“Qeveria ofendoi familjet e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë”

Politika

“Qeveria ofendoi familjet e shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 22 janar 2018 Në ora: 15:55
Pamje nga mbledhja e Qeverisë, e cila nisi me një minutë heshtje për vdekjen e Oliver Ivanoviqit

Qeveria e Kosovës, mbledhjen e sotme e ka nisur me një minutë heshtje për vdekjen e ish-liderit të Iniciativës qytetare ”Liria, Demokracia dhe Drejtësia”, Oliver Ivanoviq, i cili u vra me armë zjarri në mëngjesin e së martës në Veri të Mitrovicës.

Por, ky veprim i Qeverisë është kritikuar nga anëtarë të shoqërisë civile, pasi Ivanoviq është akuzuar si vrasës e 49 shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ndaj këtij vendimi, ka reaguar edhe publicistja Kimete Berisha, e cila përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Qeveria e Kosovës po nderon vrasësit e shqiptarëve.

Ajo e ka quajtur të trishtueshëm mosdistancimin e asnjë ministri nga ajo që Berisha e ka quajtur “çmenduri” të Ramush Haradinajt.

Image
Faik Krasniqi

“Momentalisht ndodhem përballë ndërtesës së Kovaçëve në Mitrovicë, ku jetojnë nanat e djemëve të vrarë e të masakruar nga krimineli që sot qeveria e Kosovës e nderoi me një minutë heshtje. Shqiptarët në Mitrovicë e dinë Ivanoviçin për vrasës të fëmijëve të tyre. Pse po ndodh që qeveria e Kosovës po i nderon vrasësit e shqiptarëve. Për kë punojnë këta! Që Kryeministri do të duket me këtë 'minutë heshte' sikur nuk e ka shok mafiozin serb Milan Radojiçin, këtë po e dimë të gjithë, ama, si ndodhi të mos gjendet një ministër i vetëm të distancohet nga çmenduria e Ramush Haradinajt, kjo është e trishtueshme. Më duket sikur sot e piva gjithë kupën e hidhërimit”, ka shkruar Kimete Berisha.

Në lidhje me këtë ka komentuar edhe njohësi i çështjeve politike Faik Krasniqi, i cili ka thënë se veprimi i sotëm i Qeverisë, është ofendim ndaj familjarëve të të vrarëve gjatë dhe pasluftës në Kosovës.

Sipas tij, nderimi me një minutë heshtje nga ana e institucioneve tona, do të ishte shumë njerëzore dhe humane në rrethana tjera, por jo edhe në rastin e ish-liderit serb që akuzohet për vrasje të shqiptarëve.

“Në rrethana tjera do të ishte shumë njerëzore dhe humane që institucionet tona të mbanin heshtje për vrasjen ose vdekjen e dikujt, qoftë ai edhe personalitet. Por marrë parasysh akuzat ndaj tij për vrasjen e dhjetëra shqiptarëve, është ofendim ndaj familjarëve të të vrarëve gjatë dhe pasluftës në Kosovës. Sidoqoftë, rastet e tilla nuk duhet të përsëriten më, sepse me këto veprime fyen familjet e dëshmorëve që janë vrarë gjatë luftës në Kosovë”, është shprehur Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat