“Ivanov dëshiron ta asgjësojë identitetin shqiptarë”, politologu tregon çka do të bëhet me ligjin për gjuhën shqipe

Politika

“Ivanov dëshiron ta asgjësojë identitetin shqiptarë”, politologu tregon çka do të bëhet me ligjin për gjuhën shqipe

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 18 janar 2018 Në ora: 19:35
Gjorge Ivanov

Me 11 janar të këtij viti, Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorim të gjuhëve në debat publik.

Por, edhe pse i miratuar në Kuvend, Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka refuzuar ta dekretojë këtë ligj, duke thënë se është në kundërshtim me kushtetutën dhe si i tillë do të rikthehet në Kuvend.

“Më 11 janar të vitit 2018 Kuvendi i Maqedonisë e votoi ligjin për përdorim të gjuhëve pa debat publik, pa përfshirjen e ekspertëve akademikë dhe pa opozitën. Në fjalimin e fundvitit theksova se ky ligj është sjellë me flamurin evropian. Me miratimin e këtij ligji është keqpërdorur flamuri evropian, i cili i ndryshon sistemet ligjore”, ka thënë Gjorge Ivanov, president i Maqedonisë.

Pas kësaj ka reaguar kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, i cili ka thënë se ligji për Gjuhën Shqipe do të rikthehet në Kuvend dhe se sugjerimet e Ivanov do të shqyrtohen.

“Ligji për gjuhët do të rikthehet në Kuvend dhe do të shqyrtoj sugjerimet e Ivanov. Votat mund edhe të shtohen pasi një pjesë e deputetët nuk kanë qenë prezentë në seancë plenare”, tha Xhaferri.

Lidhur me vendimin e presidentit, politologu nga Maqedonia, Xhenur Iseni, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se Ivanov është bërë i parashikueshëm me qëndrimet ndaj të drejtave të shqiptarëve, derisa ligjin e cilëson nënçmues për shqiptarët.

Image
Xhenur Iseni

“Veprimi i fundit i Presidentit Ivanov nuk është për tu befasuar, tani më Ivanov është bërë i parashikueshëm me qëndrimet e tija mizore kundrejt të drejtave të shqiptarëve. Për mendimin tim ky ligj është nënçmues për shqiptarët sepse të njëjtin nuk e zyrtarizon por vetëm e avancon nga ajo që ka qenë. Shqiptarët janë shtetformues dhe gjuha e tyre mëmë duhet të jetë zyrtare me plot kuptimin e fjalës”, është shprehur ai.

Sipas tij, Presidenti Ivanov nuk dëshiron as të avancohet gjuha shqipe, se lërë më të bëhet gjuhë zyrtare.

“Por në këtë rast bie në sy një gjë, që Presidenti Ivanov jo vetëm që nuk dëshiron të bëhet zyrtare gjuha shqipe por ai nuk dëshiron edhe të avancohet gjuha shqipe. Ky mendim është fashist sepse gjuha është identiteti i një populli, ndërsa nga fakti që Ivanov nuk e nënshkruan këtë avancim të paktë të gjuhës shqipe dëshmon se ai në brendësinë e tij dëshiron të asgjësojë identitetin shqiptarë”, vlerëson më tej Iseni.

Ai thotë se tani nëse votohet në Kuvend, ligji hyn në fuqi edhe pa nënshkrimin e presidentit.

“Tani më ligji është kthyer në kuvend dhe nëse e votojnë deputetët për së dyti herë, atëherë ligji hyn në fuqi edhe pa nënshkrimin e tij. Ivanov tregoi sot se më mirë din t’i mbrojë interesat partiake se sa interesat e përgjithshme shoqërore”, ka deklaruar Xhenur Iseni për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat