“KFOR, EULEX dhe Policia të jenë vigjilente, Serbia njihet për propagandë dhe incidente”

Politika

“KFOR, EULEX dhe Policia të jenë vigjilente, Serbia njihet për propagandë dhe incidente”

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 20 janar 2018 Në ora: 15:13
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bën homazhe në vendin ku u vra politikani serb, Oliver Ivanoviq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po qëndron në Kosovë për një vizitë dy ditore. Vizitën e tij në Kosovë e ka nisur në Manastiri e Banjskas, ndërsa prej aty, Vuçiq ka udhëtuar për në Mitrovicën veriore, ku ka vendosur kurorë para zyrës së Iniciativës qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, aty ku ditë më parë është vrarë lideri i këtij subjekti politik, Oliver Ivanoviq.

Presidenti serb, pas vendosjes së kurorës, ka mbajtur takim të mbyllur në Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicën e veriut, me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës.

Gjatë vizitës së tij, ai ka thënë se Serbia do të japë gjithçka nga vetja për ta ruajtur paqen, se do të bëjë gjithçka që mospajtimet shumëshekullore me shqiptarët të zgjidhen, që të sigurohet paqe dhe siguri e qëndrueshme për të gjitha familjet serbe dhe shqiptare.

Vuçiq ka shtuar se sa i përket rastit të Ivanoviq, se do të ketë shkëmbim informacionesh në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe do të presin rezultatet.

“Të shohim se si dhe në cilën mënyrë do t’i zhvillojnë hetimet. Ne do të shkëmbejmë informacione, sepse po shoh që po flasin për shkëmbim të informacioneve, edhe pse kemi kërkuar që të marrim pjesë në hetime. Por, do të presim, jo rrëfimet për gazeta, por rezultatet përfundimtare të hetimeve. Të shohim se a do të sjellin hetimet deri te kryerësit e krimit të neveritshëm në Mitrovicë ose jo. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë mjaft gjëra do t’i kemi të qarta”, ka thënë Vuçiq.

Image
Faik Krasniqi

Lidhur me vizitën e tij, analisti politik Faik Krasniqi, thotë se Vuçiq nuk do të duhej të kishte leje për vizitë, pasi rasti i Ivanoviq do të përdoret për propagandë nga Serbia.

“Vizita e presidentit Vuçiq po bëhet në një kohë të tensionuar, për shkak të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Autoritetet e Kosovës nuk do të duhej t’i jepnin leje Vuçiqit të vinte në këtë kohë, sepse ai vrasjen e Ivanoviqit do ta përdorë për propagandë kundër shqiptarëve, se gjoja Ivanoviq është vrarë nga shqiptarët”, ka deklaruar ai për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, KFOR-i, polici e Kosovës dhe EULEX-it duhet të jenë vigjilente gjatë kësaj vizite.

“Serbia është e njohur për propaganda të tilla dhe inskenime të incidenteve, për t’ua veshur shqiptarëve në rast të ndonjë incidenti të mundshëm. Prandaj, KFOR-i, policia e Kosovës dhe EULEX-it, duhet të jenë tepër vigjilente gjatë vizitës së tij”, është shprehur ai.

Vuçiq do të qëndrojë në Kosovë edhe nesër. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat