Kush po luan “Poker” me fatin e Kosovës?

Politika

Kush po luan “Poker” me fatin e Kosovës?

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 21 janar 2018 Në ora: 13:41
Gjykata Speciale

Ambasadori Amerikan, Greg Delawie ditë më parë,  iu adresua Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale, ku ka paralajmëruar se do të përballën me pasoja të gjithë ata që e përkrahin shfuqizimin e Speciales, duke shtuar se SHBA-ja përkrah fuqishëm fuqizimin e saj.

Njohësit e çështjeve politike dhe profile të ndryshme nga subjekte politike vlerësojnë se kërkesa e z. Delawie duhet kuptuar me seriozitet të plotë sepse Ambasadori amerikan flet në emër të SHBA-ve.

Avdyli: Kosova e vogël nuk guxon të luajë “Poker”, me fatin e vet

Image
Haxhi Avdyli

Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, konsideron se porosia më e qartë e cila është thënë ndonjëherë  e Ambasadorit Amerikan Greg Delawie është kjo porosi që ka thënë tash.

“Sot nëse klasa politike  e Kosovës ka luksin që të mos merr parasysh këto porosi të miqve tanë, do të ishte sjellje tipike e liderëve diktatorial që ose e kanë izoluar vendin e tyre ose e kanë mbaruar me turp të burgosur ose të eliminuar nga vet populli i vet. Kosova e vogël dhe e brishtë nuk guxon të luaj “Poker”, me fatin e vet por rrugëtimin për shtet ndërtim filluar me SHBA-në duhet ta vazhdojë edhe me tutje”, është shprehur deputeti i LDK-së Haxhi  Avdyli.

 Ai ka thënë, se Kosova nuk ka aleat rezervë të SHBA-ve, dhe ajo bashkë me Evropën e solli Kosovën deri tek ky stad i shtet ndërtimit, andaj  dhe kjo aleancë është qenësore të mbijetojë, në mënyrë që Kosova të ec sa më shpejt përpara.

“ Ardhmëria e Shtetit të Kosovës, është më e rëndësishme se fati i secilit qytetar të Kosovës veç e veç”, ka thënë deputeti Avdyli.

Makolli: Rrezikim i madh i ardhmërisë sonë

Image
Vesel Makolli

Sekretari i Përgjithshëm në AKR, Vesel Makolli, konsideron është për tu çuditur pasi pikërisht ata që e bënë Gjykatën tani po kërkojnë ta  zhbëjnë.

“Shteti është mbi të gjitha, andaj ne assesi nuk bënë të vëmë në pikëpyetje ardhmërinë e shtetit tonë dhe të fëmijëve tanë. Për këtë shtet dhe për këtë liri të pritur me shekuj, dihet se janë flijuar e sakrifikuar me dhjetëra e mijëra njerëz (shqiptar shtetas të Kosovës), andaj ti vësh në rrezik marrëdhëniet tona me ata që patën fjalën kryesore për njohjen ndërkombëtare të shtetësisë sonë, sidomos me amerikanët është një non-sens dhe një rrezikim i madh i ardhmërisë sonë”, ka thënë Makolli. 

Ai ka thënë se, deklaratat e Ambasadorit Amerikan  Greg Delawie nuk nënkupton që ata persona do të burgosen, por përkundrazi ata do të vazhdojnë jetën normale.

 “Nga kjo konkludojmë se nuk po burgosen individët por po "burgoset" Kosova . Pra do të "burgosen" shtetasit e saj që edhe ashtu janë në një lloj “Getoje”, por ndëshkimi që do të vijë do të ketë pasoja edhe për ardhmërinë tonë. Pasi Serbia me ndihmën e Rusisë po thur projekte dhe skenarë për zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, gjegjësisht për ndarjen e saj. Prandaj, ne të gjithë duhet të jemi syçelë dhe mos t'u japim as më të voglin shans që armiqve tanë t'ju hapim rrugë për ti realizuar qëllimet e tyre djallëzore”, ka thënë Makolli.

Gjykata Speciale mund të egërsohet

Image
Skënder Zogaj

Nga ana tjetër analisti politik, Skënder Zogaj, ka thënë se Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie zëshëm dhe me këmbëngulje po kërkon, që të mos ndodh zhbërja e Gjykatën Speciale, sepse Kosova dhe shtetasit e saj do të përballen me pasoja tepër të rënda.

 “Udhëheqja e Kosovës është mirë ta kujtoj kërkesën e dikurshme të SHBA-ve drejtuar Millosheviçit, i cili mospërfilljen e kërkesës e pagoi me bombardimet 78 ditësh dhe me dorëzimin e turpshëm e me pasoja të rënda. Më keq se kaq, do të ndodh me udhëheqjen e Kosovës nëse vendos kundër Gjykatës Speciale, të cilën nuk mund ta ndaloj, pos që do ta egërsojë Gjykatën Speciale, e cila pa Amerikën krah Kosovës, ajo do të jetë edhe më e rreptë në kuadër të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Tashmë nuk ka asnjë dilemë, kundërshtuesit e Gjykatës janë kundër interesit historik të popullit Kosovës, por edhe kundër vetvetes, sepse kanë zgjedhur rrugën më të gabuar dhe më të kushtueshmen”, është shprehur analisti politik Zogaj.

Prirje e qëllimshme djallëzore

Image
Faton Abdullahu

Publicisti Faton Abdullahu, ka thënë për gazetën “ Bota sot” se nuk ka gjë më të keqe e më të dëmshme sot për Kosovën, se kur krijohet një rrethanë e re, që në një mënyrë lë të kuptohet, se patriotizmi shqiptarë ndërlidhet me domosdo për ta kundërshtuar SHBA-në dhe miqtë e tjerë ndërkombëtar të Kosovës.

“Me Gjykatën Speciale, disa individë e kanë sjell një realitet të tillë të ri që determinueshëm nënkupton - të jesh patriot duhet ta kundërshtosh Gjykatën Speciale,  sepse ajo po themelohet për ta gjykuar luftën e UÇK-së, edhe pse rrjedhimisht duhet edhe të mos hezitosh poqe nevoja ta kundërshtosh, për këtë shumë edhe SHBA-n dhe miqtë e tjerë perëndimor. Në historinë e pasluftës, një realitet i tillë i ri kundërthënës dhe regresiv është determninuar nga disa politika që kanë udhëhequr disa konceptualistë në Lëvizjen Vetëvendosje dhe disa të tjerë të njohur si islamistë politik. Pra në këtë renditje, kjo është hera e tretë kur u krijua ky realitet i ri në historinë tonë të pasluftës, nga disa njerëz që do të duhej të jenë më së shumti mirënjohës për ndihmën e SHBA-së dhe njohësit më të mirë të rëndësisë vitale të kësaj ndihme”, është shprehur Abdullahu.

Ai ka thënë se në këtë pikë, sikur  duket se ka një prirje të qëllimshme djallëzore këtu për t'i vënë në kundërshtim njëra me tjetrën patriotizmin shqiptarë shtet ndërtimin tonë dhe demokracinë dhe raportet e mira me SHBA-të.

“Kjo është e keqe që duhet të ndalet sa më shpejtë dhe shfuqizimi i këtij realiteti të cilin po e ndërton një klan i caktuar njerëzish më së miri bëhet me fuqizimin e Gjykatës Speciale e cila tashmë s'ka alternative”, është shprehur publicist Abdullahu.

Qytetarët e Kosovës janë në krah të SHBA dhe jo të politikaneve

Image
Artur Roshi

Edhe njohësi i çështjeve politike, Artur Roshi, ka thënë se shtetet e Bashkuara te Amerikës janë të interesuara që në Kosovë të ketë një fillim të ri, për një epokë të re të shtetit të së drejtës.

 “Kam bindjen e thellë se qytetarët e Kosovës janë në krah të SHBA dhe jo të politikaneve. Këtu mbaron historia. Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet. Politikanet penetrojnë kur nuk është qëndrimi i qytetarëve i njëmend, ndërsa në këtë rast që kemi një mendim qytetar të njehsuar politikanëve ju duket vetja të vetmuar”, ka thënë Roshi.

Ai mendon, se kaq shumë intuitë  kanë politikanët e Kosovës saqë nuk kanë shteg për të dalë, dhe në këto raste ka vetëm një drejtim pa kthim me shpresë se do gjejnë rrugëzgjidhje.

“SHBA-ja funksionon mbi ligjshmëri ku janë të përputhura " e drejta natyrore" dhe "ligji pozitiv”,  dhe si të tillë nëpërmjet diplomacisë i largojnë si fillim nga pushteti, e më vonë nga politika, dhe në fund me pafuqinë e politikanit apo si qytetar i nënshtrohet drejtësisë e cila vendos se ata izolohen, ose jo ani pse vitet e tyre mund të kenë kaluar në fashën e moshës së tretë”, është shprehur njohësi i çështjeve politike Roshi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat