Deputetja Gaxherri tregon alternativat e LDK-për rrëzimin e qeverisë

Politika

Deputetja Gaxherri tregon alternativat e LDK-për rrëzimin e qeverisë

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 15 janar 2018 Në ora: 07:39
Besa Gaxhirri

Lidhja Demokratike e Kosovës doli partia më e madhe në vend, nga zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin e kaluar. E pakënaqur me qeverisjen aktuale, që udhëhiqet nga kryeministri Ramush Haradinaj, kjo parti paralajmëroi se do të sillte mocion mosbesimi në Kuvend, për të rrezuar Qeverinë.

Mirëpo, në vazhdën e gjërave aktuale që ndodhën, kjo çështje duket se duhet të presë apo do të presin që Qeveria të rrëzohet vetë.

Gaxherri: Vendi nuk ka shpëtim me këtë qeveri

Kështu ka deklaruar për gazetën “Bota sot” deputetja e LDK-së, Besa Gaxhirri, e cila ka thënë se në rend të ditës aktualisht janë temat që kanë prekur bazamentin e shtetit.

“Ne jemi të gjithë dëshmitarë të situatave të paparashikuar politike në vend dhe natyrisht që tani jemi shumë të mobilizuar për ta ruajtur qenien e shtetit. Mocioni nuk mund të bëhet pa i bërë 61 vota dhe tash për tash në rend të ditës kemi tema që janë për të ardhmen e këtij vendi dhe unë konsideroj, besoj dhe uroj që qeveria do të bjerë me mocion apo pa mocion sepse nuk ka shpëtim vendi me këtë qeveri nuk mund të ecet as një hap tutje”, është shprehur ajo.

Sipas deputetes së LDK-së, qeveria dhe presidenca kanë degraduar dhe BE e SHBA kanë filluar të distancohen.

“Fatkeqësisht, kjo qeveri bashkë edhe me presidentin, vendi ka degraduar deri në atë masë, sa që edhe publikisht  ka filluar të distancohet edhe BE edhe Uashingtoni dhe kjo është shumë shqetësuese. Ne do të jemi për të menduar dhe për të marrë vendimin më të mirë për vendin. Këto janë tema shumë të rëndësishme, është prekur bazamenti i shtetit”, ka deklaruar Gaxherri.

Tema për shfuqizimin e Speciales

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike Arbër Gashi thotë se tentimi i shfuqizimit të ligjit për Specialen, i ka vënë në plan të dytë paralajmërimet e LDK-së.

“Diskursi aktual politik rreth tentimit të shfuqizimit të Gjykatës Speciale nga ana e presidentit, kryeparlamentarit dhe kryeministrit, i ka hedhur në plan të dytë jo vetëm paralajmërimet e LDK-së për mocion, por edhe zhvillimet shumë domethënëse në LVV. Në anën tjetër, vet LDK-ja po ballafaqohet me probleme të shumta brenda saj, sepse një pjesë e madhe e anëtarësisë po e kërkojnë përgjegjësinë politike për vendimet e dëmshme të së kaluarës, siç është p.sh. vota për Thaçin president, mbështetja politike për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacionit antikushtetues të Serbisë së Madhe në zemër të Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, LDK duhet t’i zgjidhë problemet brenda saj dhe se elektorati është i vetëdijshëm për vlerën e LDK-së.

“Andaj, nëse krerët e LDK-së nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemet e brendshme kadrovike dhe t’i ofrojnë elektoratit një alternativë të besueshme politike, është fare lehtë e mundshme të ripërsëritet degradimi i saj si subjekt, në një lloj opozite të moderuar e të pangjyrë, rreth së cilës kundërshtarët politik bëjnë plane për koalicion dhe vjelje të votave për agjendat e tyre. Elektorati në Republikën e Kosovës është i vetëdijshëm për vlerën e madhe dhe pozitive që mund ta ofrojë LDK-ja, nëse ky subjekt ia arrin të pozicionohet pak më djathtas, të ç’kapet nga dora e vdekur e komunistëve dhe nga kthetrat e interesave personale të disa drejtuesve tashmë të konsumuar në tregun politik”, ka deklaruar Gashi për “Bota sot”.

Alternativat e LDK-së

Image
Faton Mehmeti

Në anën tjetër, analisti politik Faton Mehmeti vlerëson se LDK pa i pasur numrat, nuk duhet të dërgojë mocionin për rrëzim të Qeverisë, pasi ajo do të bie vetvetiu.

“Besoj se opozita, në këtë rast LDK nuk duhet të futet në aventura të mocionit për qeverinë, pa qenë i sigurt se ka votat e mjaftueshme për ta rrëzuar atë. Nëse LDK dërgon mocion pa i pasur numrat dhe me këtë rast dështon mocioni, kjo vetëm sa e fuqizon edhe më shumë qeverinë. Besoj se kjo qeveri vetvetiu do të bie pa pasur nevojë që qeveria ta rrëzojë atë. Andaj LDK s’ka pse e fuqizon një qeveri e cila së shpejti do të bie. Ngjarjet që pritet të ndodhin, siç janë Gjykata Speciale dhe Demarkacioni do e rrëzojnë këtë qeveri edhe ashtu të brishtë”, ka deklaruar Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat