Rreziku i dialogut Kosovë-Serbi nga vrasja e Ivanoviqit, eksperti tregon si duhet të veprohet

Politika

Rreziku i dialogut Kosovë-Serbi nga vrasja e Ivanoviqit, eksperti tregon si duhet të veprohet

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 19 janar 2018 Në ora: 11:01
Oliver Ivanoviq

Të martën e 16 janarit do të duhej të rifillonte dialogu i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Në po atë ditë në Mitrovicë u vra lideri i iniciativës qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia" (SDP) në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

Për shkak të vrasjes së tij nga persona ende të panjohur sipas policisë, pala serbe vendosi që të anulonte takimin me palën e Kosovës, që do të zhvillohej atë ditë në Bruksel.

Por, sa mund të ndikojë negativisht kjo vrasje në bisedimet Kosovë-Serbi, apo që pala serbe të vendos kushte në dialog?

Njohësi i çështjeve për integrime evropiane, Sami Blakaj, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka thënë se edhe pse nuk do të duhej të ndikonte në bisedime, vrasja e Ivanoviq rrezikon bisedimet në Bruksel por edhe situatën e sigurisë në Kosovë.

Image
Sami Blakaj

“Vrasja e Oliver Ivanoviqit jo vetëm që rrezikon bisedimet në Bruksel, por rrezikon seriozisht situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë e posaçërisht në veri të vendit. Ndonëse vrasjet e tilla nuk do duhej të ndikonin në rrjedhën e bisedimeve në Bruksel, megjithatë shihet se Beogradi zyrtar dëshiron domosdoshmërisht të përfitojë politikisht nga kjo vrasje për ta pasqyruar Kosovën si një shtet joserioz dhe të pafuqishëm përballë bandave kriminale dhe krimit të organizuar”, ka deklaruar Blakaj.

Sipas tij, kjo duhet të jetë një arsye që institucionet të zbardhin rastin, pasi kjo do të kontribuonte në sigurinë në vend.

“Pikërisht kjo duhet të jetë një arsye më tepër për institucionet përgjegjëse kosovare për të mos u ndalur deri në zbardhjen e autorëve të vrasjes së liderit serb dhe atyre që kanë dhënë urdhër për kryerjen e kësaj vrasje. Ndriçimi e këtij krimi jo vetëm që do të ishte në interesin e familjarëve të viktimës por gjithsesi do të kontribuonte në sigurinë e përgjithshme në vend dhe veçmas do të rriste besueshmërinë e serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, vlerëson ai.

Po ashtu, Blakaj thotë se zbardhja e këtij rasti do të ishte në të mirë të Kosovës në dialogun me Serbinë.

“Përveç kësaj, zbardhja e këtij rasti do të favorizonte pozitën e Kosovës në dialog me Serbinë, duke i dëshmuar Brukselit se Kosova është shtet i konsoliduar dhe si i tillë është në shërbim të të gjithë qytetarëve të tij pa marrë parasysh se cilit komunitet i takojnë”, është shprehur Sami Blakaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat