaku, duke ia ekzekutuar veprimtarët, burrat dhe djemtë më të mirë saj. Mos, vallë, ai ka pritur t`i mbështesë urdhërdhënësit dhe vrasësit e kuadrove dhe të veprimtarëve të saj?! Megjithatë, ka sa leshko, për të mos thënë edhe argarë të SHIK-ut, që thonë se "Gjykata Speciale është e dëmshme për Kosovën, por është e domosdoshme"!?!

Kapja dhe ndëshkimi i kriminelëve, jo vetëm nuk i sjell dëm Kosovës, përkundrazi, e lehtëson dhe e liron nga ngufatja 2O vjeçare. Populli duhet ta mësojë, një herë e mirë, se kanë ekzistuar dy UÇK-e: "UÇK-ja e FARK-ut, strukturë e themeluar nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova, dhe me infrastrukturë të përgatitur nga Kolonel Ahmet Krasniqi, ministër i luftës. Dhe, "UÇK-ja" e SHIK-ut, sabotatore e luftës dhe ekzekutore e luftëtarë të FARK-ut, të veprimtarëve të LDK-së, si dhe kuadrove të hershëm të LPK-së, që u angazhuan, individualisht apo në grupe, kundër pushtuesit, pa përfillur Shtabin e "komandantëve" të Rognerit.  

"Vetëvendosje, nga idealizmi pakompromis" në oportunizëm brutal. Gjykata Speciale si mundësi për të ardhur në pushtet", - sulmon Vetëvendosjen Veseli, sepse nuk pranoi të mbetet bisht i PDK-së. Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje ishte krejt i gabuar, tre vjet më parë, kur votoi kundër krijimit të Gjykatës Speciale. Njeriu nuk mund të jetë fëmijë i përjetshëm. Pjekuria aktuale e dëshmuar, flet për këndellje të kësaj Lëvizje rinore e shpresëdhënëse për Kosovën.

"Nevoja e ndriçimit të krimeve kundër veprimtarëve të LDK-së, është domosdoshmëri dhe interes nacional",- shpërfaqë hipokrizi e demagogji, njëherësh, kreu i SHIK-ut, kreu i krimit, Kadri Veseli. Atëherë, rrjedh pyetja, pse e bllokuat dhe e shkatërruat sistemin e drejtësë, për dy dekada radhazi; pse kërkoni ta shfuqizoni sot Gjykatën Speciale, si shpresë dhe mundësi të vetme, për t`i ndriçuar vrasjet numerike të kundërshtarëve tuaj politikë?!

"Duhet të gjejmë gjuhën e përbashkët të konsensuesit nacional",- tallet e mashtron opinionin Veseli. Hajde rrenë, hajde! Askush më shumë se sa ju, pra, ti, Kadri Veseli, Hshim Thaçi, Ramush Haradinaj, me bandat e juaja, nuk ka arritur ta shkatërrojë konsensusin nacional, të cilin, në kohë shumë më të mugëta, e bëri shtet bërësi i Kosovës, i pa ndërmjetës në histori në tonë kombëtare, që nga koha e Gjergjit tonë të lavdishëm.

"Sot është momenti të dëshmojmë, se jemi përfaqësues të denjë të këtij populli krenar", - e përmbyllë tiradën e tij panagjerike, patetike, hipokrite e demagogjike, Kadri SHIK-u. Realisht, as përfaqësues të denjë dhe as popull krenarë. Një popull që vazhdon ta votojë PAN-in, edhe pas gjithë atyre rrahjeve, maltretimeve, kidnapimeve, burgosjeve në burgjet rurale të "UÇK-së", vrasjeve në pusi, ditën për diell e natën në errësirë, hajnisë zyrtare, haraçit dhe përtokjes të shtetit të brishtë të Kosovës, nuk ka as krenari dhe as trimëri qytetare.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test