Paralajmërimi për Kosovën: Viti më i vështirë që nga paslufta, në këtë muaj keqësohet gjendja

Politika

Paralajmërimi për Kosovën: Viti më i vështirë që nga paslufta, në këtë muaj keqësohet gjendja

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 17 janar 2018 Në ora: 21:17
Kuvendi i Kosovës

Sot është mbajtur mbledhja e kryesisë së Kuvendit, por që nuk ka arritur të shqyrtojë pikat e rendit të ditës, për shkak të mungesës së kuorumit.

Në mbledhje nuk ishin përfaqësuesit e VV-së, AAK-së, Nismës dhe minoritetit serb.

Pas mbledhjes, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kërkoi nga anëtarët e kryesisë që të jenë pjesëmarrës në mbledhje.

Në mesin e pikave të rendit të ditës, ishte edhe kërkesa e deputetëve për shfuqizimin e ligjit për Specialen.

Se sa mund të zgjasë kjo situatë dhe a ka rrezik të bllokohet Kuvendi, për gazetën “Bota sot” flet analisti Faton Mehmeti.

Ai thotë se qeveria e ka hall fatin personal dhe nuk ka vullnet për të punuar, derisa sipas tij ky vit do të jetë më i vështiri për Kosovën që nga paslufta.

Image
Faton Mehmeti

“Besoj se kjo qeveri dhe ky koalicion s’ka vullnet për të punuar, ngase kanë hall fatin e tyre personal. Gjykata Speciale është shndërruar në sfidë personale të ish udhëheqësve të UÇK-së, të cilët kanë synim të shpëtojnë veten. Ky vit do jetë më i vështirë për Kosovën që nga paslufta, me Gjykatën Speciale si test serioz për të hapur rrugën drejt të ardhmes. Andaj, dështimi i kryesisë së kuvendit është pasojë e tollovisë së krijuar pas tentativës për të zhbërë ligjin për Gjykatën Speciale”, vlerëson Mehmeti.

Sipas tij, gjendja më e keqe për vendin do të jetë në muajt mars-prill.

“Kosova po dështon të funksionojë si shtet nga interesat personale të disa individëve, të cilët fatkeqësisht kanë në duart e tyre fatin tonë. Kosova ka nisur e bllokuar dhe besoj se në mars-prill do të fillojë edhe më keq gjendja të bëhet”, ka deklaruar Faton Mehmeti për “Bota sot”.

Ndryshe, mbledhja e radhës e kryesisë do të mbahet të hënën, ku në mesin e pikave të rendit të ditës pritet të jetë edhe marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat