12 vite pa Presidentin! Rugova, udhërrëfim për shtetin e Kosovës, vendi në rrugë të gabuar

Politika

12 vite pa Presidentin! Rugova, udhërrëfim për shtetin e Kosovës, vendi në rrugë të gabuar

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 21 janar 2018 Në ora: 15:40
Ibrahim Rugova

Presidenti i parë historik i Kosovës, Ibrahim Rugova 12 vite më parë u nda nga jeta nga një sëmundje e rëndë. Edhe 12 vite më pas, Presidenti Rugova vazhdon të jetë një shëmbëlltyrë për brezat e ri.

Ai gjatë tërë veprimtarisë së tij njihej për qetësinë dhe paqen që e mbizotëronte si një figurë e lartë politike dhe atdhedashës.

Image
Armend Zemaj

Rugova, udhërrëfim për shtetin e Kosovës

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë për “Bota sot”, se Presidenti Rugova është udhërrëfim për shtetin e Kosovës dhe se mungesa e tij fizike po reflekton në shtetndërtim.

“Është ditë e veçantë përkujtimi, jeta dhe vepra e Presidentit Rugova është udherrefim për shtetin e Kosovës. Mungesa e tije fizike po reflekton në shtetndertimin tonë, edhe për kundërshtarët politik dinte të sillej në atë mënyrë që ti bëj ta respektojnë shtetin, mikun dhe të punojnë për të ardhmen”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka shtuar se madhështia e veprës së Presidentit Rugova mbizotëron mbi të gjithë ata që shtetin e shfrytëzuan për tu pasuruar dhe duke tentuar të krijojnë histori të rrejshme rreth vetes.

“Sot e kujtojmë me nderime, mbi të gjitha duke marrë shembull për ecjen e mëtutjeshme të Kosovës, njëherit duke ruajtur dhe kultivuar amanetin e tije parësor “miqësi të përhershme me SHBA-t, integrim në NATO dhe strukturat Euroatlantike”, ka deklaruar Zemaj për “Bota sot”.

Image
Valentina Bunjaku Rexhepi

Vendi në rrugë të gabuar

Kurse, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi ka thënë për “Bota sot”, se është e vështirë të flitet për presidentin Rugova dhe për atë se sa tani po vërehet mungesa e tij, pasi që vendi është në një rrugë të gabuar.

“Është e vështire të flitet për presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova në përvjetor apo data që lidhen me jetën e tij. Presidentin e kujtojmë pothuajse çdo dite e më tepër, aq sa kalon koha nga vdekja e tij aq më tepër vërehet mungesa, sidomos tani kur Kosova është në një rrugë të gabuar, pa orientim dhe drejtim të duhur”, ka deklaruar Bunjaku Rexhepi.

Gjithashtu, ajo ka theksuar se Presidenti Rugova i ka lënë amanet vizionin dhe synimin për një shtet të qëndrueshëm.

“Presidenti, megjithatë në të rinjve na la amanet vizionin dhe synimin për një shtet të qëndrueshëm, të fortë e të barabartë. Na la fjalët Liri, Pavarësi e Demokraci. Na la motivin se si punohet për një të ardhme të ndritur, rrugën drejte EU dhe miqësinë me SHBA si aleate të përhershme!!! Lavdi jetës dhe veprës se Presidentit historik dr.Ibrahim Rugova”, ka thënë Bunjaku Rexhepi për  “Bota sot”.

Image
Nexhat Haziri

Mungesa e madhe e Rugovës

Ndërkaq, analisti Nexhat Haziri ka thënë se në këtë përvjetor, të dymbëdhjetin të shkuarjes në amshim të presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, mungesa e një personaliteti të tillë shumë demizional, vërehet shumë sot në skenën politike dhe shoqërore të vendit.

“Personaliteti i presidentit Rugova, puna dhe angazhimi i tij, për ndërtimin e një shoqërie me vlera euro-perendimore, koncepti i tij politik për themelimin e shtetit të Kosovës mbi këto vlera, sot nuk kontestohet as edhe nga kundërshtarët e tij më të egër politik. Ishte i pari intelektual në hapësirën e ish Jugosllavisë që pati guximin intelektual për artikulimin e mendimit ndryshe nga sistemi i ndërtuar atëherë në ish federatën jugosllave dhe po ashtu i pari dhe hapur që po e demaskonte politikën fashiste të Serbisë së Millosheviqit dhe planeve të saja për tu zgjeruar në dëm të njësive të tjera që atëherë përbënin RSFJ-së”, ka deklaruar Haziri.

Për më tepër, ai ka shtuar se Presidenti Rugova, jo vetëm që arriti ta sfidonte politikën serbe në atë kohë, por ai i sfidoi edhe mitet serbe, gjoja për shenjtërinë që kishte Kosova për serbët.

“Rugova me vizionin e tij, punën dhe përkushtimin arriti që ta ndërkombëtarizonte çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në hapësirën e ish-Jugosllavisë, duke bërë që qendrat e vendosjes ndërkombëtare të njiheshin me këtë çështje dhe ta trajtonin atë në mënyrën meritore, si një çështje që kërkonte zgjidhje mbi parimin e vetëvendosjes së popujve, e jo si një çështje periferike e të drejtave të njeriut, siç njihej para daljes së Rugovës në skenë”, ka theksuar ai.

Gjithashtu, Haziri ka vlerësuar se promovimi i politikes paqësore dhe koncepti i tij që me dialog të përfundonte odeiseja e ish federatës jugosllave duke respektuar parimin e vetëvendosjes për të gjitha njësit kushtetuese që e përbënin këtë  ish federatën.

“Dhe po këtë parim e mbajti edhe në kohën kur republikat  ish-jugosllave ishin zhytur në luftë me njëra tjetrën, bëri që presidenti Rugova të cilësohej si Gandi i Ballkanit, por mjerisht në një rajon ku vetëm luftërat dhe betejat e përgjakura zgjedhnin kontekstet politike e historike. Meritat e presidentit Rugova janë të pamohueshme dhe vendimtare, sidomos orejtinimi i drejtë i çështjes së Kosovës por edhe asaj shqiptare në përgjithësi në drejtim të qendrave të perëndimit siç janë sot BE dhe SHBA, e jo të drejtimeve të tjera nga lindja siç ka pasur tendenca në atë kohë dhe ka edhe sot. Rugova sot me meritë konsiderohet si ideatori dhe themeluesi i shtetit të Kosovës”, ka përfunduar ai për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat