Pas dëshmisë së vrasësit të pasluftës, kërkohet arrestimi vëllezërve Qerim e Ibrahim Kelmendi

Politika

Pas dëshmisë së vrasësit të pasluftës, kërkohet arrestimi vëllezërve Qerim e Ibrahim Kelmendi

Nga: BOTA SOT Më: 14 janar 2018 Në ora: 18:20
Vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi

“Në fakt, Ibrahim Kelmendi, moti kohë është përmendur si implikuar në vrasje. Në një rast pat thënë se “do e vrisja me dëshirë Ahmet Krasniqin”, kjo do të ishte e mjaftueshme që të merret në pyetje. Gjithsesi, deklarimet e Shkumbin Mehmetit, janë të mjaftueshme që vëllezërit Kelmendi të arrestohen. Nuk ka fakte më të mjaftueshme, se personi i gjallë që ka qenë pjesë e grupit e që deklarohet, nëse nuk ndodh arrestimi i tyre do të ishte skandal në vete. Andaj, Qerim dhe Ibrahim Kelmendi, duhet të arrestohen dhe të japin llogari për të gjitha krimet e pasluftës. Personalisht, besoj se Ibrahimi është i implikuar, njeri i rrezikshëm dhe që sa më parë të burgoset është më mirë. Deklaratat e Shkumbinit, duhet të merren seriozisht dhe si të tilla duhet të trajtohen”, është shprehur Faton Mehmeti.

Rrëfimi i të dënuarit me 30 vjet burg, dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë Speciale Shkumbin Mehmeti, për vrasjet politike, ka tronditur Kosovën.

Në një rrëfim për Klan Kosova, ai ka zbuluar akuza shokuese për vrasjet e veprimtarëve të LDK-së që janë kryer pas luftës.

Ai ka thënë, se ka qenë në një grup kriminal me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin, Faik Shaqiri dhe vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi, themeluesit të LPK-së.

Mehmeti, ka pranuar se grupi i tij ka marrë pjesë në vrasjen e Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt, Smajl Hajdarajt dhe në tentimin e vrasjen e Ramiz Muriqit.

Ai ka pohuar se ka informacione që mund të çojnë në zbardhjen e vrasjes së Xhemail Mustafës.

Rrëfimi i dëshmitarit

Dëshmitari ka thënë se grupi kriminal ishte formuar në vitin 2001, nga vëllezërit Qerim dhe Ibrahim Kelmendi, dhe se vrasjet e para janë kryer me urdhër të këtij të fundit.

“Grupi është formuar në fund të vitit 2001, kur unë s’kam qenë pjesë e tij. Është themeluar prej Qerim dhe Ibrahim Kelmendit. Këta janë vëllezër. Ibrahimi është themelues i LPK-së. Pas një kohë, ky grup e ka marr edhe përkrahjen e “(Emri dëgjohet me tingullin biiiiipp)”, jo menjëherë. Qerimi ka shkuar, ka folur personalisht me “emri dëgjohet me tingullin biiiiipp)”, pasi këta i kanë kryer disa vrasje, mandej Qerimi, (emri dëgjohet me tingullin biiiiipp)” me udhëzime të Agron Sylejmanit ka shkuar te (emri dëgjohet me tingullin biiiiipp) për të marr përkrahjen e tij për të vazhduar me vrasje tjera. Vrasjet e para janë kryer me urdhër të Ibrahim Kelmendit, madje, vrasjet e tjera që kanë filluar në fillim të 2003-tës, kanë filluar me përkrahjen, jam i bindur për atë që e them, kam informacione të sakta me përkrahjen e (emri dëgjohet me tingullin biiiiipp)”, ka rrëfyer Mehmeti.

Ai ka treguar se si kishin ndodhur vrasjet e Smajl Hajdarajt, Tahir Zemajt, Ilir Selimajt dhe Sebahate Tolajt, duke pohuar se ka informacione të dorës së parë se këto i ka kryer grupi i udhëhequr nga Kelmendët.

“Fillimisht, vrasja e Smajl Hajdarit që është kryer me urdhër të tij, edhe ka ndërhyrë në konfliktin që ka qenë në mes së familjes, Elshani dhe Kelmendi. Është një konflikt që është shumë i hershëm edhe ky grup në vazhdimësi e ka përkrahur familjen Elshani. Kur e ka marr përkrahjen e (emri dëgjohet me tingullin biiiiipp), ka ndodhur vrasja e Tahir Zemajt, Ilir Selimajt dhe Sebahate Tolajt. Nuk mund të them sa saktësisht, janë më shumë raste se persona munden me qenë shumë, që unë personalisht kam informacion të dorës së parë se ky grup i ka kryer. I tregova disa emra: Ilir Selimaj, Smajl Hajdaraj, Tahir Zemaj, Sabahate Tolaj. Nuk po hi në të tjerat. Është tentim vrasja e Ramiz Muriqit”, ka thënë në rrëfimin e tij dëshmitari Shkumbin Mehmeti.

Kundërpërgjigja e Kelmendit

Por, akuzat e Mehmetit, i ka mohuar vet Ibrahim Kelmendi. Ai ka thënë se dëshmitari Shkumbin Mehmeti është produkt i Hashim Thaçit, Xhavit Halitit dhe Baton Haxhiut, derisa rrëfimin e tij e quan shpifës dhe të përsëritur tash e disa vjet.

“Vrasësi Shkumbin Mehmeti - dëshmitar i mbrojtur, xhihadist mercenar ose kondom i xhavitëve, hashimëve e batonëve? Koha kur ka zgjedhur Baton Haxhiu për të emetuar "intervistë ekskluzive" me Vrasësin Shkumbim Mehmetin, i dënuar si vrasës i policëve, dëshmitar i mbrojtur, i shpërfytyruar në xhihadist, është një dëshmi shqetësuese se rreziku për komplotin në tentativë kundër "Gjykatës speciale" ende nuk është tejkaluar. Nuk me besohet se Baton Haxhiu nuk e dinte që "intervista" me këtë xhihadist nuk kishte ndonjë ekskluzivitet ekstra, sepse këto akuza të shpifura, ky xhihadist po i ripërsërit që disa vjet”, ka deklaruar Ibrahim Kelmendi gjatë ditës së shtunë.

Por, nuk mendojnë si Kelmendi, njohësit e çështjeve politike, sipas së cilëve, dëshmitari ka dhënë prova të mjaftueshme për të nisur hetimet ndaj vëllezërve Kelmendi dhe personave të tjerë, të përmendur për vrasje. Madje sipas tyre, ata duhet të arrestohen.

Dëshmi të mjaftueshme për arrestime

Duke folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti, ka thënë se Ibrahim Kelmendi edhe më herët ishte përmendur për vrasje, madje kishte deklaruar se “me dëshirë do ta vriste kolonelin Ahmet Krasniqin”.

Image
Faton Mehmeti

Sipas Mehmetit, deklarimet e dëshmitarit, janë të mjaftueshme që vëllezërit Kelmendi të arrestohen dhe të japin llogari për të gjitha krimet e pasluftës.

“Në fakt, Ibrahim Kelmendi, moti kohë është përmendur si i implikuar në vrasje. Në një rast pat thënë se “do e vrisja me dëshirë Ahmet Krasniqin”, kjo do të ishte e mjaftueshme që të merret në pyetje. Gjithsesi, deklarimet e Shkumbin Mehmetit, janë të mjaftueshme që vëllezërit Kelmendi të arrestohen. Nuk ka fakte më të mjaftueshme, se personi i gjallë që ka qenë pjesë e grupit e që deklarohet, nëse nuk ndodh arrestimi i tyre do të ishte skandal në vete. Andaj, Qerim dhe Ibrahim Kelmendi, duhet të arrestohen dhe të japin llogari për të gjitha krimet e pasluftës. Personalisht, besoj se Ibrahimi është i implikuar, njeri i rrezikshëm dhe që sa më parë të burgoset është më mirë. Deklaratat e Shkumbinit, duhet të merren seriozisht dhe si të tilla duhet të trajtohen”, është shprehur Faton Mehmeti.

Edhe sipas ekspertit të sigurisë Hajrullah Tërnava, Shkumbin Mehmeti, edhe më herët ka deklaruar se mund të bashkëpunojë më institucionet e drejtësisë për vrasje të pasluftës. Mirëpo, ai ka thënë se rrëfimi i tij, ka treguar se hetimet lidhur me këto vrasje deri tani, nuk janë zhvilluar si duhet.

“Ka vite që Shkumbin Mehmeti si i burgosur dhe i dënuar me 30 vite burg, për vepra të vrasjeve, është deklaruar se mund të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë për shumë vrasje të pasluftës, në të cilat ai ka marrë pjesë me një grup e për të cilat vepra, tani ai është dënuar me dënim të gjatë. Sikur që deklaron ai se ishte pjesëmarrës në këto vrasje, por që se ka vrarë askënd, dhe është dënuar me dënim të rëndë dhe të gjatë, kurse vrasësit e vërtetë janë të liruar. Lidhur me këtë, sikur që deklaron e shpjegon se është marrë në bisedë nga disa organe të drejtësisë, por shpjegimi i tij na bjen te konstatimi se hetimet lidhur me këtë nuk janë zhvilluar ashtu si duhet dhe rasti është heshtur si nga organet vendore, ashtu edhe ato ndërkombëtare. Tani sikur që e dëgjuam drejtpërdrejtë në Klan Kosova, ai jep shpjegime dhe detaje për disa vrasje që janë bërë dhe disa tentim vrasje”, ka thënë Tërnava për gazetën “Bota sot”.

Prokuroria t`i bëj hetimet

Sipas tij, Prokuroria do të duhej të dilte me vlerësime të detajuara rreth hetimeve se akuzat e Shkumbin Mehmetit, ishin të bazuara dhe kur të përmendurit në deklaratën e dëshmitarit, të jenë burgosur.

Në të kundërtën, siç ka thënë Tërnava, nëse akuzat e dëshmitarit, janë të pabazuara, Prokuroria do të duhej të dilte me demantim.

Image
Hajrullah Tërnava

“Shpjegimet e tij, marrë në tërësi të qarta dhe pa hezitim ai ka përmendur edhe emra të organizatorëve dhe ekzekutuesve të këtyre vrasjeve dhe tentim vrasjeve. Në deklarimin e tij, ai përmend edhe njerëz në pushtet dhe qeverisje të Kosovës me emra, por edhe të tjerë që janë qytetarë të lirë si vëllezërit Ibrahim dhe Qerim Kelmendi. Marrë në tërësi e shpjegova se nëse Shkumbini ishte deklaruar edhe shumë më herët se i dinte vrasësit e shumë vrasjeve, Prokuroria është dashur qysh atëherë të hapte procedurat e hetimeve dhe në detaje të zbardhte rastin lidhur me të gjitha të thënat e Shkumbinit, pavarësisht se kush ishin akterët e vrasjeve dhe organizatorët e tyre. Pa një hetim të detajuar për çdo vepër të vrasjeve të pasluftës, që deri tani ishin NN nga ana e Prokurorisë, nuk mund të flasim se hetimet kanë marrë fund. Fundi i hetimeve nga Prokuroria mund të jetë kur ky institucion del me vlerësime të detajuara të hetimeve se akuzat e Shkumbinit ishin të bazuara dhe se një herë e përgjithmonë, institucionet ndërmarrin masat e burgosjes për të gjithë të përmendurit në deklaratën e tij. Në të kundërtën, nëse deklaratat e Shkumbinit janë të pabazuara, një herë e përgjithmonë, prokuroria duhet të dalë në opinion dhe t’i demantojë këto akuza dhe rasti të mbyllet e të mos zgjasin pakufi këto akuza”, ka thënë më tej eksperti i sigurisë.

Tërnava, ka theksuar se duhet të hetohen të gjithë emrat e përmendur nga Shkumbin Mehmeti, pavarësisht se a bëhet fjalë për kryeministrin Ramush Haradinaj, apo vëllezërit Kelmendi, duke thënë se hetimet duhet t’i bëjnë hetuesit e EULEX-it.

“Pavarësisht se kush është i përmendur në akuzat e Shkumbinit, ndaj tyre duhet të zhvillohen hetimet në tërësi dhe njëjtë për të gjithë. Pavarësisht se a janë të përmendur në këto akuza vëllezërit Kelmendi apo vet kryeministri Haradinaj me të tjerët, këto hetime duhet në mënyrë të pavarur të udhëhiqen dhe Prokuroria vendore të del me një konstatim se a kanë bazë akuzat e Shkumbin Mehmetit, apo jo. Në rast se Prokuroria e Kosovës, nuk është e aftë t’i kryejë këto hetime, ato duhet t’i kryejnë hetuesit e EULEX-it, e sidomos kur është fjala se disa nga ata akuzohen se janë në poste të larta të qeverisjes së vendit, dhe për të gjitha të gjeturat, opinion duhet të jetë i informuar si rasti që tani opinion është në një huti dhe nuk e din se çka po ndodh”, ka shtuar për “Bota sot”, Hajrullah Tërnava.

Kelmendi: Mehmet agjenti profesional në fushën e spiunazhit

E njohësi i zhvillimeve politike Jeton Kelmendi, ka thënë se bazuar nga aspekti profesional, del se dëshmitari Shkumbin Mehmeti, lë përshtypjen e një “agjenti profesional në fushën e spiunazhit”.

Image
Jeton Kelmendi

“Mendoj se intervista me të burgosurin për krime të rënda, ka shokuar Kosovën. Kur analizohet nga aspekti profesional, ai nuk ishte njeri pa të dhëna, nuk ishte njeri që duhej marrë “hajt se po shpifka”. Mënyra se si i qasej secilës temë, ishte goxha e besueshme, ishin fakte të qëndrueshme. Ajo që më bëri përshtypje, është se ai njeri gjatë intervistës dukej sikur kishte një përvojë të punës në fushën e spiunazhit, për faktin se ishte i fokusuar t’i zbardhë disa gjëra, por sigurisht në mënyrë shumë profesionale, jepte edhe data, jepte limite e hapte temën deri diku, por jo tërësisht dhe mënyra e tij linte përshtypjen e një agjenti profesional. Sigurisht se ai me vet faktin se është i dënuar me 30 vjet burg, ka qenë edhe i involvuar në krime, por realisht do të duhej të merrej seriozisht”, ka thënë Kelmendi.

E duke komentuar deklarimet e Prokurorisë për këtë rast, e cila ka thënë se ka kontaktuar me Shkumbin Mehmetin, por i njëjti ka refuzuar të japë dëshmi, derisa nuk prishet aktgjykimi me të cilin i njëjti ishte dënuar me 30 vjet burgim, Kelmendi ka thënë se nuk i beson Prokurorisë, pasi sipas tij, ajo është e “kapur”.

Ai ka theksuar se, Prokuroria do të duhej me urgjencë të merrej me këtë rast, pasi tashmë ka emra konkret për vrasje.

Dështimi i misioneve ndërkombëtare të drejtësisë

Mirëpo, ai është shprehur pesimist se drejtësia mund të zbardhë këto raste, derisa të mos çkapet sistemi i drejtësisë nga mafiozët politikë.

“Mendoj se në një vend normal, Prokuroria edhe më herët do të duhej të merrej, por tash edhe më shumë urgjencë se tashmë ka emra konkret, dhe kjo do të thotë se Prokuroria në qoftë se nuk merret me këtë, është krim i dyfishtë nga vet ajo. Unë nuk pres rezultate, dorën në zemër, sepse pa ra komplet ky sistem i kalbur i drejtësisë, nuk ka drejtësi në Kosovë për të rënë ky sistem i kalbur i drejtësisë, duhet të bie ky sistem mafioz politik në Kosovë. Pra, është një sistem zingjir në Kosovë, që të bie ky sistem, duhet të bien politikanët, të cilët janë të aferave të ndryshme, të përmendura edhe hapur dhe që nuk kanë dhënë asnjë llogari. Drejtësia nuk është marrë kurrë me ta”, ka thënë Jeton Kelmendi.

Sipas tij, më tragjike është edhe dështimi i misioneve ndërkombëtare të drejtësisë.

“Ajo që është më tragjike, është se në këtë kontekst, vërehet një dështim total, një dështim i turpshëm i misionit të UNMIK-ut dhe të EULEX-it. Pra, dy misionet ndërkombëtare dështuan në aspektin e drejtësisë në Kosovë dhe kjo e komplikon edhe më shumë çështjen”, ka përfunduar për “Bota sot”, Jeton Kelmendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat