Lidhjet e Haradinajt me bandat serbe në veri, kërkohet dorëheqja e tij

Politika

Lidhjet e Haradinajt me bandat serbe në veri, kërkohet dorëheqja e tij

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 22 janar 2018 Në ora: 08:05
Ramush Haradinaj

Akuza që ish-deputetja serbe, Rada Trajkoviq i bën Milan Radojiçiq se ai qëndron prapa vrasjes së Oliver Ivanoviçit ka ngritur në pikëpyetje edhe legjitimitetin e kryeministrit Ramush Haradinaj për të ndenjur ende në krye të Qeverisë.

Kjo për faktin se Haradinaj, në muajin tetor të vitit të kaluar pati mbajtur një takim me Radojiçiq në njërën nga lokalet në kryeqytet për të siguruar nga ai votat e Listës Serbe për tu bërë kryeministër.

Kurse, në një deklaratë në televizion publik, i pari qeverisë ka përmendur atë edhe si bashkëpunëtor.

“Unë punoj shumë mirë me kolegët serbë, për shembull me zëvendëskryeministrin Dalibor Jevtiq, me ministrat Nenad Rikalo, Teodosijeviqin, punoj me kryetarin Goran Rakiq, punoj edhe me Sllavko Simiqin, punoj edhe me njerëzit nga veriu- Millan Radojçiqin për shembull, besoj që edhe ai e ka rolin e tij dhe të gjithë… “, kishte thënë Haradinaj në një intervistë televizive në RTK 2.

Avni Arifi që është këshilltar i kryeministrit në një përgjigje me shkrim për “Bota sot”, kurse është pyetur se si i komenton kritikat ndaj shefit të tij për takim me Radojiçiq, ai ka thënë se shefi i tij nuk është fajtorë për përfaqësuesit serb që zgjedhën nga komuniteti në veri të vendit.

Image
Avni Arifi

“Nuk i zgjedhim ne përfaqësuesit e serbëve, por serbet vet i zgjedhin. Edhe liderët tonë për shtetin serb dhe bashkëpunëtoret e tyre janë terroristë, por as ata nuk i zgjedhin njerëzit tonë. Përpjekjet e Millosheviqit në vitet 90 që nga Sejdo Bajramoviqi të bëjë lider shqiptarësh kanë pas dështuar keq. Shqiptarët nuk duhet ta ndjekin rrugën e tij të dështuar dhe duhet të bisedojnë më të gjithë serbët që kanë përkrahje tek populli i vet”, ka thënë Arifi për “Bota sot”.

Nga ana tjetër, përfaqësues të LDK-së dhe analistë politik në vend thonë se Haradinaj nuk do të duhej të takohej me Radojiçiq, pasi që sipas tyre ai nuk është i zgjedhur, por një person që dyshohet se e udhëheq kontrabandën dhe krimin në veri.

Dyshimet për vrasjen e Ivanoviçit nga Radojiçiq

Deklarata e Arifit, se qeveria nuk i zgjedh përfaqësuesit serb nuk qëndron për faktin se Milan Radojiçiq nuk është një person që i ka hyrë garës politike, por është një njeri i fuqishëm që dyshohet se e kontrollon krimin dhe kontrabandën në veri të vendit.

Kundër tij, janë ngritur mbi 50 dosje hetimore për krime dhe përfshirje edhe në trafikimin e drogës.

Kurse, pas vrasjes së Ivanoviçit, janë politikanët serb ata që po e akuzojnë atë se ai qëndron prapa këtij krimi.

Një akuzë të tillë e ka bërë ish-deputetja serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq.

Trajkoviq ka thënë se ai është njeri që e kontrollon krimin në veri të vendit dhe rrjedhimisht i përfshirë edhe në këtë vrasje.

Edhe në përgjimet e publikuara nga Gazeta online “Insajderi”, një asambleist serb në Komunën e Mitrovicës Jugore, i thotë Nikola Sanduloviq, kryetarit të Partisë Republikane se ai e di kush e ka vrarë Ivanoviçin.

Ai thotë se vrasjen e ka kryer mafia në krye me Milan Radojiçiq, mik i afërm i kriminelit Zvonko Veselinoviq.

Kurse, organizatori i këtij krimi, është shteti i Serbisë.

LDK kritikon Haradinajn për takim me Radojiçiq

Nga ana tjetër, zyrtarët e LDK-së thonë se ishte i panevojshëm takimi i kryeministrit me njeriun e nëntokës.

“Ashtu si Kryeministri Mustafa, edhe Kryeministri Haradinaj do të duhej të takohej vetëm me përfaqësuesit legjitim të popullit të Serb të Kosovës, edhe atëherë kur këta përfaqësues nuk respektojnë në plotni institucionet e shtetit të Kosovës. Pra, Kryeministri Haradinaj nuk do të duhej të takohej me personat e nëntokës në asnjë rast, sepse ai tani nuk përfaqëson vetëm personin e tij fizik, por përfaqëson popullin e Kosovës dhe si i tillë nuk i falen gabimet e tilla”, ka thënë për “Bota sot”, anëtari i LDK-së, Bajram Gecaj.

Image
Bajram Gecaj

Gecaj, që mbante pozitën e këshilltarit të kryeministrit, Isa Mustafa thotë shefi i tij kishte refuzuar një takim me Radojiçiq, përkundër propozimeve për një gjë të tillë.

“Qeveria Mustafa asnjëherë nuk pranoi të takohet me këtë person, edhe pse edhe ne ishim udhëzuar dhe na ishte thënë se ky ishte personi me të cilin do të mund "të kryenim punë". Kryeministri Mustafa takohej vetëm me përfaqësuesit e zgjedhur të serbëve të Kosovës”, ka deklaruar Gecaj.

Sipas tij, takimi i Haradinajt me personin në fjalë vetëm sa e forcon korrupsionin.

“Ne nuk merreshim dhe nuk shtynim para asnjë kërkesë jo ligjore të askujt, kërkesa këto të cilat zakonisht derivojnë nga takime të tilla me persona të dyshimtë dhe të inkriminuar. Takimi i Kryeministrit Haradinaj me një person të tillë e kthen Kosovën prapa dhe mundet vetëm të forcoj krimin e korrupsionin në atë pjesë të Kosovës”, ka shtuar Gecaj.

Kajtazi: Dorëheqja e Haradinajt çlirim për vendin

Image
Lirije Kajtazi

Deputetja e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, Lirije Kajtazi ka thënë se tani më Haradinaj nuk ka asnjë arsye për të ndenjur në krye të ekzekutivit.

 “Faktikisht, takimi i tij me Radojiçiqi nuk është një lajm i ri për një kryeministër të formatit të Ramush Haradinajt, pasi që ne e dimë se fati i qeverisë së tij varet nga Lista Serbe dhe nga komuniteti i serbëve në vend”, ka thënë Kajtazi për “Bota sot”.

“Ky është rrezik për vendin dhe një kryeministër i tillë sa ma shpejt që dorëhiqet, është çlirim për vendin”.

Ajo ka akuzuar kryeministrin edhe prishje të raporteve me miqtë ndërkombëtar lidhur me veprimet e fundit të deputetëve të koalicionit qeverisës për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Përpos varësisë së Listës Serbe, ai po e lëndon Kosovën edhe duke i prishur marrëdhëniet me dhe aleancat me miqtë tanë perëndimor dhe t’i devijojë kursin politik të Kosovës komplet”, ka shtuar Kajtazi.

Haziri: Ka shumë arsyeje që Haradinaj duhet të dorëhiqet

Edhe analisti politik Nexhat Haziri, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se dorëheqja e Haradinajt është nevojë imediate.

Image
Nexhat Haziri

“Ka shumë arsye që Haradinaj do të duhej të dorëhiqej nga kreu i qeverisë, e një nga këto është takimi dhe bashkëpunimi me njërin nga kapot e nëntokës në veri të vendit, siç është Milan Radojiçiq, i cili së fundi po akuzohet nga bashkëkombësit e vetë si njëri nga të dyshuarit për vrasjen e politikanit serb në veri të Mitrovicës, Oliver Ivanoviqin”, ka thënë Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, bashkëpunimi i Haradinajt me personin në fjalë e delegjitimon Haradinaj për të qeverisur me vendin.

“Ky bashkëpunim i Haradinajt edhe me elemente të nëntokës mafioze nga komuniteti serb, e de-legjitimon akoma për të qenë një njëri i denjët si kryeministër i Kosovës në këtë periudhë kur Kosova gjendet në një situatë të rëndë sa i përket funksionimit të saj si shtet dhe po ashtu me një imazh të rrënuar në rrafshin ndërkombëtar. Andaj largimi apo dorëheqja e z. Haradinaj nga drejtimi i qeverisë së Kosovës, do të shënonte një hap domethënës për vendin, duke kontribuar që Kosova të filloj të drejtohet nga lider që kanë kredibilitet moral e politik që shumë e rëndësishme për qytetarët”, ka deklaruar Haziri.

Image
Faton Mehmeti

Kurse, analisti tjetër, Faton Mehmeti thotë se Haradinaj duhet të jap përgjigje për takimin e tij me një person të dyshuar për krime, siç është Radojiçiq.

“Natyrisht se Ramush Haradinaj duhet të jap llogari për bashkëpunimin me Milan Radojiciqin, fytyra e tmerrit në Veri. Radojiciqi është kreu i bandës në Veri, i cili i mundësoi Ramushit të bëhet kryeministër duke i siguruar mbështetjen e Listës Serbe”, ka thënë Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat