Banda e Haradinajt prapa “bipiiit”, të Shkumbin Mehmetit

Politika

Banda e Haradinajt prapa “bipiiit”, të Shkumbin Mehmetit

Nga: Bota sot Më: 14 janar 2018 Në ora: 08:15
Ramush Haradinaj dhe Shkumbin Mehmeti

Të gjithë ata që e kanë shikuar emisionin televiziv të enjten në mbrëmje, e kanë ditur se për cilën figurë shtetërore po flet Shkumbin Mehmeti, dëshmitarë i mbrojtur, pavarësisht se emri i thënë është përcjellë me një “biiiip” të lëshuar nga televizioni. Lëvizja e buzëve, por edhe përmendja e Gazmend Sylës, këshilltar i Kryeministrit Haradinaj, Lah Ibrahimajt po ashtu i afërt me kryeministrin si dhe ish deputet i AAK-së dhe Avdyl Mushkolaj njeri i afërt me AAK-në dhe Kryetari i OVL së UÇK-së në Deçan, kanë emërues të përbashkët vetëm një emër. Shkumbin Mehmeti përmend emrin e Ramush Haradinajt, duke e ndërlidhur me grupin që ka kryer vrasjet e Tahir Zemajt, Sabahate Tolajt, Smajl Hajdarajt dhe tentim vrasjen e Ramiz Muriqit.

Deklarata e dëshmitarit të mbrojtur Shkumbin Mehmeti, që pranon se ka qenë i përfshirë në një mori vrasjesh pas luftës, prej tyre edhe disa figura të rëndësishme të LDK-së, tregon se institucionet e drejtësisë në Kosovë nuk kanë guxim për t’i hetuar këto vrasje.

Mehmeti në intervistën për televizionin “Klan Kosova”, thotë se grupi në të cilin ai bënte pjesë ka qenë i përfshirë në vrasjen e Tahir Zemajt, Sabahate Tolajt, Isuf Haklajt, Smajl Hajdarajt dhe në tentim e vrasjen e Ramiz Moriqit.

Ai thotë se ka qenë Ibrahim Kelmendi, themeluesi i LPK-së që ka udhëhequr këtë grup dhe që ka urdhëruar disa vrasje.

Më pas, Mehmeti thotë se grupit të tij i ka ndihmuar edhe vëllai i deputetit të AAK-së, Lahi Ibrahimaj që në atë kohë ishte oficer i TMK-së në Gjakovë.

Thotë se në grupin e tij ka qenë edhe Gazmend Syla këshilltar i tanishëm i kryeministrit Ramush Haradinaj dhe Avdyl Mushkolaj i afërm i AAK-së.

“Ka dyshime të forta Gjykatat vendore janë të nje anshme dhe janë të ndikuara prej partive të ndryshme sidomos prej (bepppp).. i kanë pas njerëzit e vet që kanë kryer vrasje e ki sot Gazmend Sylen që osht shef në shoqatat e veteranëve u kanë pjesë e grupit tonë dhe na ka ndihmu për më kry vepra kriminale. Është edhe Lahi Ibrahimaj më të cilin jemi takuar dhe Avdyl Mushkolaj që po jemi taku dhe kjo është pjesë e aktakuzës, u kanë pjesë e grupit nuk po them që ka kryer vrasje sepse jo çdo anëtar i grupit kryen vrasje, dikush kryen vrasjen dikush e përcjell dikush e blenë kerrin dikush ja qet benzinën, dikush e blenë armen, dikush tjetër e jep një informacion secili e kryen punën e vet dhe i ka mekanizmat e vet jo çdo njeri kryen vrasje. Ka pas njerëz në prokurori, ka pas njerëz në polici dhe ka pasur edhe njerëz të cilët edhe i kanë humbur gjurmët në vendin e ngjarjes pas plotë njerëz dhe ka plot raste të tilla. Polici e ka kryer punën e vet, prokurori punën e vet duke e mbyll rastin ky tjetri e bo vrasjen, qashtu shkojnë këto sene”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër,  familjarët e të vrarëve të LDK-së u kanë bërë thirrje organeve të hetuesisë për tu merr me deklaratat e tij.

Familjarët e aktivistëve të vrarë të LDK-së, i bëjnë thirrje prokurorisë për hetime

Familjet Zemaj, Tolaj dhe Haklaj kanë reaguar pas dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti.

Përmes një deklarate të përbashkët, familjet janë shprehur të tronditura lidhur me deklaratat dhe pretendimit e dëshmitarit, përcjell Bota sot.

Familjet Zemaj, Tolaj e Haklaj i kanë bërë thirrje prokurorisë së shtetit që të marrë seriozisht pretendimet e dëshmitarit.

“Dje, më datë 11 janar 2018, në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, është transmetuar dëshmia e Shkumbin Mehmetit, dëshmitar i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, ku janë dhënë dëshmi tronditëse për krime të pandriçuara në Kosovë. Në dëshminë e tij, z. Mehmeti, ndër të tjera, ka dhënë informacione që lidhen me vrasjen e Kolonel Tahir Zemajt si dhe të dy policëve hetues, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, duke dëshmuar për motivet që çuan urdhërdhënësit për porositjen e këtyre vrasjeve si dhe duke apostrofuar emra që mund të jenë të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve”, thuhet në deklaratën e përbashkët të familjarëve.

“Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherit i dënuar për krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë, Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj”.

“Por, ajo që na ka shqetësuar pa masë është dëshmia e tij në lidhje me neglizhencën e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të tij. Jemi thellësisht të indinjuar që pavarësisht pretendimeve të dëshmitarëve të mundshëm që do të çonin në zbardhjen e këtyre vrasjeve, por edhe të shumë krimeve të tjera të kryera në Kosovë me motive politike, prokurorët nuk kanë bërë sa duhet për ta përmbushur obligimin e tyre konform standardeve etike dhe profesionale, duke i lënë këto raste në mëshirën e fatit”.

“Familjet tona ftojnë Prokurorinë e Shtetit që t’i marrë shumë seriozisht të gjitha pretendimet e këtij dëshmitari dhe dëshmitë e tjera eventuale dhe t’i trajtojë ato me seriozitet, në mënyrë që kryerësit e këtyre krimeve të marrin dënimin e merituar”, përfundon deklarata e përbashkët e familjarëve Zemaj, Tolaj dhe Haklaj.

Prokuroria të merret urgjentisht me deklaratat e Mehmetit

Se prokuroria duhet të hetoj deklaratat e Mehmetit e thonë edhe analistë politik në vend.

Image
Faton Mehmeti

“Dëshmia e mbrëmshëm e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti shpërfaq të vërtetën e munguar tash e 18 vjet. Me këtë rast Prokuroria e Shtetit duhet të urdhëroj arrestimin e të lartpërmendurve në dëshminë e Shkumbin Mehmetit. Por, dyshoj se kjo do të ndodh, pasi prokuroria është e kapur nga njerëz të politikës, e që janë të shoqëri me vrasësit”, thotë për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Mehmeti thotë se vrasja e zyrtarëve të LDK-së ka qenë e organizuar në mënyrë që të vjen në pushtet krahu i luftës.

“Nuk besoj se gjyqësori i Kosovës ka guxim të merret me këto vrasje, shpresa e vetme është Gjykata Speciale. Gjithsesi dëshmia e Shkumbin Mehmeti është pista nga duhet të fillohen hetimet, dhe që vrasësit të dalin para drejtësisë”, thotë më tej Faton Mehmeti.

Ai shtoi, se pa Gjykatën Speciale asnjëherë e vërteta s’do të del në pah, andaj është e nevojshme që sa më parë të kemi Gjykatën Speciale.

Edhe njohësi i sigurisë në Kosovë, Fadil Kajtazi thotë se këto raste nuk janë hetuar për shkak të frikësimeve nga ana e gjyqtarëve.

“Zakonisht siç u pa prej intervistës së tij prokurorët kanë marrë nga ai deklarata fillestare nga Shkumbin Mehmeti. Por në momentin që kanë marr deklarata dhe në momentin që janë përmend emra të profileve të larta, sigurisht që prokurorët kanë hezituar të merren”, thotë Kajtazi për “Bota sot”.

Ai thotë se kjo bërë që ka çuar në themelimin e Gjykatës Speciale.

Ai shtoi se në bazë të deklaratave të Shkumbin Mehemtit, grupi i tij ka qenë nga njerëz të LPK-së, AAK-së dhe të PDK-së.

Zogaj: Dështoi Drejtësia në Kosovë

Nga ana tjetër, Skender Zogaj e konsideron të dështuar drejtësinë në Kosovë për shkak të mos guximit të hetimit për vrasjet e zyrtarëve të LDK-së.

Image
Skender Zogaj

“Drejtësia në Kosovë nuk funksionon, funksionojnë vetëm disa shërbime emergjente të cilat në emër të drejtësisë u bien në qafë të pa krahët e pambrojturit, nëpërmjet të cilëve realizohen disa vjellje gjobash të mjera, dhe sajohen shufra nëpërmjet të cilave institucionet e drejtësisë, e sidomos gjykatat përpiqen të arsyetojnë punën e "madhe" që bëjnë! Në fakt nga raportet vjetore të punës së organeve të drejtësisë shihet drejtësia nuk ekziston, derisa dënohen me mija njerëz që bëjnë shkelje ordinere, por jo keqpërdorues e mëdhenj, siç ka ndodhur fjala vjen me shkelësit në komunikacion ose me qindra policë të thjeshtë që janë dënuar si mitëmarrës të 5 eurove, por nuk është dënuar, fjala ven, grupi i organizuar kriminal i plaçkitjes së vlerave marramendëse në dhomat e dëshmisë në Prishtinë e në Pejë!”, thotë Zogaj për “Bota sot”.

Sipas tij, prokuroria po heziton të hetojë vrasjet që po i përmend Shkumbin Mehmeti.

“Pra kjo është gjendja reale prandaj, krejtësisht e shpjegueshme është që Prokuroria Speciale e Kosovës nuk merret me hetimin e rasteve serioze, me krimet e larta që kanë ndodhur e për të cilat flasin vet kryerësit e krimeve, siç është rasti i Shkumbin Mehmetit, i cili me emra e mbiemra tregoi anëtarët e grupit ku ai vet ka qenë pjesëtarë. Heshtja e organeve të drejtësisë përballë denoncimeve konkrete që ndodhin, është dëshmi se drejtësia kosovare është e kapur dhe nuk guxon të kryej misionin e saj”, thotë më tej Zogaj.

“Në këtë situatë Gjykata Speciale është më se e nevojshme, jo pse ajo do të bëjë mrekullira, por sepse, ajo do të bëjë qejfin e saj duke bërë me dije se ku "ku fle lepuri"! A do të mjaftojë kjo që Kosova të ballafaqohet me krimin, mbetet te shihet pasi të jenë ftuar në Gjykatën Speciale të akuzuarit e supozuar se kanë bërë krime”, shtoi Zogaj.

Deklarata e Kryeprokurorit Lumezi

Deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmetit, tronditën opinionin, sidomos pasi që ai përmendi disa emrave që sipas tij janë fajtorë për dhënie të urdhrit dhe vrasje të disa personave, rastet e të cilëve ende nuk janë zbardhur. Lidhur me këtë çështje ka komentuar kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi.

Lumezi e ka bërë të ditur se për këto raste tashmë hetimet janë ngritur dhe po hetohen nga prokuroritë themelore, ndërsa një numër i tyre po hetohet nga prokurorët ndërkombëtarë të EULEX-it.

“Disa raste janë duke u hetuar nga prokuroritë themelore, varësisht nga vendi i kryerjes së veprës penale, ndërsa një numër i rasteve të përmendura ende janë në duart e prokurorëve ndërkombëtarë të EULEX-it”, tha kryeprokurori.

Gjithashtu, ai deklaroi se janë në pritje që këto raste të transferohen te prokurorët vendor deri kur EULEX të përfundojë mandatin.

“Ne jemi duke pritur që edhe këto raste të transferohen te prokurorët vendor deri në përfundim të mandatit të EULEX-it”, përfundoi Lumezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat