12 vite pas vdekjes së presidentit Rugova, mungesa e vizionit Rugovian po rrezikon ecjen e shtetit

Politika

12 vite pas vdekjes së presidentit Rugova, mungesa e vizionit Rugovian po rrezikon ecjen e shtetit

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 21 janar 2018 Në ora: 07:46
12 vjet pa Presidentin historik Ibrahim Rugova

Kanë kaluar 12 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. Njeriut që sa ishte gjallë beri historinë dhe pas vdekjes la rrugën e tij të ndritshme të lirisë dhe Pavarësisë së vendit.

21 janari i shënon 12 vjetorin e vdekjes së Presidentit historik dhe arkitektit të pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova. Për popullin e Kosovës, personaliteti dhe vepra e Presidentit Rugova është një monument frymëzimi. Askush më shumë se Rugova, nuk përcolli e nuk jetësoi dashurinë për atdheun dhe paqen.

Kosova aktualisht ndodhet në një udhëkryq, si pasojë e politikave të gabuara që po bëjnë udhëheqësit e saj në raport me miqtë e përhershëm. Andaj, një figurë emblematike siç ishte ajo e Presidentit Rugova, po konsiderohet më e nevojshme se kurrë.

Orientimi properëndimor i Presidentit Rugova

Njerëz që ndjekin vizionin e tij, e kujtojnë Presidentin Rugova si një nga figurat më të ndritshme për shqiptarët.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli, e ka vlerësuar lartë figurën e Presidentit Rugova duke e veçuar atë për orientimin e tij properëndimor dhe si një burrështetas të vërtetë.

Image
Haxhi Avdyli

“Politika e LDK-së dhe presidentit të saj Rugova kishte një orientim të vërtetë properëndimor ,pro evropian dhe një miqësi e përhershme më SHBA-në. Ai hapte dyert e kancelarive botërore , të presidenteve e burrështetasve jo vetëm të shteteve që kanë njohur Kosovën por edhe shteteve si Spanja, Sllovakia, që se njohin akoma Kosovën. Presidenti Rugova është i papërsëritshëm dhe kemi pas fatin kombëtar që e kemi pas një lider të tille në atë kohe të trazuar” ka thënë ai.

Sipas Avdylit, sot klasa politike 2 dekada më vonë, nuk dinë kah do orientojnë shtetin e Kosovës, ka perëndimi, kah lindja apo ka lindja e afërt.

“Mungesa e vizionit Rugovian po rrezikon ecjen e shtetit të Kosovës, por LDK  po luan dhe do luajë rolin maksimal për afirmimin e këtyre vlerave që i ka trasuar Presidenti historik Rugova”, është shprehur ai.

Kurse, Bajram Gecaj, anëtar i Lidhjes Demokratike e Kosovës, ka thënë se në këtë përvjetor të shkuarjes së tij në amshim, kujtimi mbi Presidentin Rugova është i freskët dhe prezent.

Image
Bajram Gecaj

“Çdo ditë e më shumë po provohet se rruga e tij dhe vizioni largpamës ishin e vetmja mënyrë që Kosova të arrinte aty ku edhe është. Është lidershipi dhe drejtimi i tij i urtë si dhe vizioni i palëkundur pro-perëndimor që përfundimisht shndërroi Kosovën, por njëkohësisht edhe popullin shqiptarë, në aleatë të fuqive më progresive botërore dhe për herë të parë në historinë tonë mijëvjeçare ngërtheu popullin tonë pandashëm në interesin e familjes së madhe euro-atlantike.  Mos-prezenca e tij fizike kompensohet me frymën dhe mësimet e tija, frymë kjo e cila është dhe do të vazhdoi të jetë udhërrëfyes i pa kontestuar i yni në secilin hap para drejt familjes së shteteve të civilizuara” ka thënë Gecaj.

Fryma rugoviane

Sipas tij, Fatkeqësisht, edhe pse thirren në një frymë të tillë, sot më shumë se kurrë, jemi dëshmitarë të një devijimi të rrezikshëm të një pjese të lidershipit nga rruga mirë dhe sigurt e trasuar nga Presidenti Rugova.

“Shohim tendencat e disave që, për arsye të pastra personale e klanore, të fusin “pyka qarëse” në miqësinë tonë, siç thoshte Presidenti, “të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës” dhe aleatëve tjerë të rëndësishëm e vital për të ardhmen tonë perëndimore. Ata të cilët sot pretendojnë të thirren në këto vlera do të duhej të shohin dhe kuptojnë më mirë veprën dhe aktivitetin e Presidentit të ndjerë, sepse veprimet e tyre, përkundër pretendimeve të tyre, janë shumë larg udhës dhe vizionit rugovian”, ka shtuar ai.

Gecaj ka thënë,  se Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilën e kishte formësuar dhe që e udhëhoqi Presidenti Rugova, i mbeti besnike rrugës dhe vizionit të tij dhe është gjithherë e palëkundur në synimin shekullor të popullit tonë drejt integrimit përfundimtar në strukturat euro-atlantike.

“Nuk ka asnjë dyshim se LDK do të mbajë dhe kultivoj edhe në të ardhmen frymë të tillë progresive dhe vizion largpamës e të pa luhatur drejt realizimit të plotë të vizionit rugovian”, ka përfunduar Bajram Gecaj nga LDK.

Ndërkaq, Faton Abdullahu njohës i çështjeve politike në vend, ka thënë se nuk ndodh shpesh në histori që bëmat e një burrështetasi të krijojnë një koncept politik, i cili më pas për shkak të ekspresivitetit  kthehet në ideologji politike, duke marrë emrin e tij dhe duke pulsuar aktive edhe pas vdekjes së tij.

Image
Faton Abdullahu

“Mungesa 12 vjeçe e Presidentit Ibrahim Rugova e ka sakatosur zhvillimin historik”

Kjo, sipas Faton Abdullahut, ka ndodhur me Presidentin Rugova, të bëmat dhe konceptet e të cilit sot njihen si rugovizëm.

“Ky koncept është ‘brum’ prej të cilit jo vetëm ne sot, por edhe gjeneratat e ardhshme do të gjejnë ‘ushqimin’ për tu përballur pragmatikisht me sfida të reja dhe për të ecur vertikalisht nëpër histori. Presidenti Rugova ka ndërruar jetë por rugovizmi ka mbijetuar jo vetëm pse ky koncept filozofiko-politik pavarësoj Kosovën por pse ai edhe sot është i nevojshëm. Përveç tjerash edhe pse: 1) Gjeopolitikisht, por edhe në aspektin kulturor, nënkupton pro-uesternizëm, rreshtim dhe thellim përbrenda botës perëndimore. 2) Në aspektin e profilizimit politik - partiak, nënkupton djathtizëm, konkretisht qendër e djathtë.  3) Në aspektin institucional nënkupton kulturë shtet ndërtuese, respektim të ligjeve dhe institucioneve. Prandaj sot e kësaj dite anti-perëndimorët në Kosovë, majtistët dhe islamistët e rinjtë në politikë e kulturë si dhe anti-institucionalistët gjithandej, janë kundër rugovizmit me përpjekjen e vazhdueshme për ta kundërshtuar bile edhe davaritur atë” ka thënë Avdullahu.

Ndërkaq, Skender Zogaj analist politik, Presidentin Ibrahim Rugova, e kujton në mënyrën më të veçantë dhe më madhështore. Zogaj, po ashtu ishte edhe bashkëpunëtorë i Presidentit Rugova.

Image
Skender Zogaj

“Madhështia e njerëzve të mëdhenj, vërtetohet më së miri kur ata kalojnë në botën e amshimit hyjnor, dhe në botën njerëzore mbetet hapësira e tyre e pazëvendësueshme dhe ndjehet mungesa veprimeve dhe ndikimeve konkrete në zgjidhjen e problemeve të caktuara shoqërore! Nga ky këndvështrim shohim dhe bindemi se mungesa 12 vjeçe e Presidentit Ibrahim Rugova e ka sakatosur zhvillimin historik dhe të gjithmbarshëm të Kosovës e të popullit shqiptar në përgjithësi, sepse ka ndodhur ngufatja e jetës dhe e të gjitha zhvillimeve shoqërore! Përpjekja e anashkalimit të vizionit të Ibrahim Rugovës, qe 12 vjet po e thellon krizën politike në Kosovë dhe po e tkurrë lirinë dhe pavarësinë shtetërore të vendit” ka thënë Zogaj.

Sipas tij, Kosova po ecën mbrapa, sepse eksponentë të injorancës aktuale politike nuk mund ta kuptojnë se rugovizmi është doktrina e vetme e qëndresës së dinjitetshme dhe realizimit të aspiratave të sovranitetit gjithëkombëtar!

“Si e këtillë Fryma rugoviane, tejkalon përkatësinë e një partie, siç është LDK-ja, sepse duhet të jetë platforma shtetërore e së sotmes dhe së nesërmes së Kosovës. Kjo është rruga, të gjitha të tjerat janë çorrsokaqe, që shpijnë në askund! LDK-ja jo gjithnjë ka ecur si e sa duhet mirë në rrugën e Presidentit Rugova”, ka nënvizuar ai.

Ai ishte imazhi i Kosovës

Image
Nexhat Haziri

Ndërkaq, analisti politik, Nexhat Haziri, ka thënë,  se mungesa e presidentit Rugova është shume e madhe, duke marrë parasysh edhe gjendjen në të cilën është katandisë Kosova.

“Presidenti Rugova ishte me plotë kuptimin e fjalës njeri që arriti të siguroj unitet politik dhe qytetar në procese dhe çështje të rëndësishme për vendin. Ai ishte imazhi i Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, një imazh përmes së cilit bota na besoi dhe na përkrahu në përcaktimin tonë të ndërtimit të një shoqëri me vlera perëndimore, demokratike dhe humane”, ka theksuar ai.

Sipas analistit Haziri, një koncept i tillë i rugovizmit i duhet jo vetëm LDK-se por gjithë shoqërisë për t’ia kthyer imazhin vendit dhe përkushtimin për forcimin e vlerave që i promovoi dhe për të cilat punoi dhe u angazhua presidenti historik Dr. IBrahim Rugova.

“Pra për një Kosove shtet të konsoliduar, demokratik dhe të mirëqenë për qytetarët si dhe i integruar në organizmat euro-atlantik dhe në miqësi të përhershme me SHBA-ne” ka përfunduar Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat