“Është e qartë, Vetëvendosje është ndarë në dysh” - Bota Sot
“Është e qartë, Vetëvendosje është ndarë në dysh”

Politika

E hënë, 23 korrik 2018

“Është e qartë, Vetëvendosje është ndarë në dysh”

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 13 janar 2018 Në ora: 18:52
Pamje nga shpalosja e platformës së Albin Kurtit

Sot, është mbajtur tubimi i Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilin kandidati i vetëm për kryetar të kësaj partie Albin Kurti, shpalosi platformën e tij, përcjell “Bota sot”.

Të pranishëm në këtë tubim ishin anëtarë, aktivistë të Lëvizjes e qytetarë të shumtë. Por, kishte edhe prej atyre që nuk morën pjesë fare për të dëgjuar platformën e Kurtit.

Në këtë tubim i cili u mbajt në ‘Sallën e Kuqe’, të Pallatit të Rinisë, nuk janë parë asnjë nga anëtarët e kësaj partie të cilët janë dalë kundër Kurtit.

Mungesën e 16 deputetëve, njohësi i çështjeve politike, e konsideron si konfirmim të ndarjes dhe se grupi i të revoltuarve do të formojnë partinë e tyre.

Image
Faik Krasniqi

Faik Krasniqi duke folur për “Bota sot”, ka thënë se ky grup, kurdo që do të mbahen zgjedhjet nacionale, nuk mund të fitojnë vota ashtu siç kanë fituar në Vetëvendosje.

“Tashmë është e qartë që Vetëvendosje është ndarë në dysh, dhe sipas të gjitha gjasave ky grup i të revoltuarve do të formojnë partinë e tyre. Por, ky grup kurdo që do të mbahen zgjedhjet nacionale, nuk mund të fitojnë vota ashtu siç kanë fituar në Vetëvendosje, sepse ata janë rritur bashkërisht me Vetëvendosjen. E, aq më pak të marrin besimin e qytetarëve me disa njerëz brenda këtij grupi, të cilët i njohim si persona të dhunshëm. Një gjë të tillë na e kanë dëshmuar në të kaluarën”, është shprehur Krasniqi.

Ai ka thënë se largimi i tyre nuk e dobëson aspak Vetëvendosjen. Sipas Krasniqit, të larguarit e Lëvizjes Vetëvendosje mund të zëvendësohen me figura të reja nga shoqëria civile dhe bota akademike.

“Më shumë se kalimin e pragut zgjedhor, nuk do të mund të bëjnë asgjë më shumë, dhe largimi i tyre nuk e dobëson aspak Vetëvendosjen. Përkundrazi. Dhe të gjithë ata që janë larguar nga ky subjekt mund të zëvendësohen me figura të reja nga shoqëria civile dhe bota akademike”, përfundoi Faik Krasniqi për “Bota sot”.

Deputetët të cilët kanë munguar në tubimin e Vetëvendosjes janë: Visar Ymeri, Shpend Ahmeti, Dardan Molliqaj, Dardan Sejdiu, Aida Dërguti, Fisnik Ismaili, Donika Kadaj- Bujupi, Rexhep Selimi, Dukagjin Gorani, Faton Topalli, Sali Salihu, Shemsi Syla, Frashër Krasniqi, Qëndron Kastrati, Shqipe Pantina dhe Drita Millaku.

"Bota sot" ka kontaktuar me disa prej deputetëve të VV-së që kanë munguar në tubim, për t'i pyetur rreth arsyeve të tyre për mospjesëmarrje, mirëpo kontakti me ta ka qenë i pamundur./BS

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test