“Kosova drejt izolimit, po futemi në konflikt me perëndimin”

Politika

“Kosova drejt izolimit, po futemi në konflikt me perëndimin”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 14 janar 2018 Në ora: 10:26
Gjykata Speciale

Tentimi i 43 deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, është bërë temë edhe në mediat e huaja. Kështu EU Observer, një medium të pavarur që mbulon zhvillimet brenda Bashkimit Evropian, ka publikuar një artikull, i cili i jep hapësirë zhvillimeve politike në vend për Gjykatën Speciale.

Sipas këtij mediumi, i cili citon mediat ballkanike, dy ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka shumë mundësi të përballën me këtë gjykatë.

Bëhet fjalë për presidentin Hashim Thaçi dhe deputetin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj, të cilët kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale.

“Daut Haradinaj dhe Thaçi, të dy ish-komandantë të UÇK-së, ka shumë mundësi të ballafaqohen me raste në Institucionin Gjyqësor të Zhvendosur të Specializuar të Kosovës”, ka shkruar EU Observer, duke theksuar se me kundërshtimet që po i bëhen Gjykatës, po rrezikohet e ardhmja evropiane e Kosovës.

E spekulimet për arrestimet e mundshme të ish-figurave të larta të UÇK-së nga Specialja, kanë nxitur zërat të cilët thonë se ato mund të shkaktojnë trazira në vend.

Këtë e kanë pohuar edhe njohës të çështjeve të sigurisë, sipas së cilëve Kosova do të përballet me pasoja të mëdha, në rast se për këtë çështje, duhet të intervenojë edhe KFOR-i.

Duke folur në lidhje me këtë çështje, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, ka thënë se ka një zymtësi të strukturave shtetërore që merren me siguri.

Ai këtu ka përmendur edhe rastet, në të cilat, sipas tij, shteti ka dështuar funksionimin.

“Problemi ekziston te brishtësia e strukturave shtetërore të Kosovës, të cilat ligjërisht garantojnë sigurinë e Kosovës. Ne jemi dëshmitarë të mosfunksionimit të shtetit në rastin e përfshirjes së ministrave në qitje me armë në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu, aktuale është edhe video live e rrahjes publike të drejtorit të postës nga dy policë civil, dhe së treti, justifikimin e kryeministrit të rastit të përdorimit të armëve në mënyrë të paautorizuar të vartësve të tij si dhe heshtjen në rrahjen publike të policëve të drejtorit të postës. Kjo është një qasje primitive për shtetin, e cila nuk përkon me standardet nga të cilat janë ndërtuar demokracitë perëndimore. Këto dy raste janë mostra të cilat pos tjerash, janë tregues i mjaftueshëm për një zymtësi të strukturave shtetërore që merren me siguri”, është shprehur Kajtazi për gazetën “Bota sot”.

Kajtazi: Kosova drejt izolimit, po futemi në konflikt me perëndimin

Image
Fadil Kajtazi

Eksperti i sigurisë ka theksuar se serbët, të ndihmuar nga rusët, po krijojnë kauza false, të cilat vendin po e çojnë drejt izolimit dhe futjes në një konflikt latent me perëndimin.

“Në anën tjetër, në Kosovë janë aktiv faktorë të jashtë, të fuqishëm që çdo ditë punojnë për të shkaktuar destabilizim të vendit në shkallë të gjerë ngjashëm me atë të marsit të marsit të vitit 2004. Spiunazhi serb i ndihmuar edhe nga ai rus, janë në vijën e parë të frontit për t’i futur shqiptarët në konflikt me SHBA dhe vendet evropiane. Këta posedojnë infrastrukturë të mjaftueshme për ta realizuar këtë objektiv. Duke shfrytëzuar qasjen primitive për shtetin që kanë pushtetarët tanë, serbët të ndihmuar nga rusët, po arrijnë të krijojnë kauza false të cilat vendin po e çojnë drejt izolimit dhe futjes në një fazë të konfliktit latent me perëndimin, e që siç e dimë, është garantues i shtetësisë së Kosovës”, ka theksuar Fadil Kajtazi.

Sipas Kajtazit, për të mos lejuar një përshkallëzim të gjendjes së sigurisë, mund të intervenojë edhe NATO. Por, ai ka theksuar se Kosova do të përballet me pasoja të mëdha, nëse do të duhej një ndërhyrje e detyrueshme e NATO-s nga ndonjë trazirë eventuale.

Madje sipas ekspertit Kajtazi, një gjë e tillë, do të hapte rrugë Rusisë, për prani ushtarake në Kosovë, që do të pasonte me ndarje të pjesës veriore.

“Këto janë përpjekje permanente, por e kanë një fund, i cili mendoj se do të parandalohet nga një ndërhyrje operacionale e vendeve të NATO-së, për të mos lejuar një përshkallëzim. Nëse vije deri të kjo, dmth një ndërhyrje e detyrueshme e NATO-s për ta stabilizuar vendin nga ndonjë trazirë eventuale, Kosova do të përballet me pasoja të mëdha, ku në radhë të parë do të hyjë në funksion Rezoluta 2144, e cila pos tjerash do t’i hapë rrugë legale Rusisë, për prani ushtarake në Kosovë, gjë e cila do të rezultojë me ndarje përfundimtare të pjesës veriore. Në fakt, ky është edhe synimi i agjenturave serbe, të cilat po tentojnë ta destabilizojnë vendin përmes kauzës së Gjykatës Speciale, demarkacionit, etj. Jemi dëshmitarë të një heshtje absolute të Beogradit zyrtar në këto çështje, për ata që kanë dy gram dije nga këto punë, ky është një fakt i mjaftueshëm për të kuptuar se ata janë duke fërkuar duart!”, ka shtuar për “Bota sot”, Fadil Kajtazi.

Krasniqi: Po shkaktohet mjegull në opinion

Image
Faik Krasniqi

Por, ndryshe mendon njohësi i zhvillimeve politike Faik Krasniqi, sipas së cilit Specialja, nuk do të sjellë trazira. Ai i ka quajtur spekulime këta zëra, duke thënë se ato po bëhen për të shkaktuar mjegull në opinion.

“Nuk pres që fillimi i punës së Gjykatës Speciale do të sjellin ndonjë trazirë në Kosovë. Këto janë thjesht spekulime për të shkaktuar mjegull në opinionin. Tekefundit, vetë deputetët e Kuvendit të Kosovës e votuan ligjin kundër vetes dhe kundër Kosovës”, është shprehur Krasniqi për “Bota sot”.

Jashari: Jemi kundër Speciales, por Veseli të mos e keqpërdor besimin e qytetarëve

E kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve Xhavit Jashari, ka konfirmuar se ata vazhdojnë të jenë kundër Gjykatës Speciale. Megjithatë, për “Bota sot”, Jashari ka thënë se kjo çështje është në dorën e deputetëve, derisa ka theksuar se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se është zhvilluar për çlirimin e popullit.

Image
Xhavit Jashari

“Ne kemi qenë kundër krijimit të Gjykatës Speciale njëanshëm për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtarët e saj. Me krijimin e Gjykatës Speciale, shkelet kushtetutshmëria e shtetit të Kosovës, suprimohet drejtësia në Kosovë dhe ajo është e padrejtë. Megjithatë, është në dorën e deputetëve se si do ta mbrojnë votën e tyre të dhënë nga populli. Ne kemi qenë dhe jemi kundër një gjykate të tillë. Lufta e UÇK-së është zhvilluar në Kosovë, ka qenë luftë e drejtë që është zhvilluar për lirinë dhe çlirimin e të gjithë popullit. Ju e dini, por e dinë edhe ata që e kanë marr votën e popullit, por edhe shumë pseudo analistë, të cilët i shohim këto ditë me qëndrimet e tyre. Ata që kanë bërë krime kanë qenë ushtria dhe policia serbe e cila ishte e organizuar, jo vetëm të vriste, të masakronte, por kanë pasur edhe elaborate që ua kanë lënë akademikët për të shfarosur një popull të tërë dhe mendoj se kur preket në luftën njëanshëm në luftën  e UÇK-së dhe pjesëtarëve të saj, mendoj që preket në vlerën kulmore të popullit, jo vetëm në Kosovë, por edhe përmasa kombëtare”, ka thënë Xhavit Jashari.

Sipas tij, UÇK-ja nuk ka pasur nevojë për të bërë krime, por se ajo ka luftuar kundër ushtrisë dhe policisë serbe.

Ai i quajtur politike, ato që po i servohen Kosovës tani, por ka edhe një porosi për kryeparlamentarin Kadri Veseli.

“Mendoj se të gjithë obligohemi ta mbrojmë atë dhe në formën ta mbrojmë nënkuptoj të mos lejojmë që të përdhoset ushtria, kur dihet lufta me kë e kemi zhvilluar. UÇK-ja ka luftuar kundër ushtrisë dhe policisë serbe dhe nuk ka pasur nevojë të bëjë krime dhe në asnjë rast nuk është marrë me këto. Megjithatë këto janë të gjitha ato që po i servohen Kosovës dhe janë politike, por do të dështojnë sot ose nesër dhe mendoj se është mirë që të gjithë ata  që e kanë marrë detyrën, në këtë rast flas për deputetët e Kuvendit, e në veçanti për kryeparlamentarin, që të mos e keqpërdor besimin që ia kanë dhënë qytetarët, sepse vota i është dhënë që të mbrohet interesi nacional dhe ta zhvillojmë vendin si të gjithë vendet tjera, sepse jemi në vendin tonë, jemi popull që meritojmë të jemi të lirë, por edhe të barabartë me popujt tjerë në rajon dhe në Evropë”, ka nënvizuar Jashari.

Ai ka thënë se ata janë të palëkundur në qëndrimet e tyre ndaj Gjykatës Speciale, madje ka paralajmëruar që nuk do të lejojnë askënd që t’i bëjë padrejtësi vlerave të UÇK-së.

“Ne kemi qenë kundër krijimit të një gjykate të tillë dhe kemi protestuar, dhe ua kemi pamundësuar dy herë me miratuar Ligjin përmes deputetëve brenda. Në asnjë moment nuk ndërrojmë qëndrim ne jmei çdo herë me qëndrimet tona dhe nuk lejojmë nga askush që të bëhet padrejtësi kësaj vlere, në veçanti popullit dhe shtetit të Kosovë. Mendoj se fillimisht duhet të veprojmë si shtet, megjithëse këto institucione që janë krijuar pas luftës janë krijuar për të avancuar shtetin dhe popullin, por nuk ka zhvillim dhe avancim pa u mbrojt të gjithë ata që me jetën me gjakun dhe me gjymtyrët e tyre kanë përkrahur në plotë luftën e UÇK-së”, ka shtuar për “Bota sot”, Xhavit Jashari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat