Avokati njohur tregon se kush po kërkon shfuqizimin e Speciales: Të përfshirë në vrasje edhe politikanë, por...

Politika

Avokati njohur tregon se kush po kërkon shfuqizimin e Speciales: Të përfshirë në vrasje edhe politikanë, por...

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 18 janar 2018 Në ora: 07:38
Avokati i njohur, Tomë Gashi

Avokati i njohur, Tomë Gashi, ka thënë se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale po kërkohet nga ata të cilët kanë qenë dikur pro kësaj gjykate, që sipas tij tash mund të kenë informata se janë shënjestër e saj.

“Shfuqizimi i ligjit për Gjykatën Speciale po kërkohet nga ata të cilët kanë qenë pro kësaj gjykate, sepse mund të jenë apo kanë informata se mund të jenë vet shënjestër e Gjykatës Speciale, apo e akuzave që mund të bëhen direkt kundër tyre. Përndryshe, zbardhja e vrasjeve politike pas luftës çdo ditë e më tepër është duke u zbehur sepse kanë kaluar shumë vite dhe do të jetë jashtëzakonisht e vështirë, posaçërisht që të zbulohen ekzekutorët, ndërsa pa zbulimin e ekzekutorëve është e vështirë që të zbulohen urdhërdhënësit apo ata të cilët kanë organizuar vrasjet, për të cilat tani më dihet se jo shumica, kanë qenë anëtarë apo zyrtarë të LDK-së”, është shprehur avokati.

Kurse lidhur me atë se a janë të përfshirë edhe politikanët në vrasjet e pasluftës, Gashi është shprehur se me siguri në këto vrasje janë të përfshirë politikanët, dhe për këtë arsye edhe cilësohen si vrasje politike.

“Më siguri që politikanët janë të përfshirë në këto raste, se pa përfshirjen e politikës nuk mund të quhen vrasje politike dhe ato vrasje sigurisht janë menduar nga eksponentët politik. Ndërsa, kush i ka realizuar, kjo është çështje që do të duhej prokuroria dhe policia të vijnë me rezultate konkrete. Mirëpo, deri më tani nuk kemi pasur as vullnet politik për zbardhjen e vrasjeve politike të pasluftës edhe pse partia prej të cilës kanë qenë të gjitha viktimat ka qenë thuajse gjithmonë në pushtet së bashku me partitë tjera, posaçërisht me PDK-në, por nuk është vërejtur ndonjë angazhim i posaçëm që të krijohen kushtet për zbardhjen e vrasjeve politike, ngase partitë politike dhe Qeveria duhet t’i krijojnë kushte dhe duhet të ketë vullnet politik që prokuroria dhe policia të merren me këto raste”, ka thënë Gashi.

Gashi thekson se ka mundur bëhet një njësi e veçantë e Policisë së Kosovës me prokurorë të specializuar për të hetuar këto krime.

“Ka mundur të bëhet një njësi e veçantë e Policisë së Kosovës, një njësi me hetues të veçantë, me hetues të specializuar dhe me prokurorë të specializuar , që të jenë të specializuar për hetimin e personave përgjegjës për vrasjet politike në Kosovë, por me mungesë të vullnetit politikë nuk është bërë dhe nuk besoj që do të bëhet as në të ardhmen”, ka përfunduar Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat