Lojë e udhëheqësve të shtetit apo negociim i fatit të tyre?!

Politika

Lojë e udhëheqësve të shtetit apo negociim i fatit të tyre?!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 22 janar 2018 Në ora: 14:15
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Iniciativa për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale e ndërmarr në mbrëmjen e 22 dhjetorit të vitit të kaluar nga tre krerët kryesorë të shtetit nuk ka të ndalur.

Në media edhe këto ditë është raportuar se tre drejtuesit e shtetit, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Hardinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli nuk do të tërhiqen deri në shfuqizimin e  Gjykatës Speciale. Drejtuesit e shtetit nuk kanë hequr dorë nga tentativa për shfuqizimin e kësaj gjykate, edhe pse presioni ndërkombëtar është rritur.

Sot, Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur ka marrë vendim që iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ta dërgojë në Qeveri.

“Bota sot” ka provuar të kontaktojë me deputetët e Partisë Demokratike të Kosovë (PDK), të scilët janë ata që kanë marr nismën për shfuqizimin e Speciales,  por kontakti me ta ka qenë i pamundur, përveç me deputetin Zenun Pajaziti, por edhe ky i fundit u deklarua se nuk është i gatshëm të flas për këtë temë.

Image
Zenun Pajaziti

“Nuk jam për momentin në gjendje të flas për këtë çështje”, ishte përgjigja e shkurtër e deputetit nga radhët e PDK-së, Zenun Pajaziti për “Bota sot”.

Ndërsa, për opozitën përpjekjet për shfuqizim janë jo të sinqerta, e që mund të jenë ose për të blerë kohë ose për të negociuar fatin e tyre personal.

“Përpjekjet për të negociuar fatin”

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, në një prononcim për  “Bota sot” ka komentuar mos tërheqjen e drejtuesve të shtetit nga shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale.

Image
Shqipe Pantina

Pantina ka thënë se Gjykata Speciale është e padrejtë, por po aq e padrejtë dhe jo e sinqertë është edhe përpjekja e disa individëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Gjykata Speciale është e padrejtë dhe e njëanshme, por po aq e padrejtë dhe jo e sinqertë është edhe përpjekja sidomos e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), për shfuqizimi kësaj gjykate, sepse pikërisht ata që e kanë shtyrë krijimin e saj, duke thënë se në këtë mënyrë vetëm sa pastrohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Por, sot, edhe po të donë është e pamundur shfuqizimi i saj, sepse për shfuqizimin e saj janë një varg dokumentesh”, është shprehur deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Pantinës, përpjekjet për shfuqizim janë jo të sinqerta, dhe po bëhen për të blerë kohë ose për të negociuar fatin e tyre personal.

“Për ta zhbërë vërtet këtë gjykatë, e cila, e theksoj se është e padrejtë, duhet të zhvlerësohen të gjitha këto dokumente dhe kjo duket të jetë e pamundur. Prandaj, edhe përpjekjet e tyre janë jo të sinqerta, e që mund të jenë ose për të blerë kohë ose për të negociuar fatin e tyre personal, dhe kjo natyrisht është e dëmshme për Kosovën, sepse një shtet nuk mund të varet apo të pësojë për shkak të interesave personale të individëve, pa marrë parasysh se kush janë ata individ”, shtoi Pantina.

Pantina ka theksuar se loja që po e bën kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është që të mundësojë diskutim për fatin e tij personal apo të shokëve, sepse, sipas saj, në të njëjtën kohë ai po i nxitë deputetët e vet për shfuqizim të Gjykatës Speciale.

“Është lojë e tij, lojë presioni, në mënyrë që ai të mundësoi diskutimi për fatin e tij personal apo të shokëve, dhe mbi të gjitha kjo është e pasinqertë, sepse diçka tjetër ai po i nxit deputetët e vet për shfuqizim, diçka tjetër pastaj po deklaron për ndërkombëtarët. Letra e Kadri Veselit më shumë është e drejtuar për ndërkombëtarët, se sa për qytetarët e vendit, sepse qytetarët tashmë e dinë qëndrimin e tij”, përfundoi Shqipe Pantina.

Image
Lirim Zorra

“Plani i politikanëve”

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Lirim Zorra, njëherit ligjërues në “ISPE”, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se duhet pritur zhvillimet zyrtare.

Lidhur me mosdorëheqjen e udhëheqësve të shtetit nga shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale, Zorra konsideron se kjo është çështje sensitive dhe partitë politike ose edhe ndonjë media e caktuar afër partive dëshiron të ketë debate dhe zhvillime për këtë çështje.

 “Kadri Veseli ka deklaruar që nuk do të ndryshohet ligji për Gjykatën Speciale, mirëpo një opsion i cili është i mundshëm është ai që duhen disa ndryshime të cilat sipas këtyre liderëve mund ta marrin mbështetjen edhe të ambasadave dhe këto ndryshime mund te jenë që gjykata të funksionoi në Kosovë e jo në Holandë, ku gjykatësit mund të vijnë këtu, mirëpo dëshmitarët do të kenë frikë të dëshmojnë në Kosovë, andaj ky lloj plani mund të jetë në mendjen e disa politikanëve”, tha ndër tjerash Zorra.

Sipas tij,  duhet pritur zhvillimet zyrtare sepse gjithmonë ka takime, ide, mirëpo çdo ndryshim qoftë edhe më i vogël duhet një aprovim nga ambasadat.

“Padyshim duhet pritur zhvillimet zyrtare sepse gjithmonë ka takime, ide, mirëpo çdo ndryshim qoftë edhe më i vogël duhet një aprovim nga ambasadat. Tani është çështja se shtetet e Quintit a e shohin këtë opsion të negociushëm apo çdo ndryshim të ky ligj qoftë edhe më i vogël krijon një raport të ri midis atyre politikanëve që e mbështesin dhe shteteve të Quintit”, përfundoi ligjëruesi Lirim Zorra.

Thirrja e Greg Delawie

Në anën tjetër, ambasadori amerikan si kurrë më parë ishte i qartë në deklaratën e tij. Ai kishte paralajmëruar pasoja të mëdha për ata deputetë që e votojnë shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie u kishte bërë thirrje përfaqësuesve politikë në Kosovë që të heqin dorë nga shfuqizimi apo ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Në të kundërtën, ai ka thënë se politikanët që do të përballen me pasoja të rënda.

“Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra” ka deklaruar Delawie. Këto komente ai i ka bërë në ditën kur Kryesia e Kuvendit po vendosë nëse do të përfshijë për seancën e radhës së Kuvendit nismën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Dëshiroj të flas me ju, qytetarët e Kosovës se përse Gjykata Speciale është kaq e rëndësishme për Kosovën dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që kanë në fuqi për të siguruar që gjykata ta përfundojë mandatin e saj”, ka thënë  ditë më parë Delawie.

Kosova e ka bërë këtë Gjykatë, vazhdoi Delawie, për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata persona që janë akuzuar se kanë kryer krime kundër individëve të tjerë, gjatë kohës së luftës së Kosovës për liri.

“Kosova ka luftuar më 1999 dhe ne kemi qëndruar pranë jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë. Askush nuk do të mundet ndonjëherë t’i rishkruajë librat e historisë për fushatën e krimeve mizore të Republikës Federale të Jugosllavisë, por realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve, për çka edhe duhet të japin llogari”, ka theksuar ambasadori amerikan.

“Kjo është përse duhet Gjykata Speciale. Viktimat, rastet e të cilave mund të ndiqen penalisht nga Gjykata Speciale përfaqësojnë shumë etni, shqiptarë, romë, serbë e tjerë dhe të gjithë kanë qenë kosovarë. Andaj të gjithë meritojnë trajtim të barabartë para ligjit”, theksoi ai.

“Kjo Gjykatë na intereson sepse ndërhyrja e jonë më 1999 ishte e bazuar në idenë se krimet e luftës ndaj kujtdo, ishin sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe mbajmë në mend vuajtjet e një milion kosovarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, të strehuar nëpër male apo përtej kufirit maqedonas. Dëshironim drejtësi për ta. Ushtarët amerikanë vënë jetën e tyre në rrezik për ta mbrojtur atë parim dhe ua kemi borxh që të vazhdojmë ta mbrojmë këtë parim edhe sot”, kishte deklaruar ndër tjerash ambasadori amerikan, Greg Delawie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat