Akuzat tronditëse të Shkumbin Mehmetit, prokuroria të nisë arrestimet

Politika

Akuzat tronditëse të Shkumbin Mehmetit, prokuroria të nisë arrestimet

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 16 janar 2018 Në ora: 07:36
Veprimtarët e vrarë, Xhemajl Mustaf, Tahir Zemaj dhe Shkumbin Mehmeti që pretendon se grupi i tij është përfshirë në këto vrasje

Gjatë javës së kaluar opinioni publik është “tronditur” nga deklaratat e dëshmitarit të mbrojtur të Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti, i cili ka rrëfyer disa nga vrasjet politike të pas luftës.

Mehmeti i cili është i dënuar me 30 vite burg, ka folur më konkretisht për vrasjen e Tahir Zemajt, Sebahate Tolajt, Smajl Hajdarajt dhe në tentimin e vrasjen ndaj  Ramiz Muriqit.

Pas kësaj deklarate të përbashkët kanë reaguar edhe familjarët e Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj, ku i kanë bërë thirrje prokurorisë së shtetit që të marrë seriozisht pretendimet e dëshmitarit.

Në këtë deklaratë për media thuhet se familjet janë shprehur të tronditura lidhur me deklaratat dhe pretendimit e dëshmitarit, dhe se janë shprehur të indinjuara për neglizhencën e zyrtarëve të shtetit, karshi deklaratave të dëshmitarit.

“Në dëshminë e tij, z. Mehmeti, ndër të tjera, ka dhënë informacione që lidhen me vrasjen e Kolonel Tahir Zemajt si dhe të dy policëve hetues, Sebahate Tolajt dhe Isuf Haklajt, duke dëshmuar për motivet që çuan urdhërdhënësit për porositjen e këtyre vrasjeve si dhe duke apostrofuar emra që mund të jenë të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve. Ashtu si është tronditur mbarë opinioni publik, edhe familjet tona janë tronditur thellë nga deklaratat dhe pretendimet e këtij dëshmitari, njëherit i dënuar për krime të kryera si pjesë e një grupi kriminal, po ashtu i apostrofuar si pjesë e ndërmarrjes së krimeve ndaj familjarëve tanë, Tahir, Hasan, Enis Zemaj dhe Sebahate Tolaj e Isuf Haklaj. Por, ajo që na ka shqetësuar pa masë është dëshmia e tij në lidhje me neglizhencën e zyrtarëve të shtetit karshi deklaratave dhe pretendimeve të tij”, thuhet në deklaratën për media.

Lidhur, me këto akuza të Mehmetit, ekspertët vlerësojnë se Prokuroria e Shtetit ka bazë të mjaftuar për të filluar hetimet për këtë krime të kryera, si dhe e të bëhet arrestimi i personave përgjegjës.

E vetmja shpresë, Gjykata Speciale

Analisti Nexhat Haziri e ka quajtur paradoksale intervistën e Shkumbin Mehmetit, por sipas tij, këto deklarata të Mehmetit do të duhej të hetohen nga  prokuroria e shtetit, pasi që ky i dënuar ka edhe statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

Image
Analisti politik, Nexhat Haziri

“Është paksa paradoksale një dënuar për terrorizëm del në media dhe deklarohet për vrasjet dhe autorët e këtyre vrasjeve. Megjithatë kjo paraqitje e tij dhe të dhënat që i ofroj është dashur që ta vënë në lëvizje prokurorinë e shtetit për të hetuar mbi këto deklarata nga ky dënuar i cili ka edhe statusin e dëshmitarit të mbrojtur. Po ashtu prokuroria duhet të hetoj edhe procedurën e dhënies se lejes për komunikim me media të dënuarit për terrorizëm Shkumbin Mehmeti”, ka theksuar Haziri.

Por, Haziri nuk pret nga prokuroria e shtetit ndonjë veprim, ku sipas tij e  e vetmja shpresë për tu zbardhur këto raste është Gjykata Speciale.

“Megjithatë unë nuk pres ndonjë veprim nga prokuroria e shtetit për faktin e ndikimeve politike nga zyrtarët më të lartë të shtetit të cilët në një mënyrë apo tjetrën janë të niveluar në vrasjet politike të pasluftës. E vetmja shpresë mendoj unë për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës dhe nxjerrjen e autorëve të këtyre akteve para drejtësisë është Gjykata Speciale. Nuk mund të vendosin drejtësi prokuror dhe gjykatës të cilët janë zgjedhur dhe emëruar nga vetë të dyshuarit për këto krime”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Prokuroria t’i arrestojë personat e përmendur nga Mehmeti

Ndërsa, analisti tjetër, Faton Mehmeti ka thënë se pas deklaratave të dëshmitarit të mbrojtur, prokuroria e shtetit do të duhej të fillojë me hetime dhe t`i arrestojë personat e përmendur nga Shkumbin Mehmeti.

Image
Analisti Faton Mehmeti

“Dëshmia e Shkumbin Mehmetit është tronditëse dhe si e tille duhet ta ngrit në këmbe prokurorinë e vendit. Pas kësaj dëshmie prokuroria duhet të arrestoj të gjithë të përmendurit, ndryshe personat e tillë mund të ikin nga vendi. Gjendja është alarmante, dhe sa më parë të arrestohen të përmendurit në këtë dëshmi. Vrasja e Tahir Zemajt, Xhemajl Mustafes dhe Smajl Hajdarajt kane autor dhe emër, mjafton të arrestohen personat në fjalë”, ka deklaruar Mehmeti.

Po ashtu, Mehemti beson që do të bëhen këto arrestime, pasi sipas tij prokuroria ka bazë të mjaftueshme që ta bëjë një gjë të tillë.

“Prokuroria ka mjaftueshëm bazë për arrestimin e autoreve, nëse kjo nuk ndodh i bie se prokuroria është e kapur nga krimi. Kështu besoj, gjithsesi duhet shpresojmë”, ka potencuar ai.

Krasniqi: Nuk mund t`i besohet aq shumë deklaratave të Mehmetit

Ndërkaq, analisti Faik Krasniqi, ka thënë për “Bota sot”,  se nuk mund t`i besohet aq shumë deklaratave të Shkumbin Mehmetit, edhe pse ato vrasje i ka kryer dikush.

“Një të dënuari me 30 vite burgim për vrasje të rënda, nuk është se mund t'i besohet aq shumë. Edhe pse ato vrasje i ka urdhëruar dhe i ka kryer dikush”, ka thënë Krasniqi për “Bota sot”.

Image
Analisti politik, Faik Krasniqi

Për më tepër, ai ka thënë se mund të jenë etikuar njerëz që nuk kanë lidhje me ato krime për t`i mbrojtur urdhërdhënësit e vërtetë të atyre vrasjeve.

“Mund të jenë fare të pabazuara dhe të etiketohen njerëz që nuk kanë lidhje me ato krime, në mënyrë për t'i mbrojtur ''peshqit'' e mëdhenj që mund të jenë urdhërdhënësit e vërtetë të atyre vrasjeve. Sidoqoftë, deklaratat e tij duhet të jenë materie e gjyqtarëve e prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë!”, ka përfunduar Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat